"Territorialja", Kushtetuesja rrëzon
PD, Bylykbashi: Zgjedhjet në rrezik

PD, Bylykbashi: Zgjedhjet në rrezik">
TIRANE - Në një seancë maratonë, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar këtë të hënë kërkesën e Partisë Demokratike për pezullimin e ligjit të ri për reformën territoriale dhe hartën administrative. Në këtë seancë opozita, Qeveria dhe Parlamenti u përballën me argumente juridike. Deputeti i opozitës Oerd Bylykbashi argumentoi se me reformën e re janë shkelur një sërë nenesh të Kushtetutës, mes të cilave dhe ajo e mosmarrjes së mendimit të qytetarëve.
 
“Ndarja e re e harruar është për të deformuar votat. Mazhoranca do të fitojë pushtetin me harta të vizatuara nga kryeministri. Kuvendi nuk respektoi procedurat ligjore. Nga 23 korriku deri në miratimin e tij në Parlament u kalua 1 javë kohë kur rregullorja shpreh afate strikte. Brenda një jave u miratua pa u diskutuar në komisione. Ligjet me shumicë të cilësuar s’kalojnë me procedure të përshpejtuar. Miratimi i ligjit me nxitim cenon sigurinë juridike. Komunat dhe bashkitë ekzistuese me ligjin e ri nuk ekzistojnë më. Parlamenti ka shkelur 5 nene të Kushtetutës, pasi ligji ri bie ndesh me autonominë vendore. Qeveria pretendon se është konsultuar me qytetarët duke pyetur me një sondazh 16 mijë qytetarë. Sot në KQZ janë 125 kërkesa nga njësitë lokale për të bërë referendum. Sondazhi i mazhorancës është jo real. Sondazhi është jo transparent, numri është qesharak para mbi 70 mijë qytetarë që kërkojnë referendum”, u shpreh deputeti Bylykbashi.
 
Ndërsa për përfaqësuesit e mazhorancës pretendimet e opozitës janë të pavend e për këtë arsye duhen rrëzuar, për aq kohë sa qytetarët janë pyetur e jo vetëm ata, por edhe drejtuesit e pushtetit lokal që në 66 % të rasteve janë shprehur pro.
 
“Pretendimet e opozitës që ligji të flinte dy javë në sirtarët e Kuvendit janë të pabazuara. Në Kushtetutë nuk ka asnjë dallim midis bashkisë dhe komunës. Ne e pritem opozitën deri në fund të punonim bashkërisht. Nga pikëpamja kushtetuese s’ka problem, por fryma e Kushtetutës kërkon konsensus, por konsensusi ka kufij, s’mund të mbetet peng i lojërave politike. Mund të ishin bërë me tepër përndjekje por e aq sa u bënë ishin të mjaftueshme, pasi po të mos ishte mbyllur reforma do të mbetej pa bërë. Kjo reformë s’mund të kushtëzohej me decentralizimin. Pas miratimit të hartës do të bëhen të gjitha ndryshimet e më pas decentralizimi”, tha Subashi.
 
“Reformën territoriale ne e kemi patur si një nga pikat e programit. Nevoja për ndarjen territoriale ka qenë e shprehur nga Parlamenti që në vitin 2003. Kemi raporte të KLSH që thonë se ndarja aktuale ka sjellë probleme, qoftë dhe në buxhet. Për shembull raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit i vitit 2013. Basha vetë është shprehur në vitin 2012 së ndarja e re administrative është akute, ai asnjëherë s’ka thëne duhet decentralizim e më pas reformë territoriale. Pas këtyre qëndrimeve ne filluam punën. Opozita bojkotoi që në tetor të vitit 2013, që në konferencën e parë. Bojkotoi pa asnjë argument, e pritëm 3 muaj. Unë me Finon shkuam në të gjithë Shqipërinë për të marrë mendimet e komunitetit, kemi takuar personalisht 1218. Sondazhi u bë nga kompani të kontraktuara nga donatorët. Sondazhi nuk ju la qeverisë që të mos kontestohej. Për reformën kemi marrë dhe mendimet e biznesit. 286 njësi sollën përgjigje dhe 66% e tyre ishin pro bërjes së reformës territoriale. Me ndërhyrjen e PD-së, ka patur raste kur një kryetar njëherë na ka sjellë përgjigje jam pro, njëherë na ka sjellë përgjigje jam kundra, pasi PD ndërhynte. Kjo ka ndodhur me të zgjedhur lokalë të PD”, tha ministri Çuçi.
 
Në një seancë maratonë nuk munguan dhe pyetjet e trupës së gjykatësve se pse palët nuk arritën të gjenin konsensusin në miratimin e një reforme kaq të rëndësishme si harta administrative dhe riformatimi i njësive të administrimit lokal.
 
“Z. Subashi, duke votuar reformën vetëm me votat e shumicës a keni cenuar nenin 81/2 të Kushtetutës. A duhej një përpjekje më e madhe për konsensus?”, shtroi pyetjen gjykatësi Vladimir Kristo.
 
E nëse Gjykata Kushtetuese do të lërë në fuqi reformën e re territoriale dhe hartën me 61 njësi vendore bashki, deputeti Bylykbashi paralajmëron bojkotin e zgjedhjeve.
 
“Me këtë sondazh del që për çdo komunë apo bashki janë pyetur 43 persona. Ligji i ri shkrin këshillin e komunave si një organ kushtetues. Ky ligj e bën të pamundur organizimin e zgjedhjeve. Më 15 dhjetor pritët që Nishani të dekretojë ditën e zgjedhjeve e numat, dhe në këto kushte krijohet kolaps. Me këtë ligj nuk hartohen dot listat e zgjedhësve”, tha deputeti Bylykbashi.
 
Në këtë proces gjyqësor opozita përfaqësohej nga juristi Ivi Kaso dhe deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi, ndërsa qeveria nga ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, dhe deputetët Bashkim Fino e Armando Subashi.
 
Bojkoti, gjykatësit e Kushtetueses vunë në dyshim ligjshmërinë e kërkesave
Ndonëse vetë anëtarët e kësaj gjykate i kanë kërkuar përfaqsuesve të PD-së për ndalje të bojkotit, pasi në këtë mënyrë po vinin në dyshim edhe ligjshmërinë e kërkesave, juristët e PD-së ishin sot në Gjykatë për të dhënë argumentat e tyre për pezullimin e kësaj reforme.

PD nuk u bë asnjëherë pjesë e komisionit për reformën
Partia Demokratike nuk mori pjesë në komisionin e reformës territoriale të drejtuar nga socialisti Bashkim Fino, pavarësisht thirrjeve dhe kërkesave të vazhdueshme të mazhorancës.

KQZ rrëzoi kërkesën e vendorëve për referendum
PD zgjodhi që oponencën me qeverinë për këtë reformë ta zhvillojë në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, ku me anë të referendumeve të njësive administrative të djathta kërkoi shpalljen të paligjshme të hartës së re me 61 njësi vendore.

Megjithatë pas marrjes në shqyrtim të këtyre kërkesave, KQZ vendosi për rrëzimin e tyre për shkak se nuk i përmbaheshin afateve ligjore për zhvillimin e një referendumi.


Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS