/ATSH/-Zv/kryeministri e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehet se vizita zyrtare në Mal të Zi që mbylli me sukses ditën e djeshme, përkoi me një datë të shënuar, me përvjetorin e 171-të të ditëlindjes së njërit prej baballarëve të kombit shqiptar, Ismail Qemal Bej Vlorës.

Në një postim në rrjetin social Facebook mbrëmjen e djeshme, Thaçi shprehet se "në historinë moderne të popullit tonë, ai ka qenë padyshim figura me kontributin më të rëndësishëm politik duke i dhënë një hov të vrullshëm rilindjes sonë kombëtare, duke shpallur pavarsinë dhe themeluar shtetin e parë shqiptar".

"Jeta dhe vepra e tij e ndritur kanë shërbyer si burim frymëzimi për mua, bashkëluftëtarët e mi si dhe cilindo veprimtar të përpjekjeve të popullit shqiptar për liri", ka përkujtuar Ismail Qemalin zv/kryeministri e kryediplomati Kosovar, Thaçi duke sjellë ndër mend fjalët dhe tingujt e një valleje të bukur labe, Vallen e Vranishtit "Cili je ti more burre", të cilën e postoi në Facebook.