Varianti më i pranueshëm për ndarjen territoriale duket të jenë bashkitë e mëdha. Ky tingëllon si ‘pikëtakimi’ i mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Reformës Territoriale.
Deputetja e PS, Aulona Bylykbashi dhe eksperti Agron Haxhimali, i cili është i propozuar nga PD, gjatë bisedës në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv pohojnë se bashkitë e mëdha ose ndarja në rajone janë idetë më të përafërta të palëve, pavarësisht disa ndryshimeve në shifra.
Bylykbashi shpjegon edhe se në çfarë konsistojnë 4 variantet e PS.
“Bashkitë që janë më të vogla në qark do t’i bashkohen bashkisë qendër qark. Prrenjasi, Cërriku u bashkohen bashkive më të mëdha. Në variantin e dytë ne krijojmë bashki të tipit, rrethet e mëparshme që janë një skemë administrimi e viteve të mëparshme dhe bashkitë e sotme kalojnë me qytete. Kemi një nivel të parë ku administrohet nga rrethi dhe në nivel të dytë, në qytete. Varianti tjetër është që bashkitë qëndrojnë siç janë sot dhe qarku kalon në pushtet ekzekutiv të nivelit të parë. Varianti i fundit është varianti i rajoneve, Shqipëria e ndarë në 4 rajone për nivel të parë ekzekutiv dhe pastaj kemi bashki të vogla që konsolidohen lehtë që mund t’u bashkohen bashkive të mëdha dhe niveli i parë kalon në nivel rajonal”, tha deputetja.
Ndërsa sipas ekspertit, nuk duhet të ketë kaq shumë bashki rurale. Ai thotë se reforma e 2015 dështoi të sillte zhvillim për zonat rurale ndaj bashkimi i tyre do të ishte më i frytshëm.
“Për mua vetë, nëse do kisha autoritetin për ta bërë, kam një qasje tjetër, mbaja 65 bashkitë. Do të bëja bashkimin natyral, me kritere, të zonave rurale. Bashkitë e mëdha kanë nevojë për territor të gjelbër që do ta marrë nga shtrirja horizontale. Pjesa tjetër, kjo reformë dështoi në mënyrë të shkëlqyer të përçojë pushtet, përfaqësim, financë, shërbime, përtej kësaj zone urbane. Në zonat rurale ku jetojnë 40% e popullsisë, nuk ka funksionuar. Bëjmë disa organizime bazuar në nevoja territoriale, tipologjinë e ekonomisë, deminsionit social, bëjmë ca nyje politike, administrative që t’u japim gjallëri ca zonave që janë jashtë vëmendjes. Këtu vendosim një kriter që nuk do të ketë njësi administrative me më pak se 5 mijë banorë apo në zonat malore më pak se 3 mijë banorë dhe i bashkojmë në mënyrë natyrale nga pikëpamja gjeografike”, tha Haxhimali.
Madje, ai sugjeron se mund të ulet numri i qarqeve nga 12 në 6 ose në 3 rajone të emërtuara.
“Ose t’i bëjmë nga 12 qarqe në 6 qarqe për Shqipërinë ose 3 rajone të mëdha që unë i kam quajtur Rajoni Adriatik, Rajoni Adriatiko-Jonian dhe Rajpni Jonian që mund t’u japim shërbime, të shikojmë sistemin zgjedhor dhe çfarë shërbimesh do të marrin, nga bashkitë apo qeveria dhe si do të zgjidhen”, u shpreh eksperti.
Bylykbashi nënvizoi se “reforma territoriale është e domosdoshme” dhe të jenë të afta që “t’iu përgjigjen kërkesave të BE.”
Deputetja tha se puna po vijon në mënyrë intensive pasi po analizohen të gjitha bashkitë në mënyrë që të mbyllet deri në korrik 2026.
“Puna e komisionit duhet të përfundojë në fund të qershorit në mënyrë që ne t’i çojmë draftin parlamentit që të ketë mundësi ta shqyrtojë. Komisioni është ai që bën punën dhe sjell një model, por është parlamenti ai që voton dhe vendos, por jemi të vendosur për ta çuar përpara dhe për ta mbyllur në korrik 2026 për të qenë gati sepse është çështje afatesh dhe pengesash ligjore, ne duhet të bëhemi gati për zgjedhjet 2027 kështu që është e domosdoshme që njëri nga ligjet të kalojë”, përfundoi Bylykbashi.
Eksperti i propozuar nga PD në Komisionin e Reformës Territoriale, Agron Haxhimali, kritikoi gjatë bisedës në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv 4 variantet e propozuara nga PS. Ai iu drejtua deputetes së PS, Aulona Haxhimalit, se prej 5 muajsh komisioni nuk funksionon.
Agron Haxhimali: Taksapaguesit shqiptarë po të paguajnë ty dhe gjithë ato të tjerët që nga tetori.
Aulona Bylykbashi: Padyshim, ne jemi organizuar...
Agron Haxhimali: Ka 5 muaj që nuk funksionojnë. Unë si qytetar jam kritik për të gjithë ju, përfshirë ty, përfshirë Boçin, përfshirë Maznikun! Pse, kështu duhet të funksionojë sistemi?
Aulona Bylykbashi: Keni shumë të drejtë, por ka pasur, siç e dimë të gjithë se faktet janë publike, ka pasur një rezistencë të opozitës...
Agron Haxhimali: Nuk jam i interesuar!
Aulona Bylykbashi: Po jua them si ka shkuar...
Agron Haxhimali: Për mua jeni njësoj, opozitë dhe mazhorancë! Paguheni t’u ofroni shqiptarëve procese të qarta! Kaq, është fare e thjeshtë për mua!
Komente










