TIRANE- Rritja e nivelit të gatishmërisë ndaj sulmeve të mundshme terroriste dhe marrja e masave parandaluese ka bërë që Kuvendi i Shqipërisë të shtojë masat e sigurisë. Godina e Kryesisë së Kuvendit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka filluar që prej ditës së diel të instalojë kamera sigurie në të gjitha ambientet e godinës. Deri më tani kamera ka pasur në hyrjen kryesore, në korridorin e hyrjes së personaliteteve, dhe në sallat e komisioneve parlamentare. Tashmë, kamerat janë vendosur në të gjitha korridoret, edhe në ato që përdor administrata, si dhe në të gjitha zyrat e tjera të Kuvendit, që nuk përdoren për aktivitete publike. Instalimi i këtyre kamerave shtesë të sigurisë ka nisur fundjavën e shkuar, gjatë ditës së pushimit, dhe “Shqiptarja.com” ka mësuar se stafi teknik po punon orareve të vona të mbrëmjes, për të mos tërhequr vëmendjen e vizitorëve të përditshëm të institucionit dhe të medias.