/ATSH/.- Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës në Gjermani mbajti një ligjëratë mbi postulatet kryesore të politikës së jashtme kosovare në Këshillin gjerman për Politikë të Jashtme.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Thaçi thekson se " gjatë qëndrimit në Berlin mbajta një ligjeratë rreth politikës së jashtme të Kosovës në Këshillin për politikë të jashtme të Gjermanisë. Ky institucion është i vjetër mbi 60 vjet dhe mbledh ekspertët kryesorë të politikës së jashtme gjermane. Në publik kishte mjaft ambasadorë, zyrtarë të lartë dhe studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe miq të Kosovës. Në shumë pika, politika jonë e jashtme preket me interesat nacionale të Gjermanisë".
Salla kryesore e ligjeratës ishte e mbushur, prandaj pati mjaft publik të interesuar edhe në sallat anësore. Kosova tashmë e ka dëshmuar vetveten si një faktor stabiliteti dhe progresi në Ballkan. Publiku i shumtë që kishin ardhur të më dëgjonin, kishin interes edhe për çështjet e migrimit, Gjykatën Speciale, dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Shpjegova që kosovarët e duan Gjermaninë dhe qindra mijëra kanë edhe lidhje familjare në Gjermani. Kjo është një nga arsyjet pse migrantët kërkojnë azil të paligjshëm në Gjermani - duke shpresuar në rrjetin përkrahës familjar për integrim. Por, integrim nuk do të ketë për ata që kërkojnë azil dhe mbrojtje nga Kosova. Kosova nuk është e rrezikshme dhe Gjermania do t'i kthejë emigrantët", nënvizoi Thaçi.
Kreu i diplomacisë kosovare u shpreh se "Kosova do të kërkojë edhe ndihmën e Gjermanisë për anëtarësim në Këshillin e Europës, Partneritet për Paqe të NATO-s, agjencitë dhe organizatat e tjera, por edhe për njohje nga 5-shja e BE-së".