TIRANE - Në 10-vjeçarin e fundit, Shqipëria nuk ka njohur një bilanc vdekjesh si në vitin 2020, moment në të cilin vendi ynë u prek nga pandemia Covid -19. Në këtë vit tragjik për popullin shqiptar, janë 5668 jetë të humbura më shumë se sa në 2019-ën. Në raportin e fundit të INSTAT për treguesit demografikë, në vitin 2020 humbën jetën 27.605 persona, ndërsa në 2019-ën pati 21.937 humbje. Rritja nga viti në vit është me 25,8 % ose 5.668 vdekje më shumë.

Nga 2011-a në 2019-ën në një studim të raporteve të INSTAT që Report Tv bëri, rezulton se nga viti në vit jetët e humbura janë shtuar mesatarisht me 633, ndërsa vdekjet më të larta, pa 2020-ën, janë shënuar në vitin 2015, me 1,762 vdekje më shumë se 2014-a.

Krahasimet e vdekjeve në total ndër vite

Vitet

2011-2012  858 vdekje më shumë

2012-2013  428 vdekje më pak

2013-2014  214 vdekje më shumë

2014-2015  1.762 vdekje më shumë

2015-2016  1030 vdekje më shumë

2016 – 2017  844 vdekje më shumë

2017 - 2018   428  vdekje më pak

2018 – 2019  133 vdekje më shumë

2019 – 2020  5668 vdekje më shumë

Por sa prej këtyre vdekjeve janë nga COVID?

Sipas raportimeve zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë deri më 31 dhjetor në mbyllje të 2020-ës pati 1181 qytetarë që humbën jetën nga koronavirusi në spitalet COVID. Nga totali i numrit të shtuar të vdekjeve (2019-2020), nëse veçojmë humbjet nga virusi, janë 4487 vdekje më shumë se 1 vit më parë, që INSTAT në raportin e tij nuk i ka specifikuar se nga cilat shkaqe kanë ardhur. Duke ju referuar historikut të raporteve të viteve të mëparshme për lindjet dhe vdekjet, shkaqet e numrit në total të vdekjeve janë përcaktuar përgjithësisht në raporte të tjera të bëra publike në muajin maj, që burim për përcaktimin e shkaqeve të vdekjeve kanë Gjendjen e Përgjithshme Civile.

Nga 2016 deri në 2019-ën shkaqet kryesore të vdekjeve në Shqipëri sipas klasifikimit ndërkombëtar të sëmundjeve, janë: Sëmundjet e gjakut, tumoret dhe sëmundje të papërcaktuara që kanë marrë nga 3 mijë deri në rreth 12 mijë jetë në vit. Praktikisht, për vitin 2020, mbi këtë historik sëmundjesh, Covid 19 do të ishte në vendin e katërt, për nivelin e lartë të vdekshmërisë.

SHKAQET E VDEKJES

                                                          Viti 2016                            Viti 2017

Sëmundjet e gjakut                           11637 vdekje                      11926 vdekje

Tumore                                              3571 vdekje                        3645 vdekje

Sëmundje të papërcaktuara              3206 vdekje                        3566 vdekje

Totali                                                 21388 vdekje                      22,232  vdekje

                                                            Viti 2018                            Viti 2019

Sëmundjet e gjakut                            11559 vdekje                       11704 vdekje

Tumore                                               3695 vdekje                         3772 vdekje

Sëmundje të papërcaktuara              3689 vdekje                         3583 vdekje

Totali                                                 21,804 vdekje                        21,937 vdekje

 

  ---                                                       Vitit 2020

  ---                                                       27,605 vdekje

***

TETOR-DHJETOR 2020, 3976  VDEKJE MË SHUMË SE 2019-A

Tre muajit e fundit të 2020-ës, tetor, nëntor dhjetor, mund të konsiderohen si më të errëtit sa i takon numrit të vdekjeve në vend pasi janë regjistruar 9.397 vdekje nga 5.421 që ishin në tremujorin e fundit të vitit 2019, duke pësuar një rritje prej 73.3% ose 3976 vdekje më shumë. Në këto 3 muaj që u shënuan 794 vdekje nga COVID, numri i vdekjeve u dyfishua në Elbasan, Fier dhe Berat, krahasuar me 2019.

Katër qarqet që kanë pasur numrin më të lartë të fataliteteve për gjithë vitin janë Lezha me rritje 34.2%, Tirana me 32.3%, Elbasani me 31.3% dhe Shkodra me 30.9% më shumë se në 2019-n. Numri më i ulët i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 627 vdekje.

***

LINDJET DHE SHTESAT NATYRORE NË MINIMUM HISTORIK

Nga ana tjetër në tremujorin e katërt 2020 tregon se janë 2.386 vdekje më shumë se sa lindje, ndërsa për vitin 2020 shtesa natyrore ishte 470 lindje më shumë se vdekje.

Në total në vitin e shkuar numri i lindjeve ishte 28.075 foshnja, duke shënuar një rënie me 1,7 %, krahasuar me një vit më parë. si shtesat natyrore ashtu edhe lindjet në 2020 janë në nivelin më të ulët historik që nga viti 1990, kur janë raportimet e para që disponon INSTAT.

(Kliko këtu për të lexuar treguesin demografik)