Pavarësisht nga deklaratat e Berishës dhe Bodes së situata makroekonomike mbetet e shëndoshë dhe arka e shtetit transferohet në rregull, stafeta e borxhit është shumë e rëndë për t’u përballuar. Marrja e borxheve ka qenë rruga e preferuar e qeverisë në ikje, edhe kur e pa se administrata fiskale po humbte gjithnjë e më shumë terren në grumbullimin e të ardhurave dhe shpenzimet shkurtoheshin me një ritëm shumë herë më të vogël se ai i uljes së hyrjes së parasë në arkën e shtetit.
Kjo u sanksionua më në fund në ligjin organik të buxhetit, ku u hoq fare kufizimi në rritjen e borxhit publik, shenjë e dështimit për të zbatuar limitin ligjor të një shifre sa 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Dje, kreu i Financave tregoi edhe se dikasteri i tij nuk është në gjendje të paguajë menjëherë edhe fatura normale, përveç pagave e pensioneve. Një faturë e rëndë financiare është ajo, që shteti u detyrohet ndërtuesve të infrastrukturës. Në rast se qeveria e re dëshiron të ulë nivelin e kredisë së keqe në banka, të shmangë falimentin për një numër prej subjekteve të kësaj kategorie dhe të rivejë në lëvizje makinerinë e ndërtimit të rrugëve, ajo duhet të gjejë mundësinë të paguajë 200 milionë euro të prapambetura prej vitesh.
Por, kjo pagesë nuk mund të bëhet pa likuiduar edhe 200 milionë euro të tjera, që Tatimet e Doganat mbajnë si TVSH që duhet t’ua kishin kthyer me kohë kompanive, sipas ligjit. Që këtu, kemi të bëjmë me gati gjysmë miliardi euro borxh. Kjo, për të larë gjynahet e qeverisë së vjetër, duke zbatuar atë çka thotë ligji, që ajo nuk e bënte. Ndërkohë, sipas thënieve të vetë zyrtarëve të Financave, mbeten ende për t’u paguar ish-të përndjekurve afërsisht 320 milionë euro, gjithnjë sipas ligjit të miratuar nga mazhoranca, që humbi pushtetin.
Deri këtu, detyrimi është i lartë, por nuk e kalon miliardëshin. Por, gjithshka mund të shkojë kot, në rast se qeveria e re nuk shtrëngon rripin e të sistemojë raportet delikate makroekonomike, që janë prishur tashmë me kalimin e borxhit publik në rreth 64 për qind të PBB-së. Në rast se qeveria do të bëjë një gjë të tillë, ajo duhet minimalisht të ulë me 4 për qind këtë borxh, duke shlyer edhe rreth 410 milionë euro të tjera. E gjithë kjo faturë, një testament negativ i qeverisë Berisha, nuk përfshin pagesën financiare të ish-pronarëve, pasi kjo pagesë varet shumë nga ajo, se çfarë do t’u ofrohet atyre si kompensim fizik. Vetë kjo kategori e vlerëson faturën në 20-30 miliardë euro, por kjo shifër ulet shumë në rast se do të përdoren prona shtetërore apo toka djerrë për kompensim fizik.
A është e lirë qeveria e re të përdorë psh një obligacion të jashtëzakonshëm me afat shumë të gjatë për të kapërcyer emergjencën? Kjo është një rrugë, por ajo sërish rrit borxhin. Ky mund të kapërcehet përkohësisht me një moratorium, që do të kërkonte OK e grupit të Parisit, por mund të ndihmohej edhe nga një privatizim i madh, me kusht që të bëhej nga një shumëkombëshe dhe jo nga firma piramidale.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.08.2013
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)