PRISHTINË Kryeministri Hashim Thaçi thekson se edhe Kosova është pjesë e aleancës botërore për shkatërrimin e terroristëve të ISIS-it.
"Presidenti Obama shpalosi planin për shkatërrimin e terroristëve të ISIS që nënkupton veprime kundër pjesëtarëve të këtij grupi, por edhe ndihmë humanitare popullatës në Irak dhe Siri. Kosova është pjesë e kësaj aleance botërore që po krijohet për të luftuar një të keqe të madhe", shkruan Thaçi në Facebook. Ai shton se, "Qeveria e Kosovës po punon në një paketë masash që parandalon shkuarjen e luftëtarëve nga Kosova, veprime ekonomike në krijim të vendeve të reja të punës dhe reforma në arsim".
"Ne nuk do të ndalemi së punuari për ta përforcuar rrugën tonë euro-atlantike që nënkupton edhe kontributin tonë të drejtpërdrejtë ndaj aleatëve historikë të Republikës së Kosovës", përfundon Thaçi./ATSH/