Studentët vijojnë protestën, vezë drejt Nikollës/ Nuk pranojnë banorët e Unazës së Re: Jo politizim

TIRANE-Studentët po protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Kjo është dita e pestë, por ndryshe nga dje dhe pardje, sot protesta është tkurrur, pasi një pjesë e studentëve janë larguar në qytetet e tyre, pasi deri martën janë pushim. Protesta po vijon prej orës 10:00 edhe pse herë pas here ka pasur reshje shiu, ndërsa ka pasur edhe dy momente tensioni, së pari kur larguan banorët e Unazës së Re për të mos politizuar kauzën dhe kur mes turmës kaloi ministrja Nikolla, drejt së cilës studentët hodhën bidonë, vezë dhe sende të tjera.  

Në rrethe sot po protestohet vetëm në Shkodër, ndërsa studentët në Elbasan, Vlorë, Korçë dhe Durrës kanë paralajmëruar se do të rikthehen të martën. Studentët fillimisht kishin vetëm katër kërkesa, ndërsa dje e çuan në tetë numrin e kushteve për ministren Lindita Nikolla. Studentët janë shprehur se pa përmbushjen e kërkesave nuk do ndërpresin protestën, ndërsa i kanë bërë thirrje politikës që të mos tentojë të bashkohet me tubimin.

Sot është data 8 dhjetor, Dita e Rinisë, e vendosur me një vendim të 2009 të Kuvendit për të kujtuar studentët e Dhjetorit të 1990. E ndërsa kanë kaluar 28 vite nga ajo ditë, studentët sot kjo datë i gjen në protestë, pasi kërkojnë mbi të gjithë përgjysmimin e tarifave të studimit.

Kërkesat e para të studentëve
1. Anulimi i pikës 4 të vendimit nr. 288 të majit të 2018 për tarifat për kreditet për lëndët e mbartura (Pika e 4 e vendimit u shfuqizua nga qeveria)
2. Përgjysmimi i tarifës së studimit. (grup pune për të negociuar)
3. Përmirësimi i kushteve të konvikteve. (grup pune për të negociuar)
4. Bordi i Administrimit të ketë numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrise së Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentët në bord. (grup pune për të negociuar)

Tetë kërkesat e Këshillit Studentor që iu dërguan dje ministres Nikolla (lexo këtu)
Përgjysmim i tarifës së studimit
Rritje në 50% e votës për zgjedhjen e dekanëve e rektorëve
Në bordin e administrimit të shtohet përfaqësi e studentëve
Mbështetja e studentëve për kërkime shkencore
Mbështetja e studentëve të doktoraturës me fonde
Përmirësim i kushteve të konvikteve
Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë
Pajisja e studentëve me kartë studenti brenda vitit 2018-19

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:24
Foto, studentët vijojnë protestën para ministrisë, shpalosin pankarta të ndryshme

Vijon në ditën e 5-të protesta e studentëve. më poshtë po ju sjellim disa prej fotove ku ata kanë shpalosur dhe pankarta të ndryshme.Protesta po vijon prej orës 10:00.

Ora 15:19
'Dil në shesh'/ Reagon Nikolla: Dola por u refuzova, e pabesueshme që studentët s'duan dialog

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka reaguar në rrjetet sociale pas daljes dhe refuzimit (Lexo këtu) në protestën e studentëve përpara zyrës së saj. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Nikolla ka komentuar reagimin e studentëve ndaj saj. Sipas ministres së Arsimit, ajo doli për të dialoguar për kërkesat që kanë shtruar këto ditë studentët, por këta të fundit, sikurse thotë ajo, në mënyrë të pabesueshme kanë vendosur të vazhdojnë protestën dhe të mos pranojnë komunikimin me të.

Postimi i plotë i Nikollës në Facebook
Ora 14:11
Të rinjtë në Kukës në mbështetje të protestës në Tiranë

Një grup të rinjsh kanë protestuar para ish-filialit të UT në Kukës. Të rinjtë kanë vendosur pankarta në muret e godinës në përkrahje të kërkesave të studentëve në Tiranë.

Ora 14:09
‘Detin ua dhuruat grekëve’/ Studentët heqin nga protesta pankartat politike

Studentët vijojnë që të jenë të vendosur për të mos pranuar që kauza të politizohet. Madje, ata  kanë hequr nga tubimi para ministrisë edhe pankartat me konotacion politik. Report Tv sjell një nga pankartat që është hequr nga studentët.

Pankarta që u hoq nga studentët në protestë
Ora 13:22
Nikolla shkoi t'i takojë, studentët nuk e pranojnë dhe e qëllojnë me vezë dhe letra (VIDEO)

Në një moment situata te Ministria e Arsimit dhe Sportit është tensionuar, pasi ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla shkoi të takojë studentët që protestonin poshtë zyrës së sa. Por ata refuzuan takimiin me të në vendin e prostestës dhe ajo u detyrua të kthehej sërish në zyrën e saj. Por ndërsa ajo po kthehej për të hyrë në godinë, studentët kanë lëshuar në drejtim të saj vezë dhe letra. Gjithashtu nuk munguan edhe thirrjet e brohoritjet kundër saj ‘'turp, turp, turp'’ nga studentët. Pas brohoritjeve dhe thirrjeve kundër, Nikolla e shoqëruar nga truprojat është futur në Ministrinë e Arsimit. Kryeministri Rama dhe ministrja Nikolla kanë bërë thirrje për dialog, por studentët nuk pranojnë duke kërkuar plotësimin e të gjitha kërkesave.  

Ora 13:20
Protesta e studentëve/ Kryemadhi: Na dhanë një leksion ne politikanëve

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ishte në një takim me strukturat ku foli rreth organizmit të protestës së studentëve. Teksa e cilësoi të drejtë kauzën e ngritur prej tyre për arsimin, Kryemadhi tha se është detyra e opozitës të ngrihej dhe të dalë në mbështetje të kërkesave dhe të përkrah të drejtat e tyre (lexo këtu).

Ora 13:03
Studentët: Ja pse s’i pranuam banorët e Astirit, ftojmë maturantët

Studentët kanë sqaruar se përse nuk pranuan banorët e Unazës së Re, ndërsa kanë ftuar maturantët në protestë. “Nuk i pranuam banorët e Astirit, pasi nëse do të vinin si prindër do i pranonim. Kanë të drejtë të protestojnë, i mbështes, por këtu jemi studentë, populli ka shumë kërkesa, por ne kemi kauzën tonë. Protesta nuk ka orar, e kanë në dorë studentët. Protesta do të vijojë derisa të gjejmë zgjidhje, presim të na bashkohen të gjithë maturantët. Kërkesat janë të pafundme, sa vijnë edhe shtohen. Në vijim do të shohim reagimin e ministrisë”.

Ora 13:03
Pedagogu i Mjekësisë: Të rritën edhe rrogat tona, që të na motivojnë

Protestës ditës së sotme i është bashkuar edhe njëri nga pedagogët e Universitetit të Mjekësisë, Elges Eskiu. Përpos kërkesave të studentëve, ai kërkoi edhe paga më të larta për pedagogët. “Jam bashkuar protestës, pasi ka një mijë probleme arsimi shqiptar dhe duhet që kërkesat të jenë më të mëdha dhe presioni të jetë më i madh. Studentët nuk janë këtu vetëm për tarifat. Duhet të ketë rroga më të larta për pedagogët, që të jenë më të motivuar” tha ai.

Ora 12:49
Studentët nuk i pranuan, largohen banorët e Unazës së Re

Pas debatit për disa minuta me disa nga studentët, banorët e Unazës së Re janë larguar nga Rruga e Durrësit, pasi nuk janë pranuar që tí bashkohen protestës. Studentët kanë deklaruar se nuk duan që të ndryshojë kauza e tyre.

Ora 12:43
Vajza e Azem Hajdarit: Jam gati të lë mandatin për t’iu bashkuar/ Studentët: Nuk e duam në protestë

Deputetja e PD, Rudina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit, u shpreh sot nga aktiviteti i organizuar në Qytet Studenti në kuadër të Ditës së Rinisë se është gati që të lerë mandatin për t’iu bashkuar të studentëve që po protestojnë te Ministria e Arsimit. 

"Sot dua t’i bëj një betim tim ati, t’iu bëj një betim të rinjve se jam gati të lë mandatit për t’iu bashkuar të rinjve. Nuk jam kthyer në Shqipëri për një post, por për vëllezërit e mi, për vajzën time, për të çuar amanetin e babait tim deri në fund.

Prandaj, sheshi i demokracisë sot nuk është këtu, është te Ministria e Arsimit dhe ne sot duhet të shkojmë sot t’i bashkohemi studentëve” deklaroi ajo. Por studentët nuk e kanë pranuar. Ata janë shprehur se "Të mos vijë, pasi nuk e duam këtu". Studentët kanë paralajmëruar edhe më parë PD-në që të mos tentojë që t'i afrohet protestës së tyre. 

Ora 12:36
Banorët e Unazës: Erdhëm si prindër! Studentët: Ju pranojmë po mbështetët kauzën tonë

Mes banorëve studentëve dhe banorëve të Unazës së Re ka pasur edhe një debat, pasi këta të fundit janë afruar te Rruga e Durrësit. Disa nga banorët janë shprehur se “Kemi ardhur si prindër këtu”. Por studentët kanë deklaruar se do të pranohen vetëm nëse janë pro kauzës së tyre dhe jo të protestojnë për çështjen e tyre.  

Ora 12:31
Banorët e Unazës së Re arrijnë te Rruga e Durrësit, nuk pranohen nga studentët (VIDEO)

Në Rrugën e Durrësit kanë arritur edhe banorët e Unazës së Re, por që deri tani nuk janë pranuar nga studentët. Për disa momente situata është tensionuar, ndërsa për të shmangur incidentet ishte ngritur një kordon nga policia.

Ora 12:08
Studentët: Banorët e Unazës së Re i pranojmë vetëm nëse i bashkohen kauzës sonë

E ndërsa më parë ishin kategorikë në vendimin e tyre për të mos pranuar banorët e Unazës së Re, studentët tashmë shprehen se i pranojnë në tubim, por vetëm nëse i bashkohen kauzës së tyre, ndërsa për PD-në nuk bëhet fjalë.

Ora 12:04
Studentët nuk tërhiqen: Nuk duam PD-në këtu, stop politikës

Studentët vijojnë që ti qëndrojnë idesë që nuk do të pranojnë asnjë banor të Unazës së Re dhe nga PD, pasi nuk pranojnë që kauza e tyre të politizohet. “Kjo është një protestë vetëm e studentëve, nuk lejojmë askënd që ka lidhje partiake, ky është qëndrimi ynë” shprehen ata.

Ora 12:04
Studentët qëllojnë sërish me vezë drejt Ministrisë së Arsimit

Studentët janë revoltuar duke qëlluar sërish me vezë godinën e ministrisë së Arsimit, ndërsa kërkojnë nga Nikolla që të zbresë në shesh.

Ora 11:54
Nisin reshjet e shiut, studentët vijojnë protestën me çadra

Edhe pse kanë nisur reshjet e shiut, studentët vijojnë protestën para Ministrisë së Arsimit.

 

Ora 11:45
PD dhe banorët e Unazës i bashkohen protestës? Studentët nuk pranojnë: Do bëjmë gardh

E ndërsa po protestojnë para ministrisë së Arsimit, studentët thonë se u ka ardhur një njoftim që PD dhe banorët e Unazës së Re do i bashkohen protestës. Studentët deklarojnë se nuk do tí  pranojnë në protestë, “do të bëjmë gardh për ti bllokuar, nuk i pranojmë këtu’ thonë ata.

Ora 11:35
Studentët akuzojnë me emra: Ja pedagogët që marrin lekë për provime

Studentët vijojnë protestën para Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në ditën e pestë të tubimit. Në ditën e sotme fillimisht ata kanë qëlluar me vezë ministrinë e Arsimit, ndërsa më pas kanë lexuar me megafon emrat e disa pedagogëve që sipas tyre kërkojnë ryshfet për provimet dhe për mungesat në universitet.
Studentët akuzojnë me emra pedagogët në Universitetin e Tiranës, Gjirokastrës dhe të Elbasanit. Megjithatë gazetarët nuk kanë në dorë asnjë provë për të vërtetuar akuzat (lexo këtu).

Ora 10:31
Vetëm në Shkodër ka protestë, në universitetet e tjera nuk ka tubime

Nga universitetet në rrethe vetëm në Shkodër po protestohet, pasi në Korcë, Elbasan, Vlorë dhe Durrës protesta do të rikthehet të martën.

Ora 10:27
Studentët arrijnë para ministrisë së Arsimit, qëllojnë me vezë drejt godinës

Studentët janë ndalur para MAS duke qëlluar me vezë godinën, ndërsa kanë lëshuar thirrje kundër ministres duke i kërkuar të plotësojë kërkesat.

Ora 10:12
Marshimi i studentëve shkakton probleme me qarkullimin në Tiranë

Ora 10:10
‘Çohuni nga kafja, bashkohuni me ne’/ Thirrja e studentëve për qytetarët

Gjatë marshimit drejt Ministrisë së Arsimit, studentët kanë kaluar nga zona e Bllokut, ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ngrihen nga kafenetë dhe të bashkohen me ata.

Ora 10:01
Skenari/ Protesta deri të hënën me grupe, të martën vijnë studentët nga rrethet

Sot, nesër dhe të hënën do të ketë marshim në grupe drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa të martën do të vijnë edhe nga rrethet për të vijuar tubimin para MAS.  Në krahasim me ditët e mëparshme, sot numri i protestuesve duket më i vogël, pasi një pjesë e studentëve janë larguar drejt qyteteve të tyre, pasi deri të hënën janë pushim.

Ora 09:59
Krahasimi me ditët e para/ Bie numri i studentëve në protestë

Studentët vijojnë marshimin drejt Ministrisë së Arsimit. Kjo është dita e pestë, por në krahasim me ditët e mëparshme, sot numri i protestuesve është më i vogël, pasi një pjesë e studentëve janë larguar drejt qyteteve të tyre, pasi deri të hënën janë pushim.

Ora 09:49
Studentët nisin marshimin drejt Ministrisë së Arsimit

Pas organizimit te Rektorati në sheshin "Nënë Tereza" në orën 09:30 studentët kanë nisur marshimin në drejtim të Ministrisë së Arsimit për të nisur protestën në ditën e pestë.

/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emigranti: 08/12/2018 19:28

    Qe ngriheni ne protest eshte mese normale po I vine koke gjese si ne nje familje kur i kerkoni ndonje prinderve nuk i jepni ultimatum per ta plocuar por e mind qe ajo qe kerkon eshte e domosdoshme Une qe po ju shkruaj jam prej 20 vjetesh ne SHBA kam nje femije qe e kam sjell 6 vjec ketu dhe sot po mbron doktoraten por ne si prinder na ka dal shpirti duke punuar nga 2-3 pune por edhe ai vete ka punuar qe ne shkoll te mesme e deri ne bacelor tani qe po ben 4 vjetet e doktatures nuk punon dot se shkolla eshte shum e veshtire Mod kujtoni se dhe ketej nuk ka veshtiresi se per keto 4 vjetet ka mare $120 mije dhe doti kthej kur te dale ne pune me iteres

    Përgjigju
  • Emigranti: 08/12/2018 19:28

    Qe ngriheni ne protest eshte mese normale po I vine koke gjese si ne nje familje kur i kerkoni ndonje prinderve nuk i jepni ultimatum per ta plocuar por e mind qe ajo qe kerkon eshte e domosdoshme Une qe po ju shkruaj jam prej 20 vjetesh ne SHBA kam nje femije qe e kam sjell 6 vjec ketu dhe sot po mbron doktoraten por ne si prinder na ka dal shpirti duke punuar nga 2-3 pune por edhe ai vete ka punuar qe ne shkoll te mesme e deri ne bacelor tani qe po ben 4 vjetet e doktatures nuk punon dot se shkolla eshte shum e veshtire Mod kujtoni se dhe ketej nuk ka veshtiresi se per keto 4 vjetet ka mare $120 mije dhe doti kthej kur te dale ne pune me iteres

    Përgjigju
  • Repolitix: 08/12/2018 17:05

    Te kerkojn edhe qe mos te vihen me mungesa kur len mesimin dhe bredhin kafeve dhe pastaj jua kan fajin petagoget qe ngelin, te kerkojn qe tjua sjellin kafen brenda me kamarier gjat leksionit, te pajiset cdo universitet me 1 dhom te posacme qe petagoget te shtypin studentet qe duan te kalojn se gjyna u grin na leket per hotelet, te hapet 1 strip club per cunat brenda universitetit, te lejohet masturbimi ne publik brenda ambienteve te shkolles, para se te behen provimet te pyeten studentet se ca note e duan edhe te behet arsimimi falas se amerika esht budallack qe e ka arsimimin publik me lek

    Përgjigju
  • sapa: 08/12/2018 16:20

    Studentet ne fakt duhej te ndihmoheshin nga populli i thjeshte!O sot o kurre!

    Përgjigju
  • toni: 08/12/2018 15:54

    studentet te kerkojne te mos kete me nota 4,pa u plotesuar ky kusht te mos ndalen

    Përgjigju
  • Protestues: 08/12/2018 15:21

    GABIM TAKTIK BANORET E ASTIRI NE PROTESTE NGA NJERA ANE DHE STUDENTET NGA ANA TJETER PRITET PTOTESTA E PENCIONISTEVE QE TE KERKOJNE RRITJEN E PENCIONEVE KA ARDHUR DITA E PERMBYSJES HISTORIKE

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zbulohen profecitë e Baba Vangës për vitin 2025: Alienët me apokalips, ilaçi kundër kancerit dhe nanoteknologjia! Çfarë u realizuan dhe çfarë jo më 2024

Zbulohen profecitë e Baba Vangës për vitin 2025: Alienët me apokalips, ilaçi kundër kancerit dhe nanoteknologjia! Çfarë u realizuan dhe çfarë jo më 2024