Dhomat e Specializuara në Hagë bënë të ditur se më 27 shkurt do të mbahen deklaratat hyrëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në rastin për pengim të drejtësisë.
Ata akuzohen se, gjatë periudhës prill-nëntor 2023, kanë ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria për çështjen gjyqësore për krime lufte “Thaçi dhe të tjerët”.
Aktakuza e konfirmuar nga gjykata më 29 nëntor, 2024, thekson se Thaçi u dha informacione konfidenciale bashkëpunëtorëve të tij dhe i udhëzoi ata për të ndërhyrë në dëshmitë e dëshmitarëve.
Të pesë të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm. Pas deklaratave hyrëse, Prokuroria do të fillojë prezantimin e provave të saj.
Thaçi, ish-president i Kosovës, akuzohet edhe për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, së bashku me tre ish-eprorë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Nga java e kaluar janë duke u zhvilluar deklaratat përmbyllëse në këtë rast, ku mbrojtja argumentoi se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme për krimet e pretenduara, ndërsa Prokuroria kërkoi që të katërtit të shpallen fajtorë.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues, i cili ka afat tre muaj për të marrë një vendim ose mund të kërkojë zgjatjen e këtij afati.
Njoftimi i sotëm vjen në ditën kur Kosova shënon 18-vjetorin e pavarësisë, ndërsa pritet edhe një protestë që do të adresojë, sipas organizatorëve, trajtimin e padinjitetshëm të të akuzuarve në Hagë./REL
Komente












