TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë, i cili është mbledhur në një seancë maratonë prej orës 10:00 të mëngjesit, ku pritet të miratohet drafti i PS për reformën territoriale që i tkurr numrin e bashkive nga 61 në 46. Opozita e kundërshtoi ashpër propozimin e PS dhe i kërkoi asaj të tërhiqet, pasi sipas tyre pr.ligji i ri nuk është konsultuar me qytetarët dhe kërkuan që të kalojë në referendum.

“Si futet në procedurë një iniciativë që shkel ligjin? Nuk ka mendime të qytetarëve”, tha kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi.

“Në rast se ka mbetur një nanogram në thellësitë, në labirintet e ndërgjegjes suaj të mykur, një nanogram pro qytetarëve, detyrimeve që kemi ndaj tyre, hidheni poshtë këtë projekt si një projekt armiqësor ndaj tyre”, tha Sali Berisha.

Dita maratonë nisi me një takim mes veti të socialistëve. Paralajmërimi i votës kundër për Territorialen të deputetëve Braçe dhe Sinaj e rrezikonte miratimin e reformës. Burime ekskluzive për Report Tv konfirmuan se mbledhja nisi me një votim tjetër provë, ku Vullnet Sinaj i Vlorës iu bashkua rreshtit pro, ndërsa Erion Braçe i qëndroi votës kundër.

I pranishëm në mbledhje, ku mungesa e vetme ishte ish zv. kryeministrja Belinda Balluku, Kryeministri Rama merr fjalën fill pas votimit dhe debaton ashpër me deputetin. Braçe argumenton votën me kritika të forta në drejtim të projektligjit, si në përmbajtje dhe në procedurë, ndërsa Rama në fund i thotë “votove kundër, ikën nga PS”. Fjalia që mbylli mbledhjen.

Me 84 vota gati të garantuara tashmë që vlonjati Sinaj kishte ndryshuar qëndrim, socialistët përballjen e përqendrojnë me rivalët politikë në parlament. I pari Sali Berisha, që bën thirrje që të drafti të tërhiqet dhe të shkohet në referendum.

"Në rast se ka mbetur një nanogram në thellësitë, në labirintet e ndërgjegjes suaj të mykur, një nanogram pro qytetarëve, detyrimeve që kemi ndaj tyre, hidheni poshtë këtë projekt si një projekt armiqësor ndaj tyre....Hidheni poshtë dhe të vendosim sot të shkojmë në referendum", tha Berisha. 

Përgjigjen e mori të prerë nga kreu i grupit socialist Taulant Balla.

"Javën e ardhshme të ngremë Komisionin e Reformës Territoriale, jo për ndarjen, por për pjesën e kompetencave. Keni një javë kohë që të mendoni, që të vini për pjesën e kompetencave...Kjo sot do të votohet", tha Taulant Balla.  

"Patjetër që kjo do të votohet. Ju sollët një njeri që njeh kodin mafioz, kërcënoi deputetët tuaj. I kujtoi ata që kanë shumë për të humbur dhe ndërruan Qëndrim”, tha Gazment Bardhi.

Arbjan Mazniku hodhi poshtë akuzat e opozitws për mungesë konsultimi. Ai garantoi se bashkimi i bashkive nuk do të largojë asnjë shërbim dhe se projektligji për Reformën Territoriale parashikon se do të ketë një përfaqësim proporcional në parlamentet vendore për 77 qytetet që marrin këtë status.

“Shërbimet nuk do të largohen. Identiteti i qyteteve do të ruhet: Ne ishim të qartë për nevojën për rritje të efikasitetit. Këshillat bashkiakë ruajnë proporcionalitetin e përfaqësimit sipas numrit të popullsisë”, tha Manziku.

Me interes u prit fjala e Erion Braçes. Thelbin e kundërshtimit të tij e lidhi me parimet.

“Unë mendoj se qëndrueshmëria e reformave vjen nga parimet. Parimet janë shkelur, nuk janë respektuar njësoj kudo në këtë hartë. Ne me këtë ligj sot ndryshojmë jetën e njerëzve në 15 bashki. Madje ndryshojmë jetën e njerëzve edhe në bashkitë e tjera që ato po i përthithin. Por kaq me thjeshtësi e marrim ne ndryshimin e jetës së njerëzve, të cilët kanë bërë plane për jetën e tyre?”, tha Braçe. 

Në foltore ishte rreth 19 minuta, 9 më shumë se ç’kishte në kronometër dhe një pjesë të mirë të kohës u foli kolegëve pa mikrofon. Pavarësisht kritikave të forta, votën pro apo kundër Braçe nuk e shqiptoi në foltore.

Kritika për Reformën Territoriale kishte edhe deputetja socialiste Elisa Spiropali, e cila tha se duhet më shumë autonomi vendore. Megjithatë as Spiropali nuk e tregoi sesi do të votonte për Reformën Territoriale.

"Kryetarët e bashkive nuk mund të trajtohen as si prefekt, as si drejtorë komunale, as si elementë të rëndësishëm të partisë në pushtet. Duhet t'u japim atyre kompetencat, peshën, përgjegjësinë", tha mes të tjerash Spiropali.

Në Kuvend socialistët pa të kanë 84 vota fiks, nëse Balluku do të shkojë në parlament të paktën për të marrë pjesë në votim, por sfidën socialisti ‘rebel’ tashmë e ka drejpërdrejtë me kryetarin Rama.

Bashkitë që shkrihen
Maliq, Dimal, Cërrik, Divjakë, Përrenjas, Patos, Belsh, Rrogozhinë, Klos, Selenicë, Poliçan, Memaliaj, Fushë-Arrëz, Këlcyrë dhe Libohovë

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 01:23
Komisioni hetimor për KAYO, Balla-opozitës: S’përmbush kriteret kushtetuese e ligjore, s’ka prova për hetim parlamentare, rrezik për mbivendosje ndaj SPAK

Kërkesa e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për KAYO nuk përmbush kriteret kushtetuese dhe ligjore, tha Taulant Balla. Sipas shefit të grupit të PS, objekti përfshin një fushë të gjerë dhe jo specifike hetimi, si dhe mund të krijojë rrezik për mbivendosje ndaj SPAK që ka hapur tashmë një hetim ndaj shoqërisë.

“Fjala nuk kishte fare lidhje me kërkesën. Të gjitha çështjet që keni kërkuar, do t’i gjeni në Pasqyrë Flamingo në ditët në vijim. Sa i përket objektit të propozuar të hetimit që përfshin kontroll bashkëpunimi etj, kërkesa nuk përmbush asnjë kriter kushtetues dhe ligjor për ngritjen e komisionit hetimor. Nuk ka një çështje të veçantë. Objekti i hetimit është konceptuar në mënyrë tepër të gjerë, pa shkuar në individualizimin e qartë të fakteve. Objekti synon kontrollin e përgjithshëm të të gjithë veprimtarisë dhe jo hetimin e një çështjeje të rëndësisë publike. Një shtrirje e tillë e objektit nuk përmbush aspak kufijtë e standardeve të hetimit. Nuk ka prova apo indicie të mjaftueshme për hetim parlamentar. SPAK ka një hetim, jua thashë në mëngjes, po jua përsëris dhe në darkë, koha kur hetonim njëri-tjetrin ka përfunduar, Prokuroria të bëjë punën e vet të pandikuar dhe të pavarur. Ekzistenca e një hetimi penal edhe pse nuk përbën pengesë për ngritjen e një komisioni parlamentar, krijon rrezik për mbivendosje. Të fala Kayo karafilit!”, tha Balla.

Ora 01:19
7 deputetë të opozitës propozojnë votim nominal për ‘Territorialen’, refuzohet

Me përfundimin e diskutimit për pikat e rendit të ditës, Tritan Shehu foli në emër të 7 deputetëve të opozitës për një propozim për votim nominal lidhur me reformën territoriale.

“Jemi në një moment shumë të rëndësishëm, përgjegjshmërie të lartë ndaj një atentati që u bëhet komuniteteve, banorëve, demokracisë, historisë, vlerave historike. Ky ligj të miratohet, votohet ose mos miratohet me votim nominal. 7 deputetë kërkojnë votim nominal, Kuvendi është i detyruar”, tha Shehu.

Propozimi u refuzua.

Ora 01:00
Pritet votimi i draftit të PS, Rama vjen në Kuvend

 

Kryeministri Rama vjen në Kuvend, ku pritet të miratohet drafti i PS për reformën territoriale që i tkurr numrin e bashkive nga 61 në 46.

Ora 00:39
Pr.ligji për Fondin Kombëtar të Mjedisit, Tabaku akuza ndaj qeverisë: Nuk ka transparencë dhe asnjë procedurë të qartë

1791499663_tabaku.JPG

Deputetja e PD Jorida Tabaku teksa foli për projektligjin për Fondin Kombëtar të Mjedisit, hodhi akuza ndaj qeverisë për mos transparencë

"Sot ligji për mbrojtjen e mjedisit që po diskutohet për të riaktivizuar fondin për mbrojtjen, nëse do të kishte ardhur në 2013 nuk besoj se do të kishte diskutime sepse është një fond aktual i miratuar në 2011. Narta sot është kthyer në një debat të madh publik. Aeroporti i Vlorës i hapi rrugën shkatërrimi të atij ekosistemi atje. Të gjitha konsultimet në lidhje për mbrojtjen e mjedisit janë bojkotuar nga shoqatat civile. Erdhi 9 herë në paralament për ti hapur rrugën ndërtimit në zonat e mbrojtura. Te fondi i mjedisit që do të rivitalizohet ashtu siç lloj çdo lloj fondi që jep kjo qeverisje nuk ka asnjë transparence, pa asnjë procedurë të qartë", tha Zhupa.

Ora 00:38
‘Për punë ekonomie marr vesh më shumë se ti’, Tabaku-Muzhaqit: Pr.ligji yt hedh biznesin në lumë, s’e bën gati për anëtarësimin

1791498319_tabaku.PNG

Një pr.ligj për markat tregtare i prezantuar nga Bora Muzhaqi në Kuvend, këtë herë me disa ndryshime që prekin kompetencat e pronarit mbi të, solli kundërshtime nga Jorida Tabaku. Deputetja demokrate tha se modeli i propozuar favorizon monopolet dhe dëmton biznesin në vend që ta përgatisë për anëtarësimin.

“Për punë ekonomie besoj që marr çikë vesh më shumë se ti prej profilit që kam. Kjo që keni bërë ju këtu sot lejon dhe krijon monopole. Ju duhet të kishit ndihmuar të bëhej gati biznesi shqiptar dhe jo të hidhet biznesi në lumë. Qeveria ka për detyrë që biznesin ta bëjë gati për anëtarësimin. Me këto ligje vetëm e përkeqësoni. Kur të vijë data e anëtarësimit, këto biznese do të kenë presionin këtu dhe të tregut jashtë”, tha Tabaku.

Ora 00:17
Pr.ligji për Fondin Kombëtar të Mjedisit, Zhupa ‘i freskon’ kujtesën Jaupajt: Shfuqizo ligjin për zonat e mbrojtura, pastaj fol për BE! Model klientelist

 

Pas prezantimit të pr.ligjit për ngritjen e një Fondi Kombëtar të Mjedisit, nga Sofjan Jaupaj, deputetja Ina Zhupa ironizoi se vetëm në raste të tilla e shohin ministrin në seancën plenare. Zhupa kundërshtoi deklaratat e Jaupajt se pr.ligji është në përputhje me direktivat europiane pasi BE ka kërkuar së pari shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura.

Deputetja tha se ngritja e një fondi të tillë është vetëm për “qoka klienteliste” dhe interesat e qeverisë e nuk parashikon asnjë mbrojtje të veçantë për mjedisin.

“Shyqyr që kemi pr.ligje të tilla që shikojmë ministrin e Mjedisit që vjen para Kuvendit. Kur flet për BE mirë është të kujtosh rezolutën e BE që thotë shfuqizoni ligjin për zonat e mbrojtura. Filloje që këtu. Filloje duke dhënë një vendim për atë që kërkon BE, pastaj për të tjerat. Ju jeni ata që po i shkatërroni zonat e mbrojtura, jeni ata që keni futur fadromat në zonat e mbrojtura, keni vënë kufi vetëm qiellin, kudo mund të ndërtohet, mjafton firma e Edi Ramës. Gënjeu z. Ministër kur tha e kemi sipas standardeve të BE. Nuk është asgjë më shumë e më pak sesa ngritja e një instrumenti për qoka klienteliste dhe për të ndarë milionat e mjedisit në grupin që zgjedhin vetë. Ngrihet një komision që duhet të vendosë për projekte ku konkurron vetë Ministria e Mjedisit përmes agjencive dhe të tjerë. Kush tha që ky është instrument që garanton pavarësi? E njihni konceptin e konfliktit të interesit? Si mund të kandidoni ju përballë të tretëve, OJF-ve, kur jeni ju? Ky është modeli klientelist i Edi Ramës që vendos vetë se ku do t’i japë fondet e mjedisit.Z. Jaupaj, ju kam bërë disa herë thirrje që të silleni si ministër i Mjedisit. E dini që në çdo nen jeni kundër asaj që kërkon BE? Është ligj i paplotë, keni marrë 2-3 koncepte të BE dhe keni futur brenda hallet e interesat tuaja, si të ndani fondet dhe jo si të ndihmoni që të kemi një mjedis më të shëndetshëm”, tha Zhupa.

Ora 00:00
'E hëngre turpin me bukë'- Ndryshoi qëndrim për 'Territorialen', Berisha përplaset me Sinajn në Kuvend: Sali, të kam ruajtur për shkak të moshës, s'kam folur për të zezat që i ke bërë Vlorës

1791496512_vullnetsinajsaliberisha.png

Kryedemokrati Sali Berisha dhe deputeti socialist Vullnet Sinaj, u përfshinë në debate të ashpra në Kuvend, pasi ky i fundit ndryshoi qëndrim për Reformën Territoriale.

Berisha i tha Sinajt 'e hëngre turpin me bukë', duke e akuzuar deputetin socialist se ndryshoi qëndrim për interesa personale.

“Vullnet, dole këtu dhe u ktheve në eunuk. Kjo nuk shkon, fjalim hipokrit mbajte në parlament. Edhe ti u palose, e hëngre turpin me bukë. Emri yt do jetë në shtyllën e turpit. Fjala jote është funerali i Bashkisë së Selenicës. Shtylla e turpit në atë bashki do të ngrihet dhe emri yt do shkruhet me gërmat më të zeza”, tha Berisha.

Ndërkohë deputeti socialist i tha Berishës se e kishte 'kursyer' për shkak të moshës. Ai i tha gjithashtu Berishës se

Pas fjalës së Berishës, foli deputeti socialist. Vullnet Sinaj i tha Berishës se e ka kursyer atë prej moshës.

“Sali Berisha, jam ruajtur kaq vjet që të të mos ngacmoj dhe të të mos flas në parlament për të zezat që i ke bërë Vlorës dhe Shqipërisë. Të kam ruajtur vetëm për moshën, se prisja që të dilje në pension. Dhe që kryetari i një partie të djathtë të sulmojë biznes, ky është një turp. Vendimmarrja ime është shenjë e burrërisë dhe e besës”, deklaroi Sinaj.

Ora 23:39
'Territorialja'/ Bardhi në Kuvend: Shtetin e paracaktoni sipas kostumit të Edi Ramës, jeni 84 'Diella' që ju kurdis kryeministri

 

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, teksa ka kundërshtuar draftin e PS për Reformën Territoriale në Kuvend, ka akuzuar deputetët e PS se 'shtetin e paracaktoni sipas kostumit të Edi Ramës'.

"Nuk i kam parë kurrë ata që folën nga ky krahu këtej, më në siklet sesa sot. Madje pjesa dërrmuese e tyre dolën e thanë 'kjo nuk është Reformë', por do votojmë pro. Jeni 84 diella që ju kurdis Rama. E keni kthyer funksionin e përfaqësuesve të popullit, në kartona që ngrihen sipas interesit të Ramës. Rrëzuat brenda 10 orëve diskutim 3 muaj propagandë që i keni servirur shqiptarëve. A ishte prania besnike që ju do dëgjonit zërin e qytetarëve? Që në nisje të Komisionit për Territorialen, versioni juaj ka qenë ky që keni prezantuar sot për miratim. Sepse ju shtetin e paracaktoni sipas kostumit të Edi Ramës dhe sipas kostumit të interesit tuaj personal", tha mes të tjerash Bardhi.

Ora 23:24
Muçi në Kuvend: Jam shumë kurioz të shoh ngjyrën e kartonit të Braçes për 'Territorialen'

1791494728_chvkhvjl.JPG

Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi tha se ishte shumë kurioz të shikonte sesi do të votonte socialisti Erion Braçe sot për Reformën Territoriale.

"Debatet tha zoti Sinaj kanë qenë jo për interesa personale. Por vota e tij është qartazi për interesin e tij personal. Jam shumë kurioz të shoh ngjyrën e kartonit të Erion Braçes sot. E them këtë gjë pas atij fjalimi dramatik me mikrofonin fikur. Por duhet ditur nëse ajo është vota e 84 apo e 85. Kur të shoh ngjyrën e kartonit të Braçes, që të jetë e ndryshme nga ajo e Ballës dhe të jetë vota e 84, atëherë do besoj vërtet që do jemi jashtë këtij skenari, se mua më duket një skenar ky, i rebelit brenda PS-së që Rama do ta kandidojë për Bashkinë Tiranë. Sepse Rama luante rolin e rebelit kundër Nanos atëherë, për të fituar Bashkinë Tiranë. Rama asokohe prishi kjoskat, ndërsa sot po ndërton kulla. Ndërsa Braçe kur del shëtitje në rrugët e Tiranës, merret me ndonjë pllakë, apo ndonjë plehrë, por jo me kullat e Tiranës", tha mes të tjerash Muçi.

Ora 23:02
Territorialja/ Pritet votimi i draftit të PS, Rama mbërrin në Kuvend

 

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në ambientet e Kuvendit, ku pritet të miratohet drafti i PS për reformën territoriale që i tkurr numrin e bashkive nga 61 në 46

Ora 22:58
Sinaj u tërhoq nga qëndrimi kundër ‘Territoriales’: Respektoj vendimin politik të PS! Duartrokitet nga kolegët! Berisha: U shndërrove në eunuk brenda 3 ditësh

Deputeti socialist Vullnet Sinaj ka konfirmuar nga foltorja e Kuvendit se do të votojë pro reformës territoriale, e cila parashikon edhe shkrirjen e Bashkisë së Selenicës, ndonëse më herët kishte dalë kundër këtij propozimi. Sinaj tha se qëndrimi i tij mbeti në minorancë gjatë diskutimeve në grupin parlamentar socialist dhe se do të respektojë vendimin politik të PS.

"Krijohet përshtypja se disa bashki ishin të nënës dhe disa të njerkës. Gjatë kësaj periudhe kemi patur debate mbi mënyrën sesi duhet të avancojë kjo reformë. Kemi pasur edhe mendime të ndryshme mbi çështje të caktuara. Por ky debat dhe këto diskutime nuk kanë qenë kurrësesi për interesa personale. Kanë qenë debate për të garantuar që qytetarët që na kanë votuar si shumicë, të marrin maksimumin e mundshëm, siç vetë ligji u'a garanton. Idetë dhe mendimet e mia në votimin e Grupit Parlamentar mbeten në minorancë. Grupi i PS miratoi për një votim politik pro ndarjes së re territoriale. Në fund të ditës janë pikëpamje që koha do t'i tregojë. Në këtë moment, kur Grupi i PS ka marrë vendimin politik për ta votuar këtë ndarje territoriale, përgjegjësia ime morale dhe politike i lë vendin përgjegjësisë morale e politike të forcës sonë politike, vendimmarrjes së PS. PS duhet të tregojë se e meriton besimin që zgjedhësit i kanë dhënë", tha Sinaj.

Menjëherë pas tij, kreu i PD-së, Sali Berisha, e sulmoi ashpër, duke pretenduar se Sinaj ndryshoi qëndrim për të mbrojtur interesat e tij të biznesit. Berisha i tha Sinajt se brenda 3 ditësh u shndërrua në eunuk për interesat e tij personale dhe ndryshoi qëndrim.

"Dhe e vërteta është se të dhënat ti i di vetë si kanë qenë, jashtëzakonisht problematike me disa importe, disa produkte. Po duket se kur të nxorën kartonin e kuq për të shndërruar big market në small market, edhe ti u palose. E hëngre turpin me bukë. E dëgjuat vetë se si midis Big Marketeve të tij, të mbushura me ushqime të skaduara dhe shpeshherë me probleme të mëdha, dhe Selenicës, të drejtave tuaja për të patur vetëqeverisjen, ai që s'dua t'ia them as emrin këtu, zgjodhi Big Marketin e tij. Po ti mo, a të mbylleshe atje, ti ke aq shumë fitime sa mund të rrije dhe të zgjidhje të mbroje interesat.

Po ku je ti mo? Çfarë je mo? Po si të ka denatyruar pasuria në këtë mënyrë? Si ka mundësi që del këtu edhe na bën histori, në një kohë kur, faktikisht, fjala jote është funerali i Bashkisë Selenicë. Shtylla e turpit në atë bashki do ngrihet dhe emri i parafolësit do shkruhet me gërmat më të zeza. Mbajeni mend këtë, edhe po s'ndodhi shpejt, do ndodhë, do ndodhë, do ndodhë", tha Berisha.

Ora 22:08
'Territorialja'/ Haxhinasto: Zvogëlimi i numrit të bashkive ishte paracaktuar, mazhoranca aplikoi parimin 'asnjë fitore për opozitën'

 

Deputeti Edmond Haxhinasto ka deklaruar se drafti i PS për Reformën Territoriale është karakterizuar nga arroganca, hipokrizia dhe gënjeshtrat.

Gjatë fjalës në Kuvend, Haxhinasto tha se zvogëlimi i numrit të bashkive ishte paracaktuar nga mazhoranca, para konsultimeve publike të zhvilluara nga Komisioni i Posaçëm me qytetarët.

"Edhe këtë herë nuk u zhgënjyem. Aplikuat parimin 'asnjë fitore për opozitën', ndonëse këtë herë fitorja kishte të bënte me qytetarët. Ishte rasti që të jepnit një shembull se truri juaj nuk punon vetëm me idenë 'o fitore o humbje', por të dilnit nga flluska e militantizmit dhe të mendonit pak në mënyrë racionale. Kjo reformë u karakterizua nga arroganca, hipokrizia e gënjeshtra. Zvogëlimi i numrit të bashkive ishte paracaktuar", tha mes të tjerash Haxhinasto.

Ora 21:27
Berisha në Kuvend: Tom Doshi po bën pazare dhe kërcënon deputetët për të votuar për 'Territorialen'! Kur PD të vijë në pushtet, do krijojë shtyllat e turpit ku do vendosë emrat tuaj

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar deputetin Tom Doshi se po ushtron presion ndaj deputetëve për të votuar për propozimin e PS për Reformën Territoriale.

Berisha shtoi se kur PD të vijë në pushtet do të krijojë 'shqyllat e turpit' ku sipas tij do të shkruhen të gjithë emrat e atyre që votuan pro reformës territoriale.

"Njeriu me 5 mbiemra këtu në Parlament, që ka porositur vrasje, që është implikuar me 3 kartele droge, bën presion mbi deptutetët dhe bën pazare për t'i detyruar që të votojnë. U bëj thirrje përfaqësuesve të Fushë-Arrëzit e Pukës, si dhe përfaqësuesve të zonave të tjera, që të zgjedhin dinjitetin, karakterin, nderin dhe përfaqësimin e qytetarëve, para Tom Doshit dhe Edi Ramës. Pazareve të tyre të pista. Dënoj dhunën e terrorin nga narko-policia e Skënder Ballukut dhe Edi Ramës ndaj kryetarit të Bashkisë së Memaliajt. Një hakmarrje primitive ndaj tij, për faktin se qytetarët e Memaliajt refuzuan Edi Ramën.

Propozoj bashkisë Divjakë, Bashkisë Durrës, që të ngrenë qe nesër shqyllat e turpit për të shkruajtur me gërma të zeza emrat e këtyre tradhtarëve të zgjedhësve të tyre, që dalin këtu e na thonë se 'Divjaka aty do mbetet, se Klosi nuk lëviz'. Edhe ky i kodrës së kuajve erdhi këtu, edhe ky foli. Deputet i kodrës së kuajve. Manza, Sukthi, Rushbulli, Ishmi janë 105 mijë banorë dhe ju mohojnë vetëqeverisjen në mënyrën më kriminale vetëm për qëllime kriminale. Nesër PD në pushtet do ngrejë shtyllat e turpit për ju", tha mes të tjerash Berisha.

Ora 21:20
'Territorialja'/ Spiropali: Duhet më shumë autonomi vendore, kryebashkiakët s'mund të trajtohen si drejtorë komunale! S'votoj për asnjë përjashtim nga grupi i PS

 

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, është shprehur se bashkitë duhet të kenë më shumë kompetenca dhe kryebashkiakët të mos trajtohen si prefektë apo si drejtorë komunaleje.

Spiropali tha gjithashtu se nuk do të votojë për përjashtimin nga Grupi i PS të asnjë deputeti, që do të votojë sot kundër propozimit të socialistëve për Reformën Territoriale.

Kjo deklaratë e Spiropalit erdhi pasi kryeministri Edi Rama mësohet se paralajmëroi deputetët socialistë në mbledhjen e grupit se kush do të votonte kundër për 'Territorialen' do të largohej nga PS. I vetmi që ka deklaruar votën kundër dhe që vijon me këtë qëndrim ka qenë Erion Braçe dhe mesa duket.

"Në këtë Parlament po bëhet teatër. Kemi jashtë njerëz që protestojnë, kemi një mungesë kohezioni, besimi te institucionet, te partitë politike, te ne që jemi këtu. Është bërë gati e pamundur të jesh në jetën publike dhe të mos reflektosh kur je në Kuvend dhe kur je jashtë, për atë që duhet ta bënim së bashku, por sëbashku e kemi rrënuar për vite të tëra. Reforma Territoriale nuk është një reformë, sepse problemi nuk është sesa bashki kemi, por pyetja është sesa pushtet duhet të kenë bashkitë. Sa kompetenca, sa financa, sa përgjegjësi u takojnë komuniteteve lokale. A duhet të ketë një reformë territoriale pa autonomi vendore dhe pa decentralizim të vërtetë? Mund të ndryshosh hartën, është e lehtë, por a mund të ndryshojmë ne sëbashku dhe të reformojmë pushtetin dhe mënyrën sesi ushtrohet.

Nga pushteti vendor mund ta kalojmë këtë analizë te të gjitha pushtetet. A ndihen sot qytetarët më pranë vendimmarrjeve apo më larg. Pas diskutimeve sot dhe pas votimit, ne do vijojmë me procesin e decentralizimit, që është filozofia e organizimit të shtetit tonë dhe shkon përtej hartave e numrave. Nëse kërkojmë më shumë përgjegjësi për bashkitë, duhet të diskutojmë edhe për autonominë e institucioneve. Duhet të kërkojmë më shumë përgjegjësi nga çdo nivel qeverisje. Nuk mund të flasim për shpërndarjen e pushtetit në territor, pa diskutuar për përqëndrimin e pushtetit. Këtu dua të kaloj te ushtrimi i pushtetit për llogari të të mirës publike e qytetarëve.

Duhet të dalim këtu te një reformë territoriale që ndryshon edhe raportin demokratik të forcave. Kryetarët e bashkive nuk mund të trajtohen as si prefekt, as si drejtorë komunale, as si elementë të rëndësishëm të partisë në pushtet. Duhet t'u japim atyre kompetencat, peshën, përgjegjësinë. Ata s'mund të thirren nëpër takime dhe të trajtohen sikur janë vartës. Është bërë një progres në rrugën tonë të integrimit, por si e ushtrojmë ne pushtetin që kemi fituar. Prandaj më vjen keq kur dëgjoj nga kolegë të mitë që flasin me tone triumfaliste, pa vend. Nuk duhet ne t'i fitojmë të gjitha bashkitë. Shqipërisë i duhet më pak përqëndrim pushteti dhe i duhet një shtet më i fortë se individët. Duhet që institucionet tona të jenë më të forta se njerëzit që ushtrojnë pushtetin. Edhe sistemi zgjedhor duhet i hapur, qytetarët duhet ta dinë kë votojnë. S'jemi këtu vetëm për 2 njerëz. Unë nuk jam e gatshme që të votoj për asnjë përjashtim në grup. Kam bërë edhe vetë, kam mbajtur një qëndrim në një kohë të caktuar, por nuk ka qenë personal, por për modelin", tha mes të tjerash Spiropali.

Ora 20:30
'Territorialja'/ Deputeti i PS: Do e votoj reformën, pavarësisht se kam marrë mbrapsht një shije të hidhur zhgënjimi nga banorët që nuk janë dakord me hartën e re

 

Deputeti i Partisë Socialiste, Fadil Nasufi, është shprehur gjatë fjalës në Kuvend se do ta votonte draftin e PS për hartën e re territoriale, pavarësisht se sipas tij, ka marrë mbrapsht shije të hidhur zhgënjimi të shumë banorëve që nuk janë dakord me ndarjen e re.

Nasufi tha gjithashtu se dilema e tij ishte se përse drafti nuk parashikon edhe bashkimin me njësitë më të mëdha të qeverisjes vendore, të disa bashkive me performancë më të ulët se Dimali e Poliçani, që do i bashkohen Beratit.

"Këto 11 vite të reformës administrative kanë konfirmuar suksesin dhe rrugën e pakthyeshme të kësaj reforme. Por vazhdon hendeku i projekteve mes qytetit dhe fshatit dhe mes qendrës e periferisë. Unë si deputet i Beratit i kam ndjekur reagimet, refuzimet dhe argumentet kundërshtuese të bashkisë Dimal e Poliçan që do i bashkohen Beratit. Prisja nja hartë që e sjell organizimin e pushtetit vendor në kufirin e bashkive metropolitane ose të ish-rretheve. Nëse kam një dilemë, nuk e kam pse bashkohet Dimali me Beratin, por pse nuk bashkohen edhe bashki të tjera të një tipologjie dhe performance ndoshta edhe më të ulët se Dimali, si Roskoveci, Kuçova, Delvina, Peqini apo të tjera.

Gjithsesi unë e votoj këtë draft, edhe pse marr mbrapsht shije të hidhur, zhgënjim dhe papëlqyeshmëri të shumë banorëve që nuk janë dakord me këtë hartë administrative. Por unë jam i bindur se kush investohet më shpejtë në këtë qasje të kësaj reforme, do të shtrojë rrugën e suksesit dhe të promotorit të zhvillimit të qëndrueshëm të komunitetit. Kush rri peng i vëzhgimit brenda kufijve të zonës ku banon dhe ndihet mirë në bashkinë që i shton hallet edhe më shumë, duhet të zgjohet edhe të reflektojë", tha mes të tjerash Nasufi.

Ora 19:52
'Territorialja'/ Blushi me tone të forta në Kuvend: Rama po hakmerret për Esat Toptanin, prandaj po shkrin bashkinë e Libohovës, vendlindjen e Avni Rustemit

 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha në Kuvend se kryeministri Edi Rama po vijon në rrugën e Esat Toptanit, për shpopullimin dhe shpërbërjen e Shqipërisë.

Blushi tha se bashkia e parë që po shkrihet është Libohova, vendlindja e Avni Rustemit dhe kjo sipas tij bëhet si hakmarrje e Ramës për Esat Pashën e vdekur.

"Avni Rustemi e përmblidhte veprën e zezë të Esat Pashës me tre fjalë, përçarje, shitje, tradhti. Me këto tre fjalë përmblidhet edhe vepra e zezë e Edi Ramës. Esat Pasha i gjallë ka vendosur të hakmerret për Esat Pashën e vdekur, duke e vijuar programin e shkombëtarizimit, të shpopullimit dhe të plaçkitjes së Shqipërisë, duke e nisur pikërisht nga vendlindja e Avni Rustemit, që është Libohova. Edi Rama gjithashtu është kryeministri më i mirë që ka pasur Serbia pas Nikola Pashiçit. Por krahasuar për nga dëmet që po u bën shqiptarëve, ky kancer i kombit shqiptar, është më i zi se Pashiçi. Sot është një ditë e zezë për këtë Kuvend, për Shqipërinë. Sepse ky Kuvend, pa asnjë mandat popullor ka vendosur të bëjë këto ndryshime. Pas çdo vije në hartë që Rama kërkon të zhdukë, ha histori. Nuk mund të shuhet Libohova, Avni Rustemi do të jetojë", tha Blushi.

Ora 19:38
Berisha-deputetëve të PS në Kuvend: Po asgjësoni 15 bashki, shumë prej tyre me performancë të mirë! Jeni të kapur nga Rama

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës në Kuvend ka sulmuar deputeten socialiste Olta Xhaçka, duke thënë se gjatë kohës që ajo ka qenë ministre e Mbrojtjes, ka punuar në kontrabandën e drogës.

"Gjuha që përdoret këtu nga deputetët e padrinos, është forma më e lartë e korruptimit të gjuhës. Është akti më i lartë i korrupsionit, jo vetëm të gjuhës, por edhe mendimit. Këta asgjësojnë 15 bashki prej të cilave ka me performancë shumë të mirë. Ka komunitete me rezerva botërore e nikeli siç është Prrenjasi apo Klosi, prej të cilave ka performancë më të mirë se në këto ekzistueset. Termat që ju përdorni janë përdhosje e gjuhës shqipe për t'u fshehur realitetin shqiptarëve. Ku është kjo Xhaçka, e morët vesh apo jo? Në kohën që ka qenë ministre mbrojtje ka luajtur kontrabandën. E morët vesh apo jo? Sot ajo vjen voton verbërisht, sepse mbron kontrabandën e armëve që ka zhvilluar me të shoqin. Këta i detyron të dalin ai. Ty peng të morën Troplinët që kur të vunë ty në Portin e Durrësit", tha mes të tjerash Berisha.

Ora 19:24
'Territorialja'/ Xhixho thirrje deputetëve të PS: Mos e votoni, duhet të kalojë në referendum! Synon zëvendësimin e demokracisë lokale me kontrollin nga pushteti qendror

 

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka kundërshtuar në Kuvend propozimin e PS për hartën e re territoriale. Sipas Xhixhos, drafti i PS për Territorialen është një projekt që synon të zëvendësojë demokracinë lokale me kontrollin nga pushteti qendror.

Xhixho i kërkoi deputetëve të PS që të mos e votojnë reformën dhe të mundësojë që ajo të kalojë në referendum.

"Sot kemi bashki në prag falimentimi, por edhe kryetarë bashkish në dyert e drejtësisë. E vetmja gjë që ka ndodhur është plaçkitja e çdo kompetence lokale, me reformën e 2014-ës. Prandaj qytetarët protestojnë sot prej muajsh për të kundërshtuar këtë projekt. Drafti i ri i Territoriales i Qeverisë Rama është një projekt që synon të zëvendësojë demokracinë lokale me kontrollin nga pushteti qëndror. E largon qytetarin nga vendimmarrja. Shqetësimi i qytetarëve nuk lidhet vetëm me numrin e bashkive që ju do të shkrini, por lidhet me një model qeverisje të ndërtuar mbi 3 plagë të rënda, korrupsionin, pastrimin e parave dhe betonizimin e territorit. Ajo që duhet të bëni është ta çoni në referendum këtë reformë anti-shqiptare", tha mes të tjerash Xhixho.

Ora 19:11
'Territorialja'/ Korreshi akuza PS-së në Kuvend: Keni futur urrejtjen mes banorëve të Divjakës e Lushnjës! Ça reforme doni ju, kallami është bërë si hu nëpër parcela

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, kundërshtoi gjatë fjalës së tij në Kuvend propozimin e PS për hartën e re territoriale.

Me tone ironike, Korreshi tha se PS duke kërkuar shkrirjen e Divjakës, ka futur konflikt mes banorëve të kësaj bashkie dhe asaj të Lushnjës.

"Ceno Klosi që nuk e njeh njeri, doli i pari në Divjakë nga Lista e Hapur. Ja pse e doni reformën ju. Ju keni futur edhe sharjen e urrejtjen mes lushnjarëve e Divjakës. Askush nuk e do këtë bashkim, përveç kryetares që i vente deti në derën e bashkisë. Pretendoni shërbime publike? Po ju s'keni hale. Sot e gjithë bashkia është patronazhim nga i pari te i fundit. Në 2014 i thatë do ulim shpenzimet. Kazanët e plehrave një herë në javë pastrohen në Lushnjë. Ndizen zjarre në mes të qytetit. Juve ju ka zënë ferra sytë, kallami është bërë si hu nëpër parcela. Asnjë nga rezervuarët e Myzeqesë nuk i punojnë portat hyrëse e dalëse. Iu ngeci peshku", tha mes të tjerash Korreshi.

Ora 19:02
Dule kundër 'Territoriales' në Kuvend: Deputetët e PS nuk kanë parasysh interesat e vendit, janë të shantazhuar nga kryeministri Rama

 

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, deputeti Vangjel Dule, është shprehur kundër draftit të PS për reformën territoriale.

Gjatë fjalës në Kuvend Dule tha se diskutimet për 'Territorialen' i dhanë një mësim opozitës, që me mazhorancën nuk mund të bashkëpunohet kurrë në interes të Shqipërisë.

Duke iu drejtuar deputetëve të PS, Dule tha se ata votojnë vetëm sipas interesave të kryeministrit, pasi sipas tij, Edi Rama i shantazhon.

"Ishte një mësim që na dhatë edhe neve deputetëve të opozitës, një mësim i qartë, me ju nuk ka marrëveshje, nuk mund të ketë kontratë e bashkëpunim. Ju në çdo moment të aktivitetit tuaj qeveritar e parlamentar nuk keni parasysh interesa vendi, as tuajat, por interesat e të parit tuaj që ju shantazhon ditë e natë, që nëse nuk ndiqni politikat e tij, do ju kundërvihet juve dhe interesave tuaja.

Kemi një reformë me një rezultat tërësisht të dështuar. Në Komisionin e Posaçëm pyetjes sesi janë të dhënat demografike në bashkitë e vendit, shumica dërrmuese e kampit tuaj thonë se kemi një tkurrje drastike. Kjo provon dështimin. Ne i thellohemi së keqes. Ju asnjëherë s'keni pasur qëllim tjetër nga ai i kontrollit të territorit dhe përfaqësimit", tha mes të tjerash Dule.

Ora 18:47
Gjekmarkaj në Kuvend: Reforma Territoriale, incest moral e atentat ndaj Shqipërisë! Deputetët e PS përpëliten, s'kanë qenë kurrë kaq ngushtë sa sot

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, është shprehur gjatë fjalës së tij në Kuvend se Reforma Territoriale nuk  i shërben interesit qytetar, por mbajtjes së pushtetit nga ana e mazhorancës.

"Kam një bindje personale, që sa herë që vijnë propozime për reforma apo ligje, gjithmonë ka një hile. Nëse flitet për Reformën Territoriale, qëllimi nuk është për të administruar Shqipërinë apo për të përmirësuar qeverisjen. Por për të krijuar një anarki administrative me qëllim mbajtjen e pushtetit me çdo kusht. Fjalët qytetar, dinjitet, predikim, pasurim, kërcasin si arra në gojën e Maznikut, Taulantit dhe të të tjerëve, por nuk bindin askënd. Territori copëtohet, bashkohet, shqyhet ngjitet, ndërsa deputetët socialistë përpëliten. Asnjëherë nuk mendoj se kanë qenë më ngushtë sesa sot. Kjo reformë është si Kushtetuta e vitit 1975. Është jo logjike, jo demokratike dhe jo europiane. Ju po silleni si pushtues, kjo reformë është incest moral, politik e juridik. Një atentat i kryer nga frika", tha mes të tjerash Gjekmarkaj.

Ora 18:28
Ndryshoi qëndrim për Reformën Territoriale, deputeti socialist Vullnet Sinaj me laps e letër në dorë në Kuvend! Përgatit fjalimin që do të mbajë

 

Deputeti socialist Vullnet Sinaj, i cili sot ndryshoi qëndrim për 'Territorialen' duke votuar pro draftit të PS në mbledhjen e Grupit, është filmuar në Kuvend duke përgatitur fjalimin që do të mbajë para shqiptarëve.

Me stilolaps e letër në dorë, Sinaj mesa duket po përgatitet sesi do ta justifikojë votën pro draftit të PS për hartën e re territoriale.

Ora 18:27
'Territorialja'/ Leskaj në Kuvend: Reformë që thellon 'Shqipërinë me 2 shpejtësi', ndikon në shpopullimin e vendit! Varianti i PD për 100 bashki, ofronte më shumë decentralizim

Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, duke iu drejtuar deputetëve të PS-së gjatë fjalës së tij në Kuvend, tha se me votimin për Reformën Territoriale, ata do i bashkojnë votat 'për projektin e shpopullimit të vendit.'

Leskaj tha se projekti i PD-së për 100 bashki ishte shumë më efektiv, pasi sipas tij do të thoshte më shumë afërsi me qytetarin.

Sipas tij, një bashki e vogël ka mundësi të identifikojë më shpejtë nevojat e komunitetit, teksa shtoi se me variantin e PD-së, harta territoriale ofron një decentralizim më të madh të pushtetit.

"Si banor i Selenicës, Divjakës, Këlcyrës, Patosit, etj, unë do ta përcjell këtë shqetësim me respektin më të madh për bashkëqytetarët e mi. Me respektin më të madh për bashkëqytetarët e mi dhe me respektin më të madh edhe për deputetët e Vlorës e Fierit dhe të zonjës Spiropali, do tregohem i kujdesshëm deri në fund. Ju zoti kryetar i Kuvendit si pjesëtar i sektit Rama sot po kaloni një projekt që jo thjesht shkrin 15 bashki, por i bashkohet atij projekti të madh të shpopullimit të vendit. Është një reformë që thellon akoma më tepër Shqipërinë me 2 shpejtësi, me 2 standarde në zona të ndryshme të vendit. Shpopullimi është sot problemi i të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Pas çdo bashkie që humbet funksionet, pas çdo familje që largohet jashtë vendit, ekziston një pyetje 'a po boshatiset Shqipëria?'. Përgjigja është po. Këshilli bashkiak i Selenicës votoi kundër shkrirjes me Vlorën. Varianti i PD-së me 100 bashki synon të ruajë njësitë vendore më të vogla, më pranë komuniteteve dhe me lidhje të drejtpërdrejta me territorin. 100 bashki do të thotë më shumë afërsi me qytetarin. Bashkitë e mëdha krijojnë distanca të konsiderueshme, fizie e administrative. Një bashki e vogël ka mundësi të identifikojë më shpejtë nevojat e komunitetit. Me variantin tonë të PD-së kemi decentralizim më të madh. Reforma e 2014 i mohoi pjesëmarrjen në vetëqeverisjen vendore rreth 70% të popullsisë", tha mes të tjerash Leskaj.

Ora 17:59
Baçi në Kuvend: Përmes Reformës Territoriale, mazhoranca noterizon interesat antiligjore elektorale të Qeverisë, kërkon grabitjen e zgjedhjeve

1791475203_hvkjghjp.JPG

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, është shprehur gjatë fjalës së tij në Kuvend se mazhoranca përmes reformës territoriale synon vjedhjen e zgjedhjeve lokale të vitit 2027.

"Kjo reformë është akti i arrogancës së vazhdueshme të super-pushtetit të një njeriu, i cili ka vënë hartën e Shqipërisë mbi tavolinë dhe e grabit, shet prona, shkrin bashki dhe njësi administrative, shkatërron institucione, shkel ligj e Kushtetutë për të arritur çdo marrëzi me territorin e një vendi, sikur të ishte mall që ja ka lënë babai i tij dhe jo mall i shqiptarëve. Me këtë akt mazhoranca noterizon interesat  antiligjore elektorale të qeverisë për një tjetër grabitje të zgjedhjeve të radhës që do të vijnë. Kjo i privon sërish hapësirën opozitës për një garë të ndershme e demokratike", tha mes të tjerash Baçi.

Ora 16:51
Territorialja/ 'Pse Divjaka duhet të bashkohet me Lushnjen’, Mazniku replikon me Braçen! Deputeti vë duart në kokë

Ish-bashkëkryetari i PS për territorialen, Arbjan Mazniku replikoi deputetin socialist Erion Braçen që gjatë fjalës së tij kundërshtoi propozimin e PS për hartën e re territoriale.

Mazniku duke marrë shembull bashkimin e Divjakës me Lushnjën Mazniku tha se bashkia e Lushnjës kryen disa funksione që bashkia e Divjakës nuk i kryen dot, përfshirë planifikimin urban vendor, strehimin social. Deklaratat e tij u pritën me kundërshti nga Braçja i cili duket se u dorëzua duke vënë duart në kokë

“I nderuar z. Braçe i vlerësoj debatet që kemi bërë për reformën, e cila duhet të ketë jo vetëm hartat, por edhe kompetencat.  Jemi në një pikë që humbasim momentumin nuk do ia dalim dot ose ia dalim përmes këtij mekanizmi që kemi sot. Për të qenë i vërtetë bashkitë nuk kanë pengesë as nga ligji as nga qeveria për t’i ushtruar. Planifikimi urban vendor, Lushnja e bën, Divjaka jo.

Zhvillimi i turizmit-Lushnja shpenzon, Divjaka jo. Strehimi social është një politikë që bën bashkia, Divjaka nuk e bën. Enti i banesave ka pjesën e tij  dhe i ndihmin bashkitë kur munden. Lushnja merret, Divjaka nuk merret. Kujdesi social për të sëmurët, arsimi profesional, transporti, Lushnja e bën, Divjaka jo.

Kohezioni social kërkon që planet zhvillimore  të jenë të ndërtuara nga pushteti vendor, dhe nëse nuk janë të ndërtuara nga pushteti vendor nuk financohen nga BE”, tha Mazniku.

Ora 16:42
Braçe kritika të ashpra ndaj Territoriales, qëndron përtej kohës në Foltore: S'është reformë, janë shkelur parimet! S'ka pasur transparencë

Deputeti i PS, Erion Braçe mbajti një fjalim me tone të forta kritike ndaj Reformës territoriale të propozuar nga Partia socialiste, duke deklaruar se sipas tij ajo nuk është reformë, por thjesht një ndarje gjeografike territoriale. Ai u shpreh se kjo ndërhyrje nuk po shoqërohet me shtim të kompetencave, duke shpjeguar se 12 vite më parë komptemecat që iu dhanë bashkive me reformën e 2014-ës “u transferuan pa buxhet, ose me buxhet të pamjaftueshëm. Po 46 kompetenca kanë sot bashkitë. Një pjesë e madhe e tyre janë formale, për të mos thënë banale”.

Sipas Braçes, parimet mbi të cilat duhej të ishte realizuar reforma janë shkelur dhe nuk janë respektuar kudo njësoj në hartë. Ai foli dhe për mungesën e një transparencë efektive në të gjithë procesin.

"Im atë lindi 82 vite më parë në Lozhan, në bashkinë Maliqaj. Bashkë me tim atë lindën atje edhe dy xhaxhallarët e mi. Ime më lindi në Libohovë, në një qytet me kala, jo për t'i bërë karshillëk Gjirkastrës. Unë linda në Kombinat. Tirana e shtynte Kombinatin në këtë mënyrë, një qytet industrial i lënë mënjanë. Po e thekson këtë fakt për të treguar se e kuptoj fare qartë çdo qytet që u ngrit në funksion të industrisë. Këto elementë e sollën që unë të zgjidhem deputet për herë të parë në Poliçan. Njerëz që janë në këtë sallë më donin të gjymtuar edhe humbës. Poliçanin nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë. Në vijim për 17 vite me radhë, njerëz të tjerë, përfshi edhe ata nga Poliçani, Berati në tërësi, më dhanë punën, nderin e pafund për të përfaqësuar në Kuvend njerës si ata. Më pas në Divjakë, Lushnjë, etj, njerëz të tjerë më dhanë punën dhe nderin, për t'i përfaqësuar, për të jetuar me ta dhe për ta.

Kush mirënjohjen se njeh, vazhdimisht lidhjen me këta njerëz nuk e ka kuptuar. Nuk është as emocionale e as folklorike kjo, është marrëdhënie njerëzore. Janë bërë eksperimente pas ekperimenti. Kam qenë këtu në këtë Parlament, kur kryetarët e bashkive u bënë edhe deputetë. Kur zonat elektorale kaluan kufijtë e bashkive. Qeverisja qendrore për shkak të definicioneve kushtetuese u vendos larg nga qytetari. Pushteti vendor është pushteti i qytetarit, sepse ai është më pranë tij. Reforma, ndërkohë ky që kemi përpara është një ligj, që vizaton një hartë të re territoriale. Harta e provuar shumë herë është e përkohshme, e paqëndrushme dhe si reformë tërësisht e pamjaftueshme. E kam dëgjuar se harta është produkt i përfitimeve politike, më troç votës. Më e keqja është se këtu jemi edhe sot.

Edhe kjo hartë që me gjasë do të ndryshojë sot, do të marrë fuqi nga 2031. Unë mendoj se qëndrueshmëria e reformave vjen nga parimet. Parimet janë shkelur, nuk janë respektuar njësoj kudo në këtë hartë. Ne me këtë ligj sot ndryshojmë jetën e njerëzve në 15 bashki. Madje ndryshojmë jetën e njerëzve edhe në bashkitë e tjera që ato po i përthithin. Por kaq me thjeshtësi e marrim ne ndryshimin e jetës së njerëzve, të cilët kanë bërë plane për jetën e tyre? Bie dakord që populli ushtron sovranitetin përmes përfaqësuesve të zgjedhur me votë. Kjo kërkon përgjegjësi e përgjegjshmëri. Që të ndodhë kjo duhet transparencë efektive. Transparencë efektive nuk ka patur, jo për shkak të ndarjes partiake këtu. Kur kriteret që justifikojnë këtë ligj janë të gjitha me karakter ekonomik e financiar. Mes lumit të informacionit që nuk u nda me ne, do ishte e udhës që informacioni të ishte korrekt.

Këto kompetenca u transferuan pa buxhet, ose me buxhet të pamjaftueshëm. Po 46 kompetenca kanë sot bashkitë. Një pjesë e madhe e tyre janë formale, për të mos thënë banale. Prodhimi, transportimi dhe furnizimi me ujë të pijshëm janë funksion i bashkive. Po seriozisht e thoni këtë? Po nuk kemi krijuar ne disa Sha që nuk janë nën kompetencë të bashkive? Ne po na mbysin lumenjtë në Lushnjë e Divjakë. Dua te ndalem edhe te thelbi. Aty flitet për decentralizim të kompetencave. Bujqësia, zhvillimi rural dhe pyjet, bashkitë kanë vetëm 6 kompetenca, pjesën më të madhe të të cilave i disponon edhe si buxhete qevera qëndrore.

A është gati qeveria të lëshojë pushtetin e saj, për pushtetin që është më afër qytetarve dhe që i shërben qytetarëve, të lëshojë kompetenca, funksione, buxhet, tatime e taksa, të ardhura, prona që janë të bashkive por që i mban qeveria qendrore duke u mohuar zhvillimin ekonomik këtyre zonave? Këto e bëjnë reformën, jo harta! Sikundër reformën, nuk e mbajnë votat, por parimet, të cilat janë shkelur nga fillimi deri në fund! Mbylleni mikrofonin, do e flas me zë, kam ngrënë vezë nga fshati", tha mes të tjerash Braçe.

Gati gjysmën e fjalimit e mbajti pa mikrofon, duke qenë se i kishte kaluar koha. “Do flas me zërin tim. Kam ngrënë vezë fshati”, i tha Braçe drejtueses së seancës kur i fiku mikrofonin.

Report Tv ka zbardhur debatin me mikrofon fikur të deputetit socialist Erion Braçe me drejtuesen e seancës plenare në Kuvend, Evis Kushi. Lidhur me pretendimet e PS se harta e re territoriale do të shërbejë për marrjen nga Shqipëria të fondeve të kohezionit social dhe zhvillimit rajonal nga BE, Braçe tha se një hartë nuk mund ta garantojë e vetme këtë gjë.

Braçe tha gjithashtu se Shqipëria ka marrë shumë fonde nga Bashkimi Europian, por sipas tij, i ka keqpërdorur ato, duke humbur besueshmërinë e partnerëve (referuar fondeve IPARD).

Sipas Braçes, mazhoranca duhet të kishte sjellë në draftin për 'Territorialen' gjithë kompetencat që çojnë pushtetin te qytetari. Gjatë fjalës së tij pa mikrofon në Kuvend, Braçe u përplas edhe me drejtuesen e seancës, Evis Kushin, e cila e paralajmëroi me 'vërejtje' nëse nuk do të lironte foltoren. Por Braçe tha se 'mezi priste' që ta nxirrnin jashtë.

Braçe: E dëgjova me shumë vëmendje argumentin se e gjitha po bëhet për fondet e kohezionit social të BE-së. Por a e mendon kush atë që thotë? Dhe a e beson kush atë që thotë? Si mendoni ju që një hartë na bën pjesë automatike të fondeve të kohezionit social të BE-së? Unë mendoj se ka kritere, infrastruktura duhet të ndërtohet dhe vetëm kjo hartë nuk e garanton këtë gjë.

Kushi: Zoti Braçe po bllokoni vijimin e seancës, ju lutem lironi foltoren.

Braçe: Më nxirrni përjashta. Më nxirrni përjashta se vdes unë të më nxirrni përjashta. Vetëm kaq nuk na bën pjesë të fondeve të BE-së. Kanë qenë shumë më tepër ato që ne kemi marrë përmes projekteve, por i kemi marrë dhe i kemi keqpërdorur. Duhet të bëhemi të besueshëm edhe për ata atje.

Kushi: Edhe njëherë ju tërheq vëmendjen zoti Braçe, për të mos kaluar te masa disiplinore me vërejtje. Ju lutem lironi foltoren.

Braçe: Mezi e pres. Një shtet i tërë, një qeveri e tërë, kishte mundësi të kishte sjellë këtu të gjitha kompetencat që çojnë pushtetin real te qytetari. Dhe që i bëjnë ata të ndihen pjesë e një pushteti.

Ora 16:27
Territorialja/ Tabaku: Territori nuk është pushtet, por identitet dhe kjo reformë e ka shkelur këtë parim

 

Deputetja Jorida Tabaku duke u shprehur kundër territoriales tha se kjo reformë duhet t'i shërbejë qytetarëve. Sipas saj një bashki është me fortë jo kur ka më shumë financa, por kur qytetari dëgjohet.

"Sot po na kërkojnë të votojmë reformën territoriale. Po çfarë përfitojnë qytetrët nga kjo reformë që po i vizatohen kufij në hartë. I vetmi diskutim që kam dëgjuar sot ishte ne fitojmë Divjakën, fitojmë Poliçanin por për qytetarin kush mendon. Sot Tirana është kthyer jo në një çerdhe, por universitet korrupsioni.  Nuk është bërë një bilanc i asaj që ndodhi në 2015. Sot dështimet po i vuajnë qytetarët, ato që largohen nga Shqipëria. Territori nuk është pushtet por indentitet dhe kjo reformë i ka shkelur sot këto parime. Një komunitet që bashkohet me një komunitet tjetër humbet një kryetar bashkie. Kjo duhet të ishte një reformë që t’i mbetej qytetarëve. Një bashki është me fortë jo kur ka më shumë financa,  por kur qytetari dëgjohet”, tha Tabaku"

Ora 16:19
Luarasi në Kuvend: Harta territoriale nuk shuan zjarret dhe nuk ndez dritat e rrugëve, shpopullimi ka nisur para Reformës së vitit 2014

 

Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, është shprehur se nuk është harta territoriale ajo që shuan zjarret apo që mban ndezur dritat e rrugëve, por sipas saj, harta vendos nëse do të ketë bashki të afta për të ofruar këto shërbime.

Komentet Luarasi i bëri gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku tha se shpopullimi i Shqipërisë nuk ka nisur me hartën territoriale të vitit 2014, por sipas saj është më i hershëm.

Sipas Luarasit, Shqipëria duhet të ndërtojë bashki që ofrojnë shërbime dhe jo të jenë prezente vetëm si zyra.

Për Luarasin, ulja e numrit të njësive vendore nuk ndikon te shpopullimi dhe për këtë ajo mori shembullin e Danimarkës, që sipas saj e ka ulur numrin e komunave nga 271 në 98.

"Shpopullimi që është një nga plagët e këtij vendi, kërkon një shpjegim më serioz, sepse nuk lindi me hartën e vitit 2014. Nga censi i vitit 2001 te ai i vitit 2011, popullsia ra rreth 8%. Kjo vazhdoi edhe pas 2014-ës. Kjo na detyron që të ndërojmë bashki që të ofrojnë shërbime dhe jo vetëm zyra. Nëse do të ishte e vërtetë se hartat i nxirrnin njerëzit nga vendi, atëherë Danimarka që i uli komunat nga 271 në 98, sot do të ishte bosh, ndërsa danezët janë ende aty. Ajo që ndodhi me bashkitë pas 2014-ës është diçka e matshme. Shpenzimet vendore u rritën me 170%, të ardhurat u rritën me 250% dhe detyrimet e prapambetura ranë me rreth 75%. Nuk mendoj se është harta territoriale ajo që shuan zjarret, apo ajo që ndez dritat e rrugës. Harta vendos nëse do të ketë bashki të afta që i mbajnë këto shërbime apo jo", tha mes të tjerash Luarasi.

Ora 15:50
Territorialja/ Bozdo: Projektligjin që ju e keni ndarë mendjen ta votoni sot s'ka lidhje me interesat e popullit!

 

Për deputetin demokrat Eno Bozdo, reforma territoriale është ‘gatuar’ prej shumë kohësh nga Partia Socialiste. Sipas tij kjo reformë nuk i shërben qytetarëve, por interesat të qeverisë.

“Reformën ju e keni gatuar shumë kohë më parë në interesin tuaj. Ky proces që ju keni sjellë këtu është një akt i turpshëm. Jemi prej vitesh të fundit në rajon për rritjen e fondeve. Projektligjin që ju e keni ndarë mendjen ta votoni sot, është një projektligj që nuk ka lidhje me interesat e qytetarëve. Thirrja ime për ju sot nuk është politike: Është koha për të ndarë mendjen se kujt do t’i përkisni - partisë apo qytetarëve”, tha Bozdo.

Ora 15:48
'10 miliardë euro buxheti i 2027-ës'- Balla: Përfitojnë edhe bashkitë, Reforma Territoriale lidhet me integrimin në BE! Ju e keni mendjen te zgjedhjet e radhës, ne te puna për gjeneratën e radhës

 

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është shprehur se Reforma Territoriale lidhet drejtpërdrejt me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Komentet Balla i bëri gjatë fjalës në Kuvend, ku tha se rreth 70 % e legjislacionit të BE-së do të zbatohet në nivel vendor.

Balla tha gjithashtu se buxheti i vitit 2027 në Shqipëri do të jetë 10 miliardë euro, ku përfituese sipas tij do të jenë edhe bashkitë. Në përfundim Balla tha se opozita e ka mendjen te zgjedhjet e radhës, kurse mazhoranca sipas tij, e ka mendjen për të punuar për gjeneratën e radhës.

"Anëtarësimi në BE kërkon reforma të thella e të vështira. Janë reforma që duhen bërë me çdo kusht. Edhe kjo reformë, ka dimensionin e vet. Një pjesë e tyre lidhet me kapitullin 22. Rreth 70 % e legjislacionit të BE-së zbatohen në nivel vendor. Kryetarët dhe Këshillat vendorë që do të dalin nga zgjedhjet e vitit 2027, janë ata që kanë mundësinë për ta bërë të prekshëm anëtarësimin për qytetarët. Sipas matematikës së Lulit, kjo 100 njësi është shumë më pranë propozimit tonë sesa 373 njësi. 10 miliardë euro do të jetë buxheti i vitit 2027, ku bashkitë janë patjetër përfituese. Nëse në 2015 zinte një peshë prej 2.4%, sot është 3.5 %. Ja pra që qeveria qëndrore i ka dhënë më shumë mbështetje pushtetit vendor nga sa i jepni ju. Ju e keni hallin te zgjedhjet e radhës, por dallimi mes nesh dhe jush është ajo që thoshte Çërçill 'ne punojmë për gjeneratën e radhës'. Ju ndoshta keni shpresë të punoni për zgjedhjet e radhës. Ato të humbura i keni po hytë, sepse si e keni nisur ju mund të mos hyni fare", tha Balla.

Ora 15:37
'Territorialja'/ Boçi në Kuvend: Jemi përballë një pushtimi që synon shpopullimin e Shqipërisë, mazhoranca ka marrë për bazë për Reformën mendimin e turistëve

 

Bashkëkryetari demokrat i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, është shprehur se sot Shqipëria ndodhet përballë një rreziku pushtues, që ka si synim shpopullimin e vendit.

Gjatë fjalës në parlament ku kundërshtoi propozimin e PS për hartën e re territoriale, Boçi tha se sot në Shqipëri ka territore 'pa zë'.

Boçi e vuri theksin te mungesa e shërbimeve në disa prej bashkive të vendit, teksa tha se mazhoranca e përdor 'Territorialen' për qëllime politike dhe se për ndarjen e re ka marrë mendimin e turistëve.

"Jemi përballë një rreziku pushtues ndaj territorit dhe lirië së qytetarëve.  Jemi përballë një pushtimi tjetër pas 582 vitesh. Dhe ai ka të njëjtin qëllim, shpopullimin e vendit. Sot kemi territore pa zë. Nëse humasim toponimet, kemi humbur historinë dhe nëse humasim historinë, kemi humbur Shqipërinë. Kjo është arsyeja pse një brez punon jo vetëm për të sotmen, por edhe për të ardhmen. U fol këtu për sukses të reformës në 2014-ën. Kur Tirana ka performancë, pse i merrni Krujës ju Rinasin? Çfarë logjike përdorni në gjithë këto bashkime? Po të ikësh në Zallher apo në periferi të Tiranës, të duket vetja si në mesjetë nga mungesa e shërbimeve. Çfarë logjike ekonomike keni përdorur për këto bashkime? Ju keni marrë për bazë mendimin e turistëve. Ju keni pyetur turistët dhe keni në bazë të ndarjes territoriale vendimet tuaja politike. Dua t'i bëj një pytje ndërgjegjes së deputetëve që do votojnë për Reformën, a do mundet ai t'i dalë përballë atij qytetari që i ka dhënë besimin?", tha mes të tjerash Boçi.

Ora 15:22
Territorialja/ Klosi përplaset me Berishën: S'jemi këtu për t'i treguar muskujt njëri-tjetrit, ne do ta votojmë reformën doni ju apo jo

 

Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi ka replikuar me kreun e PD, Sali Berishën, i cili lexoi një mesazh që sipas tij i kishte dërguar një qytetar nga Poliçani, ndërsa shprehet qëndrimin e tij kundër shkrirjes së bashkisë.

“Edhe mesazhi që sapo lexove e ka shkruar prapë qytetari digjital, sepse s’ka asnjë qytetar në Poliçan që të shkruan ty “I nderuari z.doktor”, tha Klosi.

Duke u ndalur te reforma territoriale, Klosi tha se socialistët sot do të  votojnë për një Shqipëri më të mirë.

“Duhet të kishim një proces në të mirë të qytetarëve. Nuk jemi këtu për të treguar muskujt njëri-tjetrit. Jemi këtu ta bëjmë një Shqipëri më të mirë. Nuk e humbasin shkëlqimin qytetet, por do të shkëlqejnë më shumë  kur të bashkohen me bashkitë e mëdha. Doni s'doni ju ne do ta votojmë reformën sot” tha Klosi.

Ndërkohë Berisha iu përgjigj se PS është organizatë kriminale.

"Dola këtu për të mbrojtur interesat jetike të komuniteteve. Me këtë pseudoreformë ju zhdukni çdo gjë. Ju jeni shndërrruar në  një organizatë kriminale", tha Berisha

Ora 15:21
Territorialja/ Berisha: Klosi po shkrihet për interesat mafioze të Malajt! Ish-gardisti i 21 janarit i përgjigjet: Ish-komunat i kishe kthyer në banda, shkaktar i ’97-ës

 

 

Drafti i PS që parashikon shkrirjen e bashkisë së Klosit solli përplasje mes Sali Berishës dhe deputetit socialit, Agron Malaj, ish-gardist i 21 janarit. Sali Berisha akuzoi Malajn se qëndron pas shkrirjes së Bashkisë Klos për interesa mafioze, të cilat, sipas tij i ndan me kryeministrin Edi Rama.

Në përgjigje, Malaj akuzoi Berishën se ish-komunat i kishte kthyer në banda dhe në shërbim të familjes së tij. Ai i kujtoi Berishën 1997 e grabitjen e pronave të shqiptarëve.

Sali Berisha: Shuani Klosin, një bashki me emër dhe potencial shumë të madh. Potencial të madh mineral, rezerva minerare botërore, potenciale të mëdha ujore, potenciale të mëdha të gjithanshme. S'ekziston. Sepse ai, ku është ky Malaj, ku është ky? Sepse ai ka interesat mafioze të tij, bashkë me Edi Ramën, të pandara. Po po, po po.

Agron Malaj: Doktorit i ka mbetur mendja te ish-komunat, se i kishte ish-kryetarët e komunave me vula nëpër çorape dhe e vetmja detyrë që dinin të bënin ishte të kërcënonin banorët me ndihmën ekonomike. I ka ngelur mendja te komunat që i kishte si banda, që në 372 komuna dhe bashki apo qytete të asaj kohe, i kishte kthyer në shërbëtorë të familjes së tij.

Ku ka mafioz më të madh se ti në Shqipëri, që dogje fabrika e uzina, na solle '97-ën, na vodhe lekët? Nuk le gjë pa i bërë popullit shqiptar dhe na thua mafiozllëku. Koha e atyre ish-komunave që s'kishin fuqi të paguanin pagat, që t'u shërbenin banorëve në infrastrukturë, në rrugë, në ujitje, ka përfunduar.

Doktor, ka përfunduar edhe metoda jote. Ti ke një metodë: shpif, shpif, se diçka mbetet. Këtë e ke bërë me vite, vazhdon ta bësh dhe je mjeshtri më i madh për ta bërë këtë gjë. Je njeriu që do të gjykohesh, je gjykuar nga historia për atë që u ke bërë shqiptarëve dhe atë që vazhdon t'u bësh. Ku ka hajdutë më të mëdhenj se ju? Ju keni grabitur prona, s'keni lënë gjë pa u grabitur shqiptarëve.

Ora 15:07
Territorialja/ Berisha: Nuk dëgjoni zërin e qytetarëve! Aty ku u shkrinë bashkitë, investimet ranë në zero

 

Kreu i PD-së Sali Berisha akuzoi mazhorancën se po shpërfill zërin e qytetarëve me reformën e re territoriale. Nga foltorja e Kuvendit, ai pretendoi se në zonat ku u shkrinë komunat dhe bashkitë gjatë reformës së mëparshme, investimet ranë në zero, ndërsa e cilësoi nismën e socialistëve si një akt armiqësor ndaj qytetarëve.

“Po shuani bashkitë me një votë, po i hiqni shqiptarëve shërbimet dhe investimet! Kjo është hakmarrje politike ndaj qytetarëve. Midis njeriut të qytetëruar dhe njeriut që ka humbur vetëdijen njerëzore, njeriut që para virtytit, përgjegjësisë, zgjedh vesin dhe verbërinë, njeriut që bëhet vektor i së keqes, ju keni zgjedhur këtë të dytën.  Vini këtu në parlament dhe në një akt armiqësor të hapur, të hapur, pohoni se nuk keni detyrim të dëgjoni zërin e qytetarëve për fatin e tyre.  Pohoni se duke u larguar shërbimet dhe qeverisjen, i lumturoni ata. Pohoni se po kryeni një vepër madhore në interes të shqiptarëve. 

Çfarë tregoni ju?  Ju tregoni së pari se jeni në verbëri të plotë, ju nuk njihni realitetin. Po në qoftë se ju prekni sadopak nga realiteti i këtij vendi, konstatoni se në të gjitha zonat ku hiqen komunat dhe bashkitë, investimet zbritën në zero.  Ju harroni, s'ju intereson sigurisht, se komunat dhe bashkitë apo njësitë e qeverisjes vendore janë njësi zhvillimi, investimi jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Ju i hoqët ato dhe po të dilni jashtë unazës së Tiranës, investimet janë afërsisht zero. Shkoni në Shëngjergj, shihni, asnjë qindarkë. Dhe mbrapa Shëngjergjit është një nga masivet më të fuqishme, më të bukura malore të vendit, që janë masivi i Bizës, Martaneshit, i maleve të Labinotit, të Elbasanit e të tjerë. 

Asnjë qindarkë!  Shkoni në Krrabë, asnjë qindarkë!  Shkoni kudo që hiqen bashkitë dhe komunat, investimet ranë në zero.  T'i heqim edhe këto, jashtë çdo lloj kriteri, jashtë çdo lloj standarti. Po Libohova ka qenë në shekuj një qendër që ka bërë dritë, një qendër që ka mahnitur edhe Lord Bajronin me artin e saj kuzhinor. Ka mahnitur me organizimin e saj... po po, ashtu për ty është kjo.  Ju i bini kryq Libohovës, Memaliajt, që ka qenë një nga kontribuesit kryesorë në mirëqenien e shqiptarëve, qytet minator, e shuani. Pasi e rrafshuat, Këlcyrën me potenciale të jashtëzakonshme të turizmit malor e bëni të paqenë. Dimali, një bashki e njerëzve punëtorë, po të shkoni aty në zonat e kësaj bashkie ju do gjeni sera, aq sa do u duken në perëndimin e diellit sikur je në një det. Çfarë jeni ju, mor? Pse jeni kaq të ligj, që u bini vizë me një votë të turpshme këtu.

Poliçani, një komunitet i organizuar, një komunitet që në kushtet më të vështira e rindërtoi jetën e vet. Dhe që padiskutim ka një potencial shumë të madh turistik, ka një potencial të gjithanshëm dhe ju e asgjësoni.  Asgjësoni Rrogozhinën, një nga bashkitë me potencial turistik më të madh, ju them unë juve, Spilleja është një xhevahir i bregut shqiptar, në çdo aspekt. Rrogozhina fillon këtu në Tiranë, te kodrat e Tiranës dhe përfundon në kufi me Divjakën. Vizë!  Çfarë jeni ju, kaq cinikë mor? Ju nuk keni asnjë lloj interesi!

Shuani Klosin, një bashki me emër dhe potencial shumë të madh. Potencial të madh mineral, rezerva minerare botërore, potenciale të mëdha ujore, potenciale të mëdha të gjithanshme. S'ekziston. Sepse ai, ku është ky Malaj, ku është ky? Sepse ai ka interesat mafioze të tij, bashkë me Edi Ramën, të pandara. Po po, po po. I bini Fushë-Arrëzit. A e dini ju që nga Aprripa në Pukë është një distancë sa nga Tirana në Vlorë, pothuaj. 

Distanca në kilometra nuk është kaq, po po të kesh parasysh rrjetin rrugor është absolutisht kaq. Si e bëni ju këtë? Aq më tepër kur këtu ka disa tendenca, Edi Rama u përpoq t'i përçajë komunitetin në Pukë, po pukjanët janë të mençur, janë punëtorë. Bëri gjithçka t'i kundërvejë myslimanët kundër katolikëve. Po po! Për të shtuar, mos mbaj atë zhvilloje këtu. Për të shtuar me turp siç është, se as myslimanët, as katolikët e mbështetësit të Fushë-Arrëzit nuk e votuan. 

Kjo është hakmarrja, që ta dini domethënë. Ja pse hakmerret me Fushë-Arrëzin, i cili ka qenë epiqendër në të gjitha kohërat. 

Po po, ka qenë epiqendër e rrethit, qendër në grup. Pra ju, i merrni të paqena këto dhe keni vënë një të papërgjegjshëm. Ku iku ai mor? Ku iku ai mafioz, i lidhur me Milorancin. Se unë s'ja përmenda parë. A e dini ç'është Andrea Miloranci? Andrea Miloranci është mafiozi i lidhur me Ndranghetën që bashkëkryesonte Eco Tiranën me këtë reformatorin tuaj, mafiozin tuaj. Ka vetëm një kërkesë, Edi Rama të japë dorëheqjen këtu. 

Të japë dorëheqjen, sepse faktohet si një armik i vërtetë i shqiptarëve. Të japë dorëheqjen, se i nxin fytyrën kombit”, tha Berisha.

Ora 14:47
‘Territorialja’, Bardhi: Morëm 0 përgjigje për pyetjet tona, cilat janë parimet e standardet? Kriteri juaj, pazaret politike (VIDEO)

53 pyetjet e opozitës për reformën territoriale të socialistëve nuk morën asnjë përgjigje, tha Gazment Bardhi pas prezantimit të Arbjan Maznikut. Kreu i grupit të PD përsëriti pyetjen se cilat janë kriteret dhe parametrat e ndjekur që disa bashki ruhen e të tjera shkrihen. Ajo që theksoi është se qytetarët dhe vendimet e këshillave bashkiakë nuk janë dëgjuar dhe mazhoranca i ka qëndruar besnike interesave të saj politike.

“Deputetët e opozitës u paraqitën nismëtarëve 53 pyetje, nga të cilat morëm 0 përgjigje. Kjo tregon shumë për cilësinë e projektit që është sjellë sot në seancë plenare. Mazniku duhet të na i shpjegojë këtu me parametra e tabelë se i ka shumë qejf, si janë parametrat e Divjakës dhe Vaut të Dejës. A ndjek kjo reformë parim e standarde? Të vijë e të na i shpjegojë.

Procesi i dëgjimit duhet të përfshijë si kusht minimal qytetarët e zonave që preken nga reforma dhe një proces diskutimi ku jo vetëm të paraqitet varianti përfundimtar që do të miratohet, por të jetë i hapur për ndryshime sipas sugjerimit të komuniteteve. Sugjerim i certifikuar me vendim të këshillit bashkiak të 15 bashkive, është që nuk duan të bashkohen. Keni detyrim kushtetues të dëgjoni mendimin e tyre. Kriteri juaj janë pazaret politike”, tha Bardhi.

Ora 14:42
'Pse jo 100 bashki?’ Manja: Lojë kungulleshkash! Edhe 46 janë shumë, opozita të shpëtojë atë që s’bëri me komisionin e posaçëm (VIDEO)

 

Sipas Ulsi Manjës, edhe numri i 46 bashkive që parashikon reforma territoriale e socialistëve, është i lartë. Demokratëve, që kanë propozuar 100 bashki, kryetari i Komisionit të Ligjeve tha se duhet të mbështesin fazën e dytë.

“Dikush tha pse 46 bashki e jo 100? Lojë kungulleshkash. Personalisht mendoj se 46 bashki janë shumë, por ky është mendimi im personal. Ne duhet të kemi një numër më të vogël bashkish duke ruajtur standardin e bashkive minoritare që na bën krenarë si shtet. Faza e dytë e reformës është t’ju ftoj të bashkoheni edhe ju këtë radhë, të shpëtoni atë që nuk e bëtë dot me komisionin e posaçëm që e latë në rrugë, latë qytetarët në fakt në rrugë”, tha Manja.

Ora 14:33
‘Territorialja’, Manja: Reforma është kushtetuese, detyrim konsultimi dhe jo pëlqimi (VIDEO)

 

Duke shprehur mbështetje të plotë për prezantimin nga Arbjan Mazniku të reformës territoriale, kryetari i Komisionit të Ligjeve tha se është plotësisht në përputhje me Kushtetutën.

“Kam shumë pak gjëra për të shtuar pas atij prezantimi të shkëlqyer të pr.ligjit nga Mazniku. Asnjë pikë e presje s’i heq atij prezantimi shterues. Duke qenë se jemi në fazën e prezantimit, dua të përqendrohem në procesin kushtetues dhe procesin procedurial lidhur me këtë pr.ligj që impakton jetën e qytetarëve. Gjatë gjithë fazës së diskutimit ka pasur pretendime nga opozita se nisma nuk respekton Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit. Dua t’u bëj me dije kolegëve që do të votojnë në mbështetje: nisma e depozituar nga një grup deputetësh të PS është finalizim i punës së nisur me komisionin e posaçëm të reformës territoriale për një angazhim tonin. Pr.ligji i depozituar më 30 korrik është bërë në përputhje me rregulloren e Kuvendit. Nisma vjen në përputhje me nenin 81 të Kushtetutës që i jep të drejtë çdo deputeti të kësaj salle të propozojë nisma ligjore. Në mbështetje të këtij argumenti kushtetues ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me reformën administrativo-territoriale të vitit 2014. Çfarë ka thënë GJK?

1. Kuvendi ka kompetencën për të vendosur ndryshimin e kufijve administrativo-territorialë.

2. Marrja e mendimit të popullatës është detyrim, por jo pëlqimi.

3. Mendimi i një komuniteti s’është detyrues.

4. Konsultimi duhet të jetë real dhe i dokumentuar. Duhet të ekzistojë mundësia efektive që deputetët të shprehin mendimin e tyre.

Qytetarë, ju siguroj se pasi të marrë votën në parlament kjo hartë, Klosi mbetet aty ku është, me historinë, kulturën dhe qytetin e vet. Bashkimi do t’i japë mundësinë ta zhvillojë më tej”, tha Manja.

Ora 14:23
Territorialja/ Mazniku: Asnjë shërbim nuk largohet, ruhet identiteti! Qytetet përfaqësohen në bazë të popullsisë në këshillat bashkiakë (VIDEO)

 

Arbjan Mazniku iu përgjigj nga foltorja e Kuvendit tri shqetësimeve kryesore të qytetarëve për reformën territoriale: largimit të shërbimeve, humbjes së identitetit të qyteteve dhe përfaqësimit në këshillat bashkiakë. Ai garantoi se bashkimi i bashkive nuk do të largojë asnjë shërbim dhe se projektligji për Reformën Territoriale parashikon se do të ketë një përfaqësim proporcional në parlamentet vendore për 77 qytetet që marrin këtë status.

Tre argumentet e Maznikut

1. Shërbimet nuk do të largohen. I kemi pyetur të gjithë kryetarët e bashkive që kanë qenë pro dhe kundër. U kemi thënë: Na jepni emrin e një shërbimi që prej këtij bashkimi largohet. Asnjë kryetar bashkie nuk ka thënë emrin e një shërbimi që largohet. Sot mund të propozojmë një sistem që i fuqizon bashkitë, por nuk largon asnjë shërbim. Kushdo që ju thotë diçka tjetër, ju gënjen.”

2. Identiteti i qyteteve do të ruhet: Ne ishim të qartë për nevojën për rritje të efikasitetit. Njerëzit na thanë: Duam të ndihemi të përfaqësuar. Ndaj propozimi i qytetarëve është mekanizmi që garanton përfaqësimin proporcional në këshilla, ruajtjen e identitetit të qytetit, emrin e qytetit, historinë e qytetit. Identiteti i qytetarëve nuk preket nga ky element.

3. Përfaqësimi në këshillat bashkiakë sipas popullsisë. Këshillat bashkiakë ruajnë proporcionalitetin e përfaqësimit sipas numrit të popullsisë. Kjo nuk shtrihet vetëm në bashkitë që bashkohen. Nuk kemi 46 bashki, por kemi 46 bashki dhe 77 qytete. Përfaqësimi në këshillat bashkiakë do të jetë i strukturuar sipas numrit të popullsisë së 77 qyteteve përbërëse, ku ruhet logjika, historia dhe mundësia që të kemi demokraci të mirëfilltë vendore, ku zëri i njerëzve dëgjohet sa herë investohet në një rrugë, një kanal.

Mazniku: Kjo reformë, mund ta themi qartësisht, patjetër që ka debate. Asnjë reformë nuk kalon pa debate. Por PS ka një barrë që e ka marrë në zgjedhjet e fundit: ta çojë Shqipërinë në BE. Ka shumë reforma që duhet të ndodhin. Një ndër to është reforma në territor. Faza e parë që nis sot dhe faza e dytë që nis të mërkurën janë mekanizma që Europa të mos jetë një negociatë mes qeverisë dhe Brukselit, por të ndihet në çdo qytet, në çdo bashki të vendit.

Ora 14:20
Territorialja/ Mazniku i përgjigjet PD: PS s'ka interesa elektorale, kemi fituar 55 nga 61 bashki! Propozimi juaj për 100 bashki dobëson pushtetin vendor (VIDEO)

 

Arbjan Mazniku hodhi poshtë akuzat e opozitës se reforma territoriale bëhet për interesa elektorale të PS-së. Ai deklaroi se socialistët kanë fituar 55 nga 61 bashki dhe se do t'i fitonin sërish edhe pa reformë.

Mazniku kritikoi propozimin e PD-së për 100 bashki, duke argumentuar se një ndarje e tillë do të dobësonte pushtetin vendor dhe do të cenonte cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

Arbjan Mazniku: PS nuk ka interesa elektorale në këtë çështje. PS ka fituar 55 bashki nga 61 dhe i fiton sërish, me ose pa reformë. PS ka vetëm një interes: si u shërbehet qytetarëve, si përmirësohen rrugët, uji, si pastrohet më mirë qyteti, si i bëjmë bashkitë më të forta që të shkojnë në BE, që të marrin më shumë financime.

Interesi i vetëm real elektoral është ai që sollët ju: duam 100 bashki. Të thuash këtu, si lojë kungulleshkash, t'i bëjmë 100 se është numër i bukur, i rrumbullakët. Pse i duam 100 bashki? Që të marrim më shumë në zgjedhje.

Projekti me 100 bashki dobëson bashkitë, vetëqeverisjen dhe fuqinë e qytetarëve për të marrë vendime.

Juve dhe atyre që janë jashtë, ju them se do të jemi këtu pas 4 apo 8 vitesh. Territori shqiptar do të ketë më shumë investime, çerdhe, kopshte, zjarrfikëse. Bashkitë më të forta do të sjellin cilësi më të mirë jete për njerëzit.

E vetmja rrugë qw kemi për të ecur para është duke bërë bashki më të forta. E vetmja gjë që kemi mësuar nga historia është një. Bashkimi bën fuqinë. Kur bëhemi bashkë i shërbejmë më mirë qytetareve.

Ora 14:11
Manziku shpjegon si u vendos për shkrirjen e 15 bashkive, i përgjigjet opozitës: Drafti i konsultuar, 121 dëgjesa publike, iu dërgua 61 këshillave bashkiakë (VIDEO)

 

Arbjan Mazniku iu përgjigj akuzave të opozitës se reforma territoriale është hartuar pa konsultim me qytetarët. Ai tha se bashkimi i bashkive është mbështetur në lidhjet historike, kulturore dhe sociale mes komuniteteve. Sipas Maznikut, janë zhvilluar 121 dëgjesa publike, ndërsa projektligji u është dërguar për mendim të 61 këshillave bashkiakë.

Arbjan Mazniku: Janë njerëz që kanë histori bashkëpunimi, lidhje kulturore dhe sociale. Sa i përket konsultimit, komisioni bëri 11 dëgjesa në territor, 23 mbledhje ku u dëgjuan kryetarët e bashkive. Të gjitha ato opinione janë material parlamentar, janë produkt që është dokument parlamentar dhe ka një vlerë sot dhe në të ardhmen për të analizuar se si mund të ecet përpara.

Ai material është përdorur në mënyrë sistematike nga propozuesit. Ligji 139, neni 90, pika 3, thotë se pala propozuese e ndryshimit territorial, kur ka një propozim specifik, i kërkon mendim kryetarëve dhe këshilltarëve dhe s'ka mënyrë tjetër. E vetmja mënyrë ishte duke depozituar një ligj bashkë me relacionin, arsyetimin. Iu çua 61 këshillave bashkiakë, iu dha koha të jepnin mendimin dhe të bënin dëgjesat. Janë organizuar 121 dëgjesa. Të gjitha këto të dhëna janë mbledhur, administruar dhe i janë dhënë Komisionit të Ligjeve. Kemi interesa të përbashkëta, histori sociale e kulturore të përbashkët dhe kemi plotësuar elementin e dëgjesës.

Ora 14:02
Territorialja/ Mazniku ftesë opozitës: Të nisim së bashku punën për kompetencat dhe financat e bashkive! (VIDEO)

 

Arbjan Mazniku i bëri thirrje opozitës që të përfshihet në diskutimet për kompetencat dhe financimin e bashkive, pas ndarjes së re territoriale. Nga foltorja e Kuvendit, Mazniku tha se mungesa e opozitës në mbledhjet e komisionit bëri që të humbiste 41% e kohës së mandatit të tij.

Arbjan Mazniku: Nuk erdhën të bënim mbledhjen e parë për 112 ditë. U dogj 41% e kohës dhe mandatit që komisioni kishte. Në vijimësi ia dolëm me sukses të shkonim në 23 qarqe, të thërrisnim të gjithë kryetarët e bashkive. Patëm grup ekspertësh të përbashkët që duhej të sillnin elementet teknike. Më 15 korrik nuk u ra dakord që të prezantoheshin gjetjet. Në këtë moment u gjendëm në një situatë ku rrugët ndaheshin: ose reforma ngec­te, ose puna, dëgjesat dhe, më e rëndësishmja, hallet që njerëzit kanë çdo ditë. Të fillojmë punën së bashku për kompetencat, financat dhe analizimin.

Ora 13:59
Territorialja/ Mazniku: Bashkimi i bashkive sjell më shumë shërbime për qytetarët! Reforma e 2014-s ishte sukses, por duhet të ecim përpara (VIDEO)

 

Ish-bashkëkryetari i PS për territorialen, Arbjan Mazniku mbrojti në Kuvend hartën e re që shkrin 15 bashki, duke argumentuar se bashkimi i bashkive do të përmirësojë shërbimet për qytetarët. Sipas tij, reforma e vitit 2014 ishte e suksesshme, pasi forcoi bashkitë, rriti të ardhurat dhe uli borxhet, por këto rezultate nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e qytetarëve.

Arbjan Mazniku: Kur bashkohemi, bëhemi më të fortë. U thatë njerëzve që bashkitë tuaja do të zhduken, do të shkrihen. Njerëzit nuk jetojnë në hartë, jetojnë në shtëpinë e tyre, ku duan që t'u shkojë rruga, uji. Njerëzit jetojnë në lagjen e tyre, që duan t'u pastrohet dhe t'u ndriçohet. Njerëzit jetojnë në fshatin e tyre, ku duan kanale kulluese e rrugë për arat. Jetojnë në qytete, ku duan që të ketë çerdhe, kopshte dhe transport publik.

A ishte reforma e vitit 2014 një sukses? Në të gjitha dëgjesat, nga të gjitha diskutimet, po, reforma e vitit 2014 ishte sukses. Asnjë person i PD-së, asnjë person nuk tha: duam mbrapsht komunat. Ajo situatë, as propozimi i 100 bashkive, nuk tregon që ajo që kishim ishte mirë. Ajo që erdhi tregoi qartë se bashkitë u forcuan, të ardhurat u rritën, borxhet u ulën, fuqia investuese e bashkive u rrit.

Por kjo është e pamjaftueshme për aspiratën që PS ka për mënyrën se si u shërbehet qytetarëve në territor. Kjo është përgjigjja për arsyen përse ne na duhet të ecim përpara.

Ora 13:25
Territorialja/ Bardhi: Po shkelni ligjin, nuk keni marrë mendimin e qytetarëve! Pse shkrihet Divjaka dhe jo Vau i Dejës? E kërkoi Tom Doshi? (VIDEO)

 

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se po shkel ligjin me reformën territoriale, pasi sipas tij nuk është marrë mendimi i banorëve të bashkive që preken nga ndarja e re. Bardhi kundërshtoi shkrirjen e Bashkisë së Divjakës, ndërsa ngriti pikëpyetje për mbajtjen e Bashkisë së Vaut të Dejës duke pretenduar se kjo lidhet me interesat politike të Tom Doshit.

"Ligji të detyron që në relacion të përfshish mendimin e popullatës. Në relacion ke thënë që nuk e ke marrë mendimin e popullatës. Si futet në procedurë një iniciativë që shkel ligjin? Nuk ka mendime të qytetarëve që preken nga reforma. Si të futem të votoj kur më mungon një element që ligji e ka të detyrueshëm?

Me çfarë logjike shkrihet Bashkia e Divjakës dhe mbahet në këmbë, që për ne duhet të qëndrojë në këmbë, Vau i Dejës? Ta kërkoi Tom Doshi, se e ka bashki personale? Ka rënë numri i banorëve, prandaj po i shkrijnë bashkitë. Këtë shpopullim a nuk e solli reforma juaj e vitit 2015? Tani të shpopullojmë edhe 15 bashkitë që shkrijmë", tha Bardhi. 

Ora 13:21
Tensione në Kuvend/ Bardhi i ndërsehet Peleshit: Kush e futi Gardën brenda që të më pengojë të dal në foltore? (VIDEO)

 

Tensione në Kuvend gjatë seancës plenare ku po diskutohet reforma territoriale. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, u përplas me kryeparlamentarin Niko Peleshi.

Gazment Bardhi: Si mund të më pengojë mua Garda të dal në foltore, të lëviz? Kush e futi Gardën brenda, apo të them? Kush i fut këta brenda që të më pengojnë mua? Kush ua jep të drejtën?

Niko Peleshi: Ligji.

Bardhi: Jo nuk ia jep ligji që të pengojë deputetin të flasë.

Niko Peleshi: Parlamenti nuk është arenë gladiatorësh.

Ora 12:37
Territorialja/ Bozdo: Rama do t'i fshijë 15 bashki, pastaj na fton të diskutojmë për kompetencat! Harta nuk ndahet si byreku në tavolinë (VIDEO)

 

Deputeti i PD-së, Enno Bozdo kundërshtoi në Kuvend draftin e socialistëve për reformën territoriale, duke akuzuar mazhorancën se po vendos për shkrirjen e 15 bashkive pa diskutuar më parë për financat, decentralizimin dhe autonominë vendore.

"15 bashki që shkrihen janë marrë me shqelma, por duhet të ikin. Sapo na u bë ftesa nga grupi i PS-së t'i bashkohemi reformës territoriale. A mund të më thoni si mundet të grabitet harta pa folur më parë për financat, decentralizimin, pa folur për autonominë vendore?

A mundet të ndahet harta siç ndahet byreku në tavolinë, pa folur për gjëra kaq të rëndësishme? Dhe kur për financat, për decentralizimin, për autonominë vendore, që është rrënuar nga Rama, nuk flitet fare.

Do t'i fshijë bashkitë nga harta dhe pastaj do të na ftojë ne pas një jave të diskutojmë se si mund të bëhet më mirë harta territoriale", tha ai.

Ora 12:36
Përplasje Berisha-Klosi për Territorialen! Socialisti: Do t'i fitojmë të gjitha bashkitë! Kreu i PD: Je skllav i vesit, t’i blen votat bixhozi (VIDEO)

 

Debate në Kuvend mes kreut të PD-së, Sali Berisha dhe deputetit socialist Blendi Klosi gjatë diskutimeve për reformën territoriale. “Çfarëdo që të bëni, nuk do të shpëtoni, jeni të marrë fund”, iu tha Berisha socialistwve por pwrgjigjen e mori nga Blendi Klosi i tha se tw gjitha bashkitw do t’i fitojnw.

Sali Berisha: Në Parlament, një dhunë dhe terror i paparë ka shpërthyer ndaj qytetarëve që sot protestojnë në mbrojtje të Kushtetutës së vendit. Një dhunë e paparë ka shpërthyer ndaj të rinjve, burrave dhe grave të mbledhur nga e gjithë Shqipëria. Kërkoj stop dhunës ndaj protestuesve, kërkoj që të pranohen dhe të dëgjohen në Parlament. Janë përfaqësues nga të gjitha partitë.

E kuptoni se çfarë ndodh? Ka 54 udhëtime të regjistruara me Begon e tij. A mund të kishte një vend në botë që mbante në Parlament shoqëruesin e një supertrafikanti, që i mori mbiemrin trafikantit? Ajo çoi burrin në SPAK sot… Olta. Jeni marrë, çdo ministër me kontrabandë, edhe vetë Olta. Oltat, Lubitë mund të kenë interesa të tjera përveç interesave kriminale të klanit? Është absurde…

Ju garantoj që fatin e Edi Ramës do të kesh, të ka marrë si letër të fundit… Këtij Demos ia kam fjalën dhe mendon se dhuna do t'i ndalë. Çfarëdo që të bëni, nuk do të shpëtoni, jeni të marrë fund.

Blendi Klosi: Jemi më të fortë se kurrë. Jemi të gatshëm t'ju sfidojmë që, nga të gjitha bashkitë që do të dalin sot, ju të merrni më pak se gishtat e dorës bashki, të cilat mund t'i merrni vetëm nëse ne bëjmë ndonjë gabim. Nëse nuk bëjmë gabime, të gjitha bashkitë që dalin sot nga votimi, ne do t'i fitojmë. Prapë me hile, frikacakë! Nuk merrni dot një vendim në profilin tuaj politik. Nuk doni të flisni kur të hapet diskutimi dhe flisni tani që është për procedurë, për të thënë që ne do të ikim se do të shkojmë te protesta. Ne jemi këtu për t'u përballur me argumente. Ne mendojmë se bashkimi i bën bashkitë më të forta.

Sali Berisha: Një njeri që ia ka blerë bixhozi votën, nuk meriton përgjigje. Ai është skllav i vesit. Shumëzojeni me zero diskutimin që bëri.

Ora 12:25
'Të mbyllën gojën', Spiropali i përgjigjet Bardhit dhe thumbon Ballukun: S’më shantazhojnë dot as ata që të kërcënuan ty në Fier dhe që do shkojnë aty ku e kanë vendin

Përplasje në Kuvend mes Gazment Bardhit dhe Elisa Spiropalit gjatë debateve për reformën territoriale. Bardhi i kërkoi Spiropalit të shpjegojë përse nuk dëgjon qytetarët, siç kishte propozuar në platformën e saj me 10 pika. Deputetja socialiste iu përgjigj se i qëndron çdo qëndrimi të shprehur në platformë dhe akuzave se u shantazhuan nga Rama që votojnë pro, iu përgjigj se ajo nuk kërcënohet.

"Nuk më shantazhojnë dot as ata që të shantazhuan ty, të gjithë deputetë e ça kishe drejtues të Partisë Demokratike të lavdishme në Fier", iu përgjigj Spiropali duke thumbuar kështu kolegen e saj, Belinda Balluku, e cila në zgjedhjet e kaluara ishte në krye të qarkut të Fierit, si drejtuese politike e PS për këtë qark.

Gazment Bardhi: Shoh këtu një kolege (Elisa Spiropalin), e cila solli një platformë me 10 pika, ku thoshte se duhet të dëgjojmë qytetarët. Pse nuk i dëgjon sot qytetarët?

Elisa Spiropali: Të jesh i sigurt se nuk ka njeri këtu që mund të më shantazhojë mua. Dëgjo, se nuk je ti zëri i qytetarëve, se pretendon se je zëri i qytetarëve. Madje nuk më shantazhojnë dot as ata që të shantazhuan ty, të gjithë deputetë e ça kishe drejtues të Partisë Demokratike të lavdishme në Fier. As ata nuk më shantazhojnë dot se do të shkojnë aty ku kanë vendin dhe e them prapë.

Por po të them edhe diçka tjetër, që nuk mund të përdoret këtu çdo mikrofon, çdo platformë, çdo diskutim për të folur gjithmonë për të njëjtën çështje. Unë u qëndroj një më një gjërave që kam thënë në platformë dhe pa platformë. E kam prezantuar edhe në Asamblenë e Partisë Socialiste, ashtu siç ju nuk guxoni të thoni qoftë edhe një fjalë as në Kryesinë e Partisë suaj, as në mbledhje.

Ju s’keni parti, ju keni vetëm një njeri në krye. I kam dalë kundër kulturës së personalizimit dhe të kontrollit të pushtetit, nga pushteti lokal deri në pushtetin qendror. Atë që ju e keni jo vetëm moto por e keni frymë. Ju jeni mishërimi i personalizimit ekstrem të pushtetit, deri në katandisje

Dhe unë i kam dalë kundër kësaj kulture sepse besoj se kemi mundësinë për ndryshim. Dhe mos i lidh çështjet që janë të palidhura, se të jesh i sigurt që të gjitha do të zgjidhen shumë shpejt.

Ora 11:41
Territorialja/ Ina Zhupa sfidon Vullnet Sinajn: A ke vullnet të tregohesh burrë nga Vlora dhe të mos lejosh shkrirjen e Selenicës? (VIDEO)

 

Deputetja demokrate Ina Zhupa i kërkoi Vullnet Sinajt që të votojë kundër draftit të PS për reformën territoriale dhe ti qëndrojë deklaratave të tij kundër shkrirjes së bashkisë së Selenicës.

“A ka Vullnet Sinaj t'i qëndrojë asaj që ka thënë më 3 gusht, që Selenica nuk duhet të shkrihet? A ke vullnet të tregohesh burrë nga Vlora dhe t'i qëndrosh fjalës që u ke dhënë qytetarëve? Po injoroni 15 këshilla bashkiakë që kanë votuar kundër. Po përplaseni me qytetarët jashtë kësaj salle, të cilët ju kërkojnë t'i dëgjoni. Ju keni marrë urdhër të qëndroni si ushtarë për të votuar Ramaformën. Tërhiquni, nuk e hoqët nga rendi i ditës po keni mundëis të votoni kundër”, tha Zhupa.

Ora 11:27
Rrëzohet kërkesa e PD për heqjen e Territoriales nga rendi i ditës! Blushi: Me çfarë i kërcënoi Rama deputetët? Turpi do t'i mbulojë ata që votojnë pro (VIDEO)

 

Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e PD-së për heqjen nga rendi i ditës të projektligjit për reformën territoriale. Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka kërcënuar deputetët socialistë për të votuar pro draftit draftit që parashikon shkrirjen e 15 bashkive.

"Me çfarë i kërcënoi sot Rama brenda sallës së Kuvendit? Për turpin e tyre, do të damkosen si tradhtarë dhe turpi ka për t'i mbuluar jo vetëm ata, por këdo prej jush që do të ngrejë një karton pro shpopullimit të vendit", tha Blushi. 

Ora 11:21
Reforma territoriale, Bardhi-Ballës: Sollët një njeri që njeh kodin mafioz, u kujtoi deputetëve se kanë shumë për të humbur dhe ndryshuan qëndrim (VIDEO)

 

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi iu përgjigj Taulant Ballës për reformën territorial. Bardhi tha se bashkitë janë lënë pa kompetenca dhe financime, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ushtruar presion ndaj deputetëve të PS-së në mbledhjen e grupit për të votuar pro draftit.

“Fjalim si ai i vitit 2015. Po bëjmë reformë territoriale, do t'i japim më shumë kompetenca e para pushtetit lokal, do të ofrojmë më shumë shërbime. Por se çfarë ndodhi, e dinë shqiptarët pas 10 viteve. Shërbimet nuk shkuan, u nis autobusi për jashtë vendit. Bashkitë u lanë pa kompetenca, pa financime dhe, në fakt, kryetar bashkie u bë ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ai është kryetari i të gjitha bashkive të Republikës. Ai jep lejet e ndërtimit, vendos ku do të shkojnë fondet, ku do të ndërtohet qendra e qytetit. U bë de facto kryetar i 61 bashkive.

Shoh këtu një kolege, solli një platformë me 10 pika që duhet të dëgjojmë qytetarët, pse nuk dëgjon sot qytetarët?

Patjetër që kjo do të votohet. Ju sollët një njeri që njeh kodin mafioz, kërcënoi deputetët tuaj. I kujtoi ata që kanë shumë për të humbur dhe ndërruan Qëndrim”, tha Bardhi.

Ora 11:12
Reforma territoriale, Balla: Dakordësinë e morëm nga qytetarët më 11 maj, sot do ta votojmë! (VIDEO)

 

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se socialistët e kanë marrë miratimin e qytetarëve për reformën territoriale në zgjedhjet e 11 majit, pasi ishte pjesë e programit të tyre elektoral. Balla theksoi se drafti do të votohet sot, ndërsa ftoi opozitën të pranojë ngritjen e një komisioni të posaçëm për kompetencat që do t'u transferohen bashkive.

"Ne e kemi marrë dakordësinë më 11 maj, se kjo pikë ka qenë pika e parë e programit tonë, Shqipëria 2030. Shqiptarët na dhanë 83 mandate për ta çuar përpara këtë reformë. Ftesa ime nuk është të mos diskutojmë. Ne do ta diskutojmë dhe do ta votojmë sot këtë pikë të rendit të ditës. Ftesa ime është t'i përgjigjeni ofertës që ju bëra një javë më parë. Javën e ardhshme të ngremë Komisionin e Reformës Territoriale, jo për ndarjen, por për pjesën e kompetencave. Nëse qeshni, e sa herë ju kam parë të qeshni e të zgërdhiheni si sot, unë po ju them: keni një javë kohë që të mendoni, që të vini për pjesën e kompetencave.

Kjo sot do të votohet. Deri të enjten tjetër mendohuni, bëni gati propozimet. Jemi gati t'u transferojmë bashkive të reja kompetenca, pasi sot ato bashki që shkrihen nuk i kryejnë këto funksione. Votojmë kundër kërkesës", tha Balla. 

Ora 11:09
Reforma territoriale, Tedi Blushi: Draft antikombëtar që synon shpopullimin e Shqipërisë, të tërhiqet urgjentisht (VIDEO)

 

Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi kërkoi nga foltorja e Kuvendit tërheqjen e menjëhershme të draftit të PS-së për reformën territoriale. Blushi e cilësoi projektligjin antikombëtar dhe shpopullues, ndërsa tha se vota e çdo deputeti do të përcaktojë nëse ai është patriot apo tradhtar.

"Drafti antikombëtar, shpopullues, që gjoja e keni servirur si reformë territoriale. Sot është ditë historike, ku sytë e shqiptarëve janë drejtuar nga kjo sallë. Sot është dita kur çdo deputet do t'i vendosë damkën vetes, sepse çdo qëndrim dhe çdo votë e tij sot do të marrë një emër: patriot ose tradhtar.

Kjo seancë sot ka vetëm një rend dite: tërheqjen urgjente të këtij projekti kriminal, që nuk synon asgjë tjetër veçse shkombëtarizimin dhe zhbërjen e Shqipërisë", tha Tedi Blushi. 

Ora 11:06
PD kërkon heqjen e reformës territoriale nga rendi i ditës, Berisha: Të shkojmë në referendum, qytetarët të vendosin (VIDEO)

 

PD-së kërkoi në Kuvend heqjen nga rendi i ditës të projektligjit për reformën territoriale, duke e cilësuar atë armiqësor ndaj qytetarëve. Kreu i PD, Sali Berisha propozoi mbajtjen e një referendumi, në mënyrë që të jenë qytetarët ata që vendosin.

Sali Berisha: Në rast se ka mbetur një nanogram në thellësitë, në labirintet e ndërgjegjes suaj të mykur, një nanogram pro qytetarëve, detyrimeve që kemi ndaj tyre, hidheni poshtë këtë projekt si një projekt armiqësor ndaj tyre. Hidheni poshtë këtë projekt, për të cilin nuk ka qytetar shqiptar, i çdo bindjeje politike, që voton.

Hidheni poshtë dhe të vendosim sot të shkojmë në referendum, të pyesim qytetarët për një proces madhor që, mbi të gjitha, ka të bëjë me jetesën e tyre aty ku janë, me shërbimet e tyre, me të ardhmen dhe zhvillimin e komuniteteve kudo që janë.

Hidheni poshtë dhe të shkojmë në referendum me dy variante. Cilin variant të votojnë qytetarët, atë të votojmë dhe ta sanksionojmë këtu.

Ora 10:20
Reforma Territoriale, Rama paralajmëron Braçen në mbledhjen e grupit: Po votove kundër, je i përjashtuar! ‘Lëkundet’ Vullnet Sinaj

Kryeministri Edi Rama u ka kujtuar deputetëve socialistë statutin e PS-së gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, duke paralajmëruar ata që kanë shprehur kundërshtime ndaj reformës territoriale. Në nisje të takimit, kreu i grupit Taulant Balla u ka kërkuar socialistëve të votojnë edhe njëherë për draftin qe shkrin 15 bashki. Ndryshe nga mbledhja e kaluar, këtë herë vetëm deputeti Erion Braçe u shpreh sërish kundër.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se menjëherë pas këtij momenti, Rama i është drejtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Braçes, me të cilin ka patur edhe një debat të ndezur. Deputeti socialist mësohet se ka përsëritur edhe njëherë kritikat e shprehura edhe gjatë mbledhjes së kaluar të grupit për Territorialen.

Debati mes tyre është mbyllur me paralajmërimin e Ramës se nëse nuk do t'i bindej vendimit politik të grupit për një votë pro, atëherë ishte automatikisht i përjashtuar.  Menjëherë pas kësaj, Rama mësohet se është larguar nga mbledhja. 

Ndërsa Vullnet Sinaj i cili kishte shprehur hapur rezerva ndaj reformës territoriale dhe kishte votuar kundër në mbledhjen e kaluar, kësaj radhe ka ndryshuar qëndrim.

Në mbledhjen e grupit, ku ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, mësohet se Sinaj ka votuar pro draftit të PS-së që shkrin 15 bashki. Pritet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë në seancë Erion Braçe, i cili është shprehur kundër reformës.

Ora 09:56
Territorialja në Kuvend/ Berisha: Do bëjmë gjithçka për të ndaluar miratimin, Rama presion të tijëve që ta votojnë! Protesta pa simbole partiake (VIDEO)

 

Pak para nisjes së seancës plenare, kreu i PD Sali Berisha tha se do të bëjnë gjithçka për të ndaluar miratimin e reformës territoriale. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po i ushtron presion deputetëve të tij që të votojnë pro. Berisha foli edhe për protestën për të cilën tha se është e qytetarëve dhe se do jetë një protestë pa simbole partiake.

Sali Berisha: Opozita do të mbrojë deri në fund interesat e qytetarëve. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që reforma të mos kalojë. Do t'u sqarojmë shqiptarëve se si shkelen interesat e tyre për karrigen e Ramës, se si Rama, para fundit të pushtetit, është i aftë të ndërmarrë çdo akt.

Asnjë votë, asnjë votë! Asnjë deputet i PD-së dhe i opozitës nuk e voton.

Ai i ka mbledhur aty dhe po u ushtron terror. I ka kapur me libër dhe regjistër shtëpie: ti ke marrë atë tender, ti këtë favor. Po i nënshtron, sepse po bëhet një proces kafkian.

Protesta është e qytetarëve. Ne i kemi thirrur demokratët, por aty ka demokratë, socialistë. Është protestë rinore, qytetare. Janë protestues të të gjitha bashkive dhe do të mbetet në kuadrin e protestës qytetare, pa simbole partiake. Do të jetë protestë e njerëzve që shohin se po shkelen në mënyrë kriminale interesat e tyre.

Ora 09:30
PS në kërkim të 84 votave për Territorialen, Grupi i PS mblidhet para nisjes së seancës! I pranishëm Rama, mungon Balluku

1784884573_grupiips.png

Grupi i PS është mbledhur para nisjes së seancës plenare, ku sot pritet të miratohet drafti i PS për reformën territoriale, që shkrin 15 bashki në të gjithë vendin. Në mbledhje ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, por mungoi ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku. 

Pritet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajnë dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj. Të dy, në mbledhjen e kaluar të grupit shprehën votën kundër draftit, por pritet të shihet nëse kartonin e kuq do ta ngrenë edhe në seancë plenare. Për tu miratuar drafti i Territoriales, PS i duhen 84 vota. Vota e kundër e dy deputetëve socialistë do ta vinte në rrezik miratimin e reformës.

Ora 09:27
Protesta për ‘Territorialen’, Berisha: Rama ekzekuton sot 15 bashki! Bashkë përtej bindjeve politike

1791444110_saliberisha.jpg

Sali Berisha ka reaguar lidhur me reformën territoriale që sot është në fokusin e Kuvendit, duke përsëritur thirrjen për protestën para Kuvendit. Berisha kërkon që protestës t’i bashkohet kushdo, përtej bindjeve politike.

“Edi Rama sot ekzekuton 15 bashki për karrigen e tij! Ora 10:00, të gjithë bashkë në protestë para Parlamentit! Përtej çdo bindjeje politike, t'i dalim zot interesit qytetar!”, thotë kreu i PD.

Ora 09:25
Territorialja sot në Kuvend, Blushi: Të ndalet miratimi i njëanshëm i projektit për shpopullimin e Shqipërisë

1791368641_tediblushi.JPG

Ndërsa në Kuvend sot pritet miratimi i reformës territoriale, deputeti i PL, Tedi Blushi bën thirrjet që të ndalohet miratimi i projektit që sipas tij synon shpopullimin e Shqipërisë.

“Seanca e sotme plenare ka vetëm një rend dite: Të ndalet miratimi i njëanshëm i projektit për shpopullimin dhe zhbërjen e Shqipërisë. Çdo përpjekje tinzare për të imponuar “normalitet punimesh” në një Kuvend të rrethuar me blinda dhe narkopolicë dhe të marrë peng nga mafia duhet përbuzur me neveri.

Sot, çdo deputet që e quan veten shqiptar dhe jo shqip-folës ka vetëm një axhendë: Të mos bëhet pjesë e asnjë farse, të mos votojë shpopullimin e Shqipërisë, të përfaqësojë çdo shqiptar të ngritur në revoltë dhe të jetë në lartësinë e përgjegjësisë politike dhe kombëtare që kërkon koha.

Sot është një ditë historike ku do të mbahet shënim çdo qëndrim dhe çdo votë. Çdo deputet do të përballet me emrin që shqiptarët dhe historia do t’i japë zgjedhjes së tij: Patriot ose Tradhtar”, shkruan Blushi.

Ora 09:19
‘Territorialja’, deputetja Bylykbashi: Nuk ndryshon identitetet, përmirëson jetën e qytetarëve! Më shumë mundësi e kapacitete (VIDEO)

 

Ndryshe nga qëndrimi i opozitës lidhur me shkrirjen e 15 bashkive pasi do të cenojë identitetin dhe shërbimet ndaj qytetarëve, socialistët vijojnë me argumentin se reforma territoriale do të jetë në dobi të qytetarëve.

Deputetja e PS në Elbasan, Aulona Bylykbashi ka ndarë një video në rrjetet sociale ku shprehet se identitetet jetojnë në njerëz ndërsa bashkitë më të mëdha ofrojnë më shumë mundësi e kapacitete.

“Nëse nesër do të ndryshojnë kufijtë e bashkisë suaj, a do të ndryshonte kjo kush jeni? Identitetet nuk jetojnë në harta, ato jetojnë në njerëz. Qytetet nuk ndahen nga vija, lidhen nga rrugët, nga puna, nga shkolla, nga familjet. Një bashki më e madhe nuk do të thotë më pak identitet, do të thotë më shumë mundësi. Kur bashkohen kapacitetet, nuk humbet askush sepse historia nuk njeh kufij administrativë, ajo njeh njerëz. Reforma territoriale nuk do të ndryshojë identitetet. Ajo synon të përmirësojnë ndjeshëm jetën e qytetarëve”, thotë Bylykbashi.

Ora 08:21
‘Mos voto reformën territoriale’, Partia e Lirisë: Sot duhet t’i themi ndal shpopullimit të Shqipërisë, jemi krah qytetarëve

Vetëm pas pak orësh Kuvendi do të votohet për hartën e re territoriale dhe nga opozita ka ardhur thirrja e parë për ditën e sotme për ndalimin e saj. Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka shpërndarë një postim në rrjetet sociale ku shkruan ‘Mos voto reformën territoriale’ dhe bën thirrje se duhet të ndalet projekti i Ramës për shpopullimin e Shqipërisë.

Ajo shkruan se reduktimi i numrit të bashkive do të centralizojë pushtetin dhe do të largojë shërbimet e qytetarëve. Xhixho shprehet se do të jenë krah këtyre të fundit dhe s’do të lejojnë që Shqipëria të trajtohet si “plaçkë elektorale.”

Reagimi i plotë:

Sot duhet t'i themi NDAL projektit të Edi Ramës dhe qeverisë së tij për shpopullimin e Shqipërisë!

Reforma e re territoriale nuk është një reformë për qytetarët. Është një skemë politike që synon të përqendrojë më tej pushtetin dhe të krijojë avantazhe elektorale.

Reduktimi i numrit të bashkive do të largojë shërbimet nga qytetarët, duke lënë zona të tëra në funksion të planeve të qeverisë dhe klientëve të saj.

Kjo ndarje territoriale bie ndesh me Kushtetutën dhe Kartën Europiane për Vetëqeverisjen Lokale. Mbi të gjitha, ajo përplaset me vullnetin e komuniteteve të 15 bashkive që refuzojnë shkrirjen.

Ne do të jemi në krah të qytetarëve. Do të jemi zëri i tyre përballë një pushteti që po vendos interesin e vet politik dhe interesat e klientëve mbi interesin e qytetarëve.

Shqipëria nuk mund të trajtohet si plaçkë elektorale!