Forcat e Armatosura kanë shpallur sot Tetar Denis Gërbi, nënoficeri më i mirë i vitit. Në ceremoninë e organizuar, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli është ndalur në vëndin dhe rolin që ka trupa e nënoficerëve në FA.

“Si nënoficerë, ju duhet të njihni dhe udhëhiqni çdo ushtar nën komandën tuaj. Së pari, duke dhënë shembullin tuaj personal. Por edhe duke patur kujdes për të gjitha detajet, të mirat dhe të këqijat e njerëzve që keni nën komandë. Ju punoni me njerëz të cilët duhet të jenë të aftë jo vetëm fizikisht për të kryer detyrat, por dhe që e kuptojnë atë që duhet të bëjnë” ka thënë Kodheli.

Më pas, ministrja Kodheli ka theksuar se, gjatë këtyre 25 viteve demokraci është folur shumë, por është bërë pak për trupën e nënoficerëve. “Oficerë të nderuar, jepuni më shumë kompetenca mbështetësve tuaj më të mirë, nënoficerëve. Pres nga ju procedura të qarta dhe angazhim më të madh për ta, bërë nënoficerin një vlerë të padiskutueshme të Forcave tona të Armatosura” iu ka thënë ajo oficerëve.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, i dorëzoi tetar Denis Gërbit certifikatën e vlerësimit “Nënoficeri i vitit 2015” në Forcat e Armatosura. Gjithashtu tetar Gërbit iu dorëzua edhe Kodi i Nderit të Nënoficerit.
Përzgjedhja e nënoficerit më të mirë është tashmë një traditë e përvitshme në FA. Në testimin përzgjedhjes morën pjesë rreth 1200 nënoficerë nga grada n/tetar deri në gradën rreshter. 

Në përfundim të këtij procesi në njësi e reparte u përzgjodhën 26 nënoficerët më të mirë, të cilët iu nënshtruan një konkurrimi final para Bordit të Vlerësimit në nivel FA. Nga ky konkurrim i paanshëm dhe transparent Denis Gërbi, specialist kartoteke në Degën e Personelit të Komandës Mbështetëse, u shpall nënoficeri më i mirë i vitit 2015 në FA.