Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Bushati tha se Shqipëria do të jetë në krah të vendeve aleate të NATO-s në luftën kundër terrorizmit. “E sigurova Hammond që Shqipëria do jetë në krah të vendeve aleate dhe do japë kontributin e saj për sigurinë në rajon,” tha Bushati, ndërsa shtoi se në mbledhjen e qeverisë është miratuar strategjia kundër ekstremizmit të dhunshëm, e hartuar nga ekspertë vendas dhe shqiptarë dhe që parashikon përvecc kundërveprimit dhe mekanizma me metoda edukative.
Nga ana tjetër Hammond ka shprehur mbështetjen e vendit të tij për të ardhmen evropiane të Shqipërisë ndërsa ka vlerësuar ecurinë e reformave të deritanishme, duke vënë theksin tek ajo e drejtësisë.
“Mbështesim fuqishëm anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe mirëpresim ecurinë me reformat. Pjesa më e rëndësishme e kësaj pakete është ajo e drejtësisë. Ne presim të shikojmë këtë program i cili duhet të nxjerrë rezultate në formën e ndjekjes penale kundër zyrtarëve të lartë. Shteti ligjor dhe reformat ekonomike janë kyçe për zhvillimin e një vendi, edhe për nxitjen e investimeve të huaja,” u shpreh Hammond.
Po ashtu Hammond vlerësoi pozitivisht bashkëpunimin e qeverisë shqiptare në luftën ndaj trafikut të drogës, duke shpresuar për suksese të ngjashme në të ardhmen.
Lidhur me sulmet e së premtes në Paris, Hammond tha se ISIS nuk duhet nënvlerësuar. Ai shtoi më tej se Mbretëria e bashkuar ka intensifikuar bashkëpunimin me Francës pas sulmeve, por një gjë e tillë sipas tij duhet të bëhet ndërmjet të gjitha shteteve të Evropës.
Sa i përket bashkëpunimit të vendeve të BE-së me Rusinë për të goditur organizatën terroriste ISIS në Irak dhe Siri, ai sqaroi:
"Sulmet na kanë treguar se pozitat tona janë delikate përballë kësaj organizate. Ka një bazë ligjore solide për të vepruar kundër ISIS në Irak dhe Siri. Nuk shikojmë të ketë arsye që rusët të vijojnë të vetëm në këto sulme, ne kemi qenë të qartë se nëse Rusia është e angazhuar për luftën kundër ISIS janë të mirëpritur të bashkëpunojnë me të tjerë, në fakt Rusia ka sulmuar më shpesh kundër opozitës së moderuar dhe jo ndaj ISIS, pra mbështet regjimin e Asad, që nuk është në përputhje me misionin tonë. Nëse ata janë të interesuar të sulmojnë kundërshtarët e Asad për ne do jetë e vështirë bashkëpunimi me ta”, tha ai.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)