Opozita dhe mazhoranca u përfshinë sërish në debate në Kuvend për negociatat. Deputetja e PD, Albana Vokshi hodhi akuzoi ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu se ka shpërndarë informacion të pavërtetë për ecurinë e procesit në Bruksel dhe miratimin e IBAR, ndërsa ministri iu përgjigj duke akuzuar opozitën për “smirë politike” ndaj progresit të vendit.
Gogu tha se Ministria e Drejtësisë dhe institucionet shqiptare kanë zhvilluar një punë intensive 18-mujore për përgatitjen e materialeve dhe rezultateve që janë dorëzuar në Bruksel. Ministri akuzoi opozitën se në vend që të njohë progresin e institucioneve shqiptare në rrugën europiane, zgjedh të prodhojë akuza politike, duke u thënë se janë e vetmja parti politike që shkojnë 36 vite mbrapa.
Albana Vokshi: Dy ditë më parë, ende pa u shpërndarë mbledhja e COELA-s, ministri Gogu doli në konferencë për media dhe dha lajmin e mirë që raporti i piketave të ndërmjetme ishte miratuar dhe i kishte kaluar Këshillit të Ambasadorëve. Si mundet, pa iu dridhur qerpiku, me çfarë pafytyrësie dhe paaftësie mundet një ministër të japë një lajm që nuk është i vërtetë? Nuk di ta them me çfarë kurajo mund të dalësh. Të paktën tre vende, ky është burim i sigurt, kanë pasur probleme me grup-kapitullin e parë, të cilin nuk e kanë miratuar dhe e kanë shtyrë të paktën deri të premten. Ministri Gogu, të paktën të kishte pritur për të premten për të dhënë atë lajm që të gjithë e presim. Ministri që shpërndan lajme të pavërteta për t’i dhënë Ramës një meritë që nuk e meriton, si mundet të mashtrojë publikun? Të dalë dhe të kërkojë falje e të thotë që ishte lajm i pavërtetë.
Toni Gogu: Ka qenë një 18 muajsh impenjativ, ku kolegët e Ministrisë së Drejtësisë kanë arritur të dërgojnë në Bruksel 8 mijë faqe, 90 takime kanë ndodhur në Bruksel, 70 institucione janë koordinuar për të realizuar ato rezultate që po shqyrtohen nga grupi i punës. Gjatë kohës që shteti shqiptar punonte dhe çonte 8 mijë faqe, më vjen keq që ju keni artikuluar 8 mijë akuza të ngecjes së procesit. Si ka mundësi që smira juaj politike ndaj progresit të një shoqërie të tërë, se jeni i vetmi formacion shoqëror që shkoni mbrapa. Shkoni 36 vite mbrapa dhe jeni i vetmi formacion shoqëror që nuk pasqyroni progresin e Shqipërisë drejt standardeve europiane juve vini këtu dhe ngrini që sërë akuzash. Kjo ka të bëjë me smirën që ju bën juve të mos shihni progresin e Shqipërisë dhe i vetmi formacion shoqëror në Shqipëri që është mbërthyer 36 vite më parë dhe ngec atje në standardin e korrupsionit, ndërhyrjes në gjyqësor, në standardet e një shteti të kapur, jeni ju.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Kuvend/ PS e PD dakord, Këshilli miraton ndryshimet në rregullore, pritet votimi në seancë! Shtyhen 3 interpelancat urgjente me Ramën e Lamallarin










