Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa risolli në Kuvend zhvillimet e fundit në Sarandë ku kupola drejtuese e komisariatit u shkarkua e drejtuesit u arrestuan, për shkak se kishin marrë ryshfete e kishin lejuar ndërtimin pa leje të një biznesi, i dyshuar për lidhje me krimin. Zhupa thotë se shteti duhet të marrë masa për të parandaluar kriminalitetin në qytet.

“I gjithë Kuvendi e njeh gjendjen e rëndë kriminale në Sarandë. U arrestua shefi i komisariatit dhe disa të tjerë të komisariatit, ndërsa ky Parlament dhe kjo qeveri bëjnë sikur nuk dinë asgjë. Ka qenë raporti i Prokurorit të Përgjithshëm në këtë sallë që ka thënë se kriminaliteti më i lartë është në Sarandë. Çfarë mase u mor? Asnjë masë. Ishte patronazhist i qeverisë.

Nëse nuk e dini, po ju informoj që Policia e Shtetit nuk mund të veprojë e vetme pa Policinë Bashkiake dhe IMT. Drejtori i Policisë Bashkiake është një i shkarkuar nga policia, i dënuar se ka marrë ryshfet nga trafikantët dhe është drejtor në Policinë Bashkiake.

Ti bie telefonit të IMT-së në Sarandë, nuk e hap askush sepse ka ikur në drejtim të paditur. Shkoi ministri dhe i mori në krah këta njerëz që ishin pjesë e grupit të strukturuar që merrnin ryshfete dhe e kanë kthyer Sarandën në skenë krimi”, tha Zhupa.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Pritet votimi në seancë i ndryshimeve në rregullore! Debat për integrimin, Tabaku: Gjermania i thotë ‘jo’ anëtarësimit pa veto! Balla: Objektiv 2027-ta