Pjesëmarrja e Belinda Ballukut në votimin për reformën territoriale kur ndaj saj ka 14 akuza, cilësohet e papranueshme nga Partia Demokratike. Në një reagim në rrjetet sociale, Gazment Bardhi bën sërish thirrje që SPAK të veprojë dhe të sjellë në Kuvend kërkesën e dytë për heqjen e imunitetit të deputetes.
Ndërsa përmend se është dita e 32-të e vonesës, shefi i grupit të PD thotë se mosveprimi dhe zvarritja ngre pikëpyetje serioze për barazinë e ligjit dhe përgjegjshmërinë e njerëzve që gëzojnë pushtet.
Më 9 shtator SPAK i sekuestroi një tjetër vilë Ballukut, këtë herë në Palasë, e cila njësoj si vila në Dhërmi e sekuestruar më herët, figuronte në emër të ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tare.
Balluku është e dyshuar për shkelje të barazisë në tendera në 8 raste (Tuneli i Llogarasë, 6 lote të Unazës së Madhe dhe ndërtimi i rrugës Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana), si dhe për korrupsion, pastrim parash, e së fundmi, pas rastit të vilës në Palasë, edhe për “mosdeklarim apo fshehje të pasurisë”.
Reagimi i plotë:
DITA 32 - Drejtësi pa vonesa!
Është e papranueshme që një person i akuzuar për 14 vepra penale — 2 akuza për korrupsion, 2 për pastrim parash, 2 për fshehje pasurie dhe 8 për shkelje të barazisë në tendera — të vazhdojë të jetë i lirë dhe të ushtrojë funksione publike, duke marrë vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Mosveprimi dhe zvarritja në çështjen e Belinda Ballukut ngrenë pikëpyetje serioze mbi zbatimin e barabartë të ligjit dhe forcojnë perceptimin se në Shqipëri, për njerëzit me pushtet ose të mbrojtur nga pushteti, drejtësia ecën me një ritëm tjetër.
Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Pa përjashtime. Pa privilegje. Pa standarde të dyfishta.
SPAK duhet të veprojë me vendosmëri dhe pa vonesa të pajustifikuara, në përputhje me ligjin. Akuzat penale janë serioze dhe kërkojnë përgjigje institucionale, jo heshtje apo zvarritje.
Drejtësia nuk mund të presë sinjale politike dhe as të kushtëzohet nga vullneti i Kryeministrit. Ajo duhet të veprojë e pavarur, me integritet dhe me të njëjtin standard për këdo.
Dita e 32-të e pritjes është një tjetër ditë ku kërkohet përgjegjësi. Askush nuk është mbi ligjin. Askush nuk duhet të jetë i paprekshëm. Drejtësia duhet të veprojë!
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë











Komente
Komento