Terrusi: Do t’i kërkoj
Berishës eshtrat e tim eti

Terrusi: Do t’i kërkoj <br />Berishës eshtrat e tim eti
Libri (“Le cent vues de Paris”) “100 pamjet e Parisit”, dhuratë e Enver Hoxhës për Aurelia Poselli-n, vajzën italiane që jetonte në Gjirokastër, përfaqëson për familjen Terrusi “fillin ombelikal”, që e ka lidhur gjatë gjithë kësaj periudhe me Shqipërinë. Kështu e ka konsideruar dje Aldo Renato Terrusi gjatë ceremonisë së dorëzimit të librit Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Ceremonia u zhvillua në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Ambasadën Italiane dhe Institutin e Krimeve të Komunizmit. “Dhurimi i tij Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, për më tepër në këtë vit festimesh për 100-Vjetorin e Pavarësisë, simbolizon vlerësimin e rëndësishëm të kujtesës, ku disa dokumente mbeten në kujtesën kolektive dhe shërbejnë si paralajmërim për të rinjtë në mënyrë që Diktaturat mos përsëriten asnjëherë”, u shpreh dje ambasadori i Italisë në Shqipëri Massimo Gaiani. Libri mban datën 21 gusht 1930 dhe firmën e Enver Hoxhës, asokohe student në Francë. Por ndërsa dihet që Enver Hoxha ishte student për botanikë, me sa duket për t’i “bërë përshtypje të mirë” Aurelias ia kishte nënshkruar me një fakt të gënjeshtërt, “student në mjekësi”. I ruajtur mirë në bibliotekën personale të kësaj familjeje italiane me fat tragjik, ky libër i ishte dhuruar znj. Aurelia Poselli, më 21.08.1930 nga Enver Hoxha në shenjë simpatie dhe miqësie gjatë vitete që jetonin në Gjirokastër. Refuzimi i Aurelias për të vazhduar miqësinë me të, si edhe martesa e saj me z. Renato Terrusi, drejtor i bankës italo-shqiptare në Vlorë, sipas Aldos, shkaktoi tragjedinë familjare në vitet në vazhdim. Hoxha u hakmorr ndaj familjes Terrusi duke burgosur Renaton pa asnjë akuzë të faktuar fillimisht në Vlorë e më pas në burgun e Burrelit, ku edhe ndërroi jetë në vitin 1952. Aldo Terrusi tha se “duhej ta ktheja këtë libër në vendin ku ish-diktatori ia dhuroi nënës sime”. Libri “100 pamjet e Parisit”, dhuratë e studentit Hoxha të vitit 1930 për mikeshën e tij Aurelia Posellin do të ruhet në fondin personal të Enver Hoxhës në Arkivin e Shtetit”, ka pohuar drejtoresha e AQSH-së, zonja Nevila Nika. Dje mësuam se synimi tjetër më i madh që ka Aldo Renato Terrusi gjatë kësaj vizite në Shqipëri është të gjejë e të rikthejë eshtrat e të atit në Itali. Renato vdiq në burgun e Burrelit në mënyrë të padrejtë. Kërkimi i eshtrave të tij për 20 vjet me radhë ka gjetur mbështetjen e ngrohtë dhe njerëzore të shqiptarëve, por jo të institucionev shtetëtore, të cilat nuk janë kujdesur edhe për fatin e martirëve shqiptarë që u masakruan nga diktatura komuniste.

Z. Terrusi, pse menduat ta sillnit këtë libër që i dedikohet veçanërisht nënës suaj në Shqipëri?
-Ky libër ka lidhje me një personazh historik. Është libri origjinial që Enver Hoxha i ka dhuruar nënës sime në një prej herëve kur është kthyer nga Franca ku studionte. Është një prezantim fotografik i Parisit e nga kopertina që ka, mendoj se është një libër i rëndësishëm dhe kjo më bën të mendoj se ka dashur t’i bëjë dhuratë kësaj gruaje të bukur e të rafinuar, pra një libër jo dosido. Është ky një libër që përfaqëson një ndër lidhjet e para të familjes sime me Shqipërinë, që ka qenë si një kordon ombelikal për këto marrëdhënie që familja ime ka mbajtur, në të mirë e në të keq me vendin tuaj dhe fatet e tij.

Cila është historia e qëndrimit dhe jetës suaj në Shqipëri?
-Unë u linda në Vlorë në vitin 1945. Në vitin 1949 pas shumë përpjekjesh munden të riatdhesohen në Itali sëbashku me nënën. Në Shqipërinë e izoluar munda të rikthehesha për herë të parë vetëm mbas 44 vjetësh, në vitin 1993. Isha i shoqëruar nga daja im Giacomo Poselli, ish-portier i Kombëtares për të kërkuar të shkuarën e familjes së sime dhe për të gjetur eshtrat e tim eti, të cilat deri më sot nuk i kam gjetur dot. Në Shqipëri nëna dhe babai im u dashuruan dhe u martuan dhe punuan me ndeshmëri derisa erdhën fatkeqësitë. Tre muaj pasi linda unë babai im i pafajshmë drejtor banke në Vlorë arrestohet dhe ndërkohë kur ne po na çonin në Itali, atë e çuan në Burrel dhe vdiq nga torturat në 1952-shin. Por pjesën më të amdhe të historsië së qëndrimit dhe të jetës sime në Shqipëri ua kam përshkruar në librin tim “Rikthim në vendin e shqiponjave”, i cili së shpejti pritet të përkthehet në shqip nga Instituti i Krimeve të Komunizmit.

Ju keni pothuaj 20 vjet që kërkoni eshtrat e babait tuaj dhe ende nuk janë gjetur. Pse?

-Tre muaj pas lindjes sime im at u burgos. Ishte viti 1945. Enver Hoxha megjithëse njiheshin që në rini me nënën time e përbuzi, u hakmor me të se ajo nuk i kishte pranuar fejesën e kërkuar nga ai vite më parë dhe kështu nuk e takoi të bisedonin për faljen e tim eti. Pas shumë mundimesh, në vitin 1949 unë dhe nëna ime arritën të riatdhesoheshim. Në të njëjtën kohë, im at u dërgua të vuante dënimin në Burgun e Burrelit dhe aty vdiq në vitin 1952. Eshtrat e tij janë ende diku aty, nëse është e vërtetë ajo që thuhet se të burgosurit që vdisnin varroseshin në kamp. Unë do të vazhdoj të jem kokëfortë dhe do të vazhdoj kërkimet për gjetjen e eshtrave të tim eti dhe do doja shumë që në këtë 100-vjetor të pavarësisë së vendit tuaj të dalë në shesh edhe e vërteta, që ne të mësojmë se ku janë varrosur të burgosurit që tani rezultojnë të zhdukur. Pastaj shteti le të caktojë Task Forcen, të kërkojë, jo vetëm eshtrat e tim eti, por edhe të tjerëve. Ata kanë pasur varreza të përbashkëta. Sot ka mjete moderne, ku po të kërkohej do të gjendej qoftë edhe një gjurmë ADN-je e tim eti, ose edhe një eshtër. Nëse nuk është aty, të kërkohet ku e kanë çuar trupin e tij. Po s’e gjeta, do t’i drejtohem kryemistrit Berisha. Të përdor Task Forcen dhe të gjenden eshtrat e tim eti.

AGRON TUFA: KA NJE TASK FORCE DHE BUXHET TE CAKTUAR, TE GJENDEN ESHTRAT E MARTIREVE

Kryetari i Institutit të Krimeve të Komunizmit, z. Agron Tufa, dje gjatë dorëzimit të librit të familjes Terrusi në AQSH u ka kërkuar institucioneve shtetërore që të mos jenë indiferente dhe të ndihmojnë në gjetjen e eshtrave të italianit Renato Terrusi bashkë me ato të dënuarëve të tjerë që janë varrosur ose zhdukur në rrethinat e burgut të Burrelit. Duke folur për librin e dorëzuar në arkiv ai tha: Është një ato që quhen fakte të rralla arkivore. Nuk është një libër me një gjuhë të thjeshtë, por është fakt mediativ meditimi për një dhuratë dhe ndjenjë simpatie që i dhurohet dikujt dhe dihet që ai që ushqen simpatinë ndaj një tjetri ushqen dashuri, nuk e shkatërron objektin e dashurisë. Enver Hoxha këtë ka bërë, e ka shkatërruar dhe është hakmarrë ndaj vajzës që ndjeu. Ky fakt e konfirmon. Tashmë ju e dini se çfarë është bërë me familjet e Aldo Renato Terrusi-t. Ndërkohë Tufa kujtoi se “Aldo riktheht që në vitin ‘93 për të kërkuar eshtrat e të atit që vdiq në Burgun e Burrelit në mënyrë të padrejtë. “Aldo i është qasur Shqipërisë për të gjetur eshtrat e të atit që nuk e ka njohur. I kërkon shtetit në çdo mënyrë ta ndihmojë, ndërsa pjesa njerëzore nuk ka munguar për ta ndihmuar. Institucionet shetërore nuk mendoj se kanë qenë adekuate dhe nuk mendoj se është mënyra më e mirë për të arritur në maksimumin për atë që duhej bërë. Për të gjetur eshtrat në një nimi-Aushvic, siç është Burreli, është thjesht të ndërmarrësh një kërkim sistematik të krejt territorit dhe unë mendoj se kjo është e gjetshme dhe e realizueshme, jo vetëm për eshtrat e Renato Terrucit, por edhe të eshtrave të martirëve shqiptarë. Ndër të tjera, Tufa kujtoi “Kemi një Task Force me një buxhet të caktuar dhe le të dëshmojnë për zhvarrosjen e të pushkatuarëve dhe le të shërbejnë që të shpërblehen përpjekjet Aldo Terrus-it për të zbuluar bilancin e trishtuar tragjik të këtyre njerëzve të pafat që të qetësojmë kujtesën tonë morale”. Duke kujtuar mundimet dhe përpjekjet e Aldo Terrusi-t, Tufa theksoi se pas përkthimit në shqip të librit “Kthim në vendin e shqiponjave”, “porsa i përket bashkëpunimit me Aldon do të përpiqemi të dëshmojmë respekt të thellë, sepse pa dashjen tonë, por me dashjen e diktatorëve u bë pjesë e tragjedisë sonë kombëtare”. “Ne do të interesohemi në vesh të ndjeshëm që të bëjmë përpjekje për gjetjen eehstrave të Renato Terrusi-t, si nisje të mbarë për fatin e të huajve që vdiqën tragjikisht në Shqipëri”, tha Tufa.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga