TIRANE - Që pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit në Paris dhe kërcënimeve që ju kanosën vendeve të ndryshme evropiane për sulme të tjera nga ISIS, Shqipëria ka bashkëpunuar me ndërkombëtarët dhe deri më tani asnjë e dhënë nuk flet për rrezik konkret ndaj vendit tonë. Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri e dha këtë deklaratë pas një seance dëgjimore me dyer të mbyllura që mbajti në komisionin kuvendor të Sigurisë Kombëtare lidhur me masat e marra në luftën kundër terrorizmit.
 
Ministri përsëriti qëndrimin se të gjitha masat e shtuara të Policisë së Shtetit, janë ndërmarrë për të garantuar sigurinë e qytetarëve shqiptare, por jo se këto masa i përgjigjen ndonjë kërcënimi të prekshëm terrorist.
 
"Sigurisht që Shqipëria nuk është vend imun nga rreziku, por të gjitha të dhënat nuk lenë vend për panik, ndaj do kërkoja që edhe ju që keni rol të veçantë në përcjelljen e opinionit te publiku, të mundoheni të klasifikoni si duhet çështjet e informacionit duke u përpjekur të gjeni balancën e duhur ju, ne, dhe të gjithë bashkë, ndërmjet nevojës për të rritur kujdesin ndaj qytetarëve shqiptarë, nevojës që kemi për të rritur alertin e qytetarët shqiptar, por duke evituar në maksimum panikun e panevojshëm.
Strukturat shtetërore janë në punë, po bashkëpunojnë me partnerët, nuk duket që ka rrezik të shtuar veç rrezikut të zakonshëm që ka çdo vend i qytetëruar në aleancën kundër terrorizmit dhe në këtë kuadër po bashkëpunojmë ngushtësisht edhe me Agjencitë ligjzbatuese në vend dhe me partnerët për të parandaluar dhe për të çuar përpara, sfidën tonë për ta bërë vendin më të sigurt
", - tha ministri.

saimir tahiri

I pyetur për patrullimin në terren të efektivëve me kallashnikov, ministri tha se "në shtete të tjera është angazhuar edhe ushtria".
 
"Këto janë masa të shtuara të Policisë së Shtetit dhe ndërkohë çdo institucion në vend nën drejtimin e Prefektit në çdo qark  mbi bazën e urdhrit të Kryeministrit dhe një urdhri pasues të Ministrit të Punëve të Brendshme, kanë marrë masa për forcimin e masave të sigurisë. Këto janë masa parandaluese, pra masat e përkujdesit të lartë, por kjo nuk do të thotë që i përgjigjen çështjeve konkrete dhe unë për hir të së vërtetës nuk jam as i autorizuar të ndaj të gjithë informacionin që kam me ju, sepse është i pamundur. Në kryeqytetet e tjera keni parë që edhe ushtria është në rrugë ndërkohë në Shqipëri është element shtesë i sigurisë, më shumë siguri për qytetarët prezenca e policisë dhe forcave të sigurisë ashtu siç duhet që dhe qytetarët të konsiderojnë se çdo shqetësim e ndajmë bashkë dhe çdo sfidë e ndajmë bashkë dhe zgjidhjet i kemi po të gjithë bashkë", - theksoi ministri Tahiri.
 
I pyetur nga mediat nëse ka një listë personash që po mbahen në survejim Tahiri as nuk ka pohuar as nuk ka mohuar këtë fakt.  Burime brenda Komisionit të Sigurisë pas mbledhjes së mbajtur me dyer të mbyllura thanë për Shqiptarja.com se ministri i Brendshëm para deputetëve  është shprehur se: "Në kuadër të masave të shtuara në ambientet publike është rikonceptuar apo riparë dhe rrezikshmëria e personave me prirje terroriste”.  

Pak ditë më parë presidenti Bujar Nishani mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare me prezencë të krerëve më të lartë të shtetit, policisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror për të analizuar me detaje rrezikun e mundshëm që mund t'i kanoset Shqipërisë pas sulmeve terroriste në Paris dhe kërcënimeve në Evropë dhe Rajon nga ISIS.

Më herët ministri i Brendshëm është shprehur se qeveria është duke hartuar një ligj për sigurinë publike ku parashikohet prezencë e shtuar e policisë në vende publike, siç janë kopshtet, shkollat, qendrat tregtare, parqet publike, dhe zona të tjera të populluara. Përmes këtij ligji ndahen përgjegjësitë mes shtetit, policisë, biznesit, agjencive ligjzbatuese dhe vetë qytetarit në mënyrë që ata të jenë sa më të sigurt.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)