Sot është 8 Dhjetori, Dita kombëtare e Rinisë, që shënon dhe 28-vjetorin e vendosjes së pluralizmit në Shqipëri. Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave që sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë. Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.

Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nder të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare. Në kuadër të kësaj dite janë organizuar disa aktivitete, ndërsa kryetari i PD, Lulzim Basha nga Qytet Studenti deklaroi se nëse nuk do të pastrohet parlamenti nga krimi do ta rrëzojmë. Referuar edhe protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit, Berisha e cilësoi si ‘Dhjetorin e Dytë’. Presidenti Meta në mesazhin e tij për Ditën u shpreh se inkurajon dhe mbështet rininë e sotme, veçanërisht studentët. Ndërsa kryeministri Edi Rama përmes një mesazhi në Instagram e kujtoi 8 Dhjetorin duke theksuar se ‘28 vite më parë kjo ditë shërbeu si pikënisje për rrëzimin e komunizmit’.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:45
Basha: Ultimatum! Ose do pastrojmë parlamentin nga krimi ose do ta rrëzojmë

Nga Qytet Studenti, kryetari i PD, Lulzim Basha u bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen për të rrëzuar qeverinë, që sipas tij po bllokon të ardhmen e shqiptarëve. Basha u shpreh se Shqipëria po vidhet dhe grabitet nga një grusht njerëzish me Ramën në krye. Referuar kërkesës së PD për vetting në politikë, ai kishte edhe një ultimatum; ‘nëse nuk do pastrohet parlamenti nga krimi do ta rrëzojmë’. “Nga ky shesh studentët hapën dritën e ndryshimit. Edhe sot shumica e shqiptarëve gjenden në errësirë, të braktisur nga pushteti që është përqendruar në një dorë. Kushtet e studentëve janë përsëri mesjetare, të mjerueshme, ndërkohë që tarifat rriten. Qeveria duhet të kishte prioritet absolut. Në Bulevardin e Ri dhe në Unazën e Re familjet po rezistojnë kundër një projekti korruptiv.

Është një skemë e madhe grabitje dhe vjedhje. Këto nuk janë vendimet e shqiptarëve dhe të një qeverie që përfaqëson shqiptarët, këto janë vendimet e një grupi injorantësh dhe kriminelësh që kanë marrë peng parlamentin dhe vendin. Kanë bllokuar ëndrrën e Dhjetorit të 1990. Ky grup hajdutësh ka vetëm një projekt, atë të grabitjes së Shqipërisë. para që duhet të shkonin për këto konvikte janë zhdukur në gropat e korrupsionit në dhjetëra projekte. Ky sistem duhet rrëzuar me cdo kusht. Sot duhet të shohim nga e ardhmja si studentët tanë që janë derdhur në rrugët e Tiranës, pasi Shqipërinë nuk është e lirë si Europa. Le ta japim sot ultimatumin tonë politik, si dëshirë dhe aspiratë e cdo shqiptari. Parlamenti shqiptar ose do të pastrohet nga krimi ose do të rrëzohet, do të rrëzohet. Qeveria shqiptare u takon qytetarëve, ta çlirojmë nga krimi”tha Basha.

Ora 10:35
Dita e Rinisië, Berisha në Qytet Studenti: Protesta e studentëve, Dhjetori i Dytë

Në kuadër të 8 Dhjetorit, Partia Demokratike ka zhvilluar një aktivitet në Qytet Studenti për të kujtuar ngjarjen e para 28 viteve. Në fjalën e tij, ish-kryeministri Berisha u shpreh se studentët e Dhjetorit të 1990 ishin heronjtë e vërtetë.  “Studentët kishin marrë një vendim epik për të protestuar drejt sheshit për t’i kthyer Skënderbeun dhe sheshit popullit dhe kombit. Ata ishin heronj sepse u ngritën kundër etërve të tyre. Nuk e harroj atë ditë kur erdhën autobusët për ti shpërndarë duke u thënë se u kishte marrë koka erë. Por ndodhi e kundërta, ata u bashkuan me bijtë e tyre.

Ata ishin heronj sepse nuk kishin mbështetje të madhe. Ishin vizionarë. Lideri dhe heroi i tyre doli nga ky shesh si mesi për shqiptarët. Azem Hajdari u la peng Rudinën dhe Kirin, nëse do ti tradhtonte. Ata i besuan një fëmiu dhe një studenti që ti udhëhiqte drejt përballjes më të egër ndaj diktaturës mizore. Azem ti je gjallë dhe do të mbetesh i tillë në jetë të jetëve. Sot prej katër ditësh kemi një dhjetor të dytë. Si asnjëherë tjetër universitetet e vendit kanë nisur betejën ndaj regjimit të Edi Ramës. Ky regjim i ka mbyllur Shqipërisë dyert e Europës”deklaroi Berisha.

Ora 09:29
Dita e Rinisë, Rama: 28 vite më parë shërbeu si pikënisje për rrëzimin e komunizmit

Kryeministri Edi Rama ka kujtuar 8 Dhjetorin përmes një mesazhi në Instagram, ku thekson se 28 vite më parë kjo ditë shërbeu si pikënisja e rrëzimit të regjimit komunist dhe vendosjes së demokracisë në Shqipëri. “Në vitin 2009 Kuvendi i Shqipërisë miratoi datën 8 Dhjetor si ditën kombëtare të Rinisë, në kujtim të Lëvizjes së Dhjetorit 1990 që shërbeu si pikënisja e rrëzimit të regjimit komunist dhe vendosjes së demokracisë në Shqipëri” shprehet Rama.

Ora 09:03
8 Dhjetori/ Meta: Inkurajoj dhe mbështes rininë e sotme, veçanërisht studentët

Në kujtim të ditës së Rinisë, Presidenti Meta përmes një statusi në Facebook shprehet se Lëvizja Studentore 28 vite më parë frymëzoi ato minuta e orë vendimtare për të kthyer në Shqipëri lirinë e munguar. Kreu i shtetit thotë se inkurajoj dhe mbështes rininë e sotme, veçanërisht studentët. Kujtojmë që studentët po protestojnë prej katër ditësh para Ministrisë së Arsimit kundër tarifave.

“Mirënjohje të gjithë studentëve, të rejave e të rinjve, të cilët 28 vite më parë vërshuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës, me thirrjen që kumbonte nga gjokset e tyre rinore “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe “Liri-Demokraci”, për të shndërruar 8 Dhjetorin në Ditën e tyre, Ditën e Rinisë, Ditën e Lirisë, Ditën e Europës. Kujtojmë me nderim veprën e Azem Hajdarit, liderit të Lëvizjes Studentore, i cili me guxim, kurajo e shpirt sakrifice frymëzoi ato minuta e orë vendimtare për mijëra studentë, të rinj, pedagogë e intelektualë, për të kthyer në Shqipëri lirinë e munguar.

Jehona e thirrjeve “Liri-Demokraci” dhe e “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” të 8 dhjetorit 1990 është ende një aspiratë, jo plotësisht e realizuar. Inkurajoj dhe mbështes rininë e sotme, veçanërisht studentët, të cilët me shpirtin e tyre të lirë, energjinë, guximin e kurajon e pashembullt të marrin aktivisht pjesë në proceset demokratike për europianizimin e plotë të vendit dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurtë të tyre në Shqipëri” shkruan Meta.