Nga 2014 asnjë shqiptar nuk ka ikur jashtë vendit për xhihad në Siri apo vende në konflikt. Këtë fakt e ka bërë publik ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri gjatë tryezës për luftën kundër terrorizmit në rajonin e Ballkanit, e cila po zhvillon punimet në Shqipëri.

Sipas Tahirit ndikim për të frenuar xhihadistët kanë pasur dhe ndryshimet ligjore dhe ashpërsimi dënimeve nëse lufton në një vend të huaj. Kjo tryezë 3-ditore nga 17 deri më 19 nëntor mbahet nën kujdesin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë dhe marrin pjesë Bullgaria, Bosnja, Maqedonia, Kosova dhe Kroacia.

Nisur nga aktet më të fundit terroriste që goditën Francën mësohet se fokus i punimeve në këtë takim rajonal ka qenë dhe lufta e përbashkët që duhet të bëjnë vendet e Ballkanit për të goditur celat terroriste dhe financuesit e tyre.

Si përfaqësues të Shqipërisë në këtë panel kanë qenë të pranishëm ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, shefi i antiterrorist në Policinë e Shtetit, Agron Ferhati, Drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Adnand Xholi si dhe kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)