“Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhjen që Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë ndryshon qëndrimet e veta brenda harkut kohor të më pak se dy ditëve, gjë që tregon se ky institucion nuk është i interesuar të informohet më shumë lidhur me këtë program testimi. Përpara se të flasë për zbatimin apo moszbatimin e ligjit, UMSH duhet të përmbushë detyrimet për zbatimin e ligjshmërisë së funksionimit të tij, në përputhje me Nenin 21, të Ligjit Nr. 123/2014, “Për urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë”.
Ditën e djeshme Abazaj qetësonte mjekët duke u shprehur se pasi ishte sqaruar nga MSH për testimin, siguron të gjithë mjekëse nuk do të cenohej aspak vendi i tyre i punës.Deklarata e parë i kreut të Urdhrit të Mjekëve
Ndërsa në deklaratën e sotme Din Abazaj shprehet se është kundër testimit të mjekëve, pasi ai e sheh këtë si të pavend për aq kohë sa mjekët kanë liçencën e Urdhrit të Mjekut.
"Të gjithë mjekët që janë licensuar në bazë të disa kritereve, dosjeve , të dhënave nga drejtori të institucioneve mbi performancën dhe kapacitetet e tyre profesionale sjelljen e tyre profesionale. Kështu që nuk e di se si mund të jetë më e testuar profesioniste. Në vend që të testohen mjekët në këtë mes unë do thosha të testohen drejtuesit e institucioneve shëndetësore se sa janë të aftë,”- u shpreh Dine Abazaj. Deklarata e dytë e kreut të Urdhrit të Mjekëve
Si reagim të kësaj deklarate të fundit, Ministria e Shëndetësisë thekson se ka arritur në konkluzionin se, për të përmirësuar nivelin e burimeve njerëzore në përmbushje të Programit të Qeverisë, ku synimi kryesor është arritja e Mbulimit Universal në sistemin e kujdesit shëndetësor në vend, për të programuar qartë dhe saktë nevojat për përmirësimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore, si dhe për të orientuar drejt ofertën e edukimit në vazhdim, ka vendosur që të testojë mjekët, infermierët, si dhe të punonjësit e tjerë teknikë mjekësorë.
“Dëshirojmë të ritheksojmë se ky program testimi as nuk e cënon dhe as nuk e dëmton procesin e nisur tashmë prej pesë vitesh të edukimit në vazhdim.” – thuhet në reagimin e MSH.
Konkluzionin e arritur Ministria e Shëndetësisë i bazon tek:
- Vlerësimet e këtyre 16 muajve në detyrë për funksionimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në vend, në të gjitha nivelet e tij;
- Gjetjet e raportit të studimit vëzhgimor të zhvilluar nga KZLN-ja me mbështetjen e USAID-it “Vëzhgim për Qendrat Shëndetësore në Shqipëri,” publikuar më dt. 16/10/2014;
- Gjetjet dhe rezultatet e procesit të trajnimit të 1400 mjekëve dhe 5600 infermierëve për Programin e Kontrollit Bazë Pa Pagesë 40-65 vjeç;
- Në numrin ndjeshëm të lartë dhe përgjigjet që rezultojnë negative, qoftë të analizave laboratorike, apo qoftë atyre imazherike që kërkohen rëndom nga mjekët e sistemit të kujdesit shëndetësor në vend;
- Shkallën e lartë krahasimisht me vendet e tjera të rekomandimit dhe përdorimit terapeutik të disa barnave, dhe kryesisht atyre të llojit antibiotikë;
- Konkluzionet e Konferencës së organizuar në bashkëpunim me OBSH “Shëndet për të gjithë” që u zhvillua në Ditën Botërore të Mbulimit Universal shëndetësor më dt. 12/12/2014;
“Ministria e Shëndetësisë mbështet proçesin e edukimit në vazhdim dhe është e angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet që burojnë nga Vendimi i Bordit të QKEV-së, dt. 08/07/2014, i cili është marrë në dakordësi me të gjithë anëtarët e tij, përfshirë edhe përfaqësuesit e urdhërave të profesionistëve të shëndetit.”- përfundon reagimi i MSH.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)