/ATSH/.-Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në seancën e të enjtes do të shqyrtojë raportin e rregullt të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Moon mbi zhvillimet tremujore në Kosovë, të cilën pritet ta përfaqësojë kryeministri Hashim Thaçi.

Në seancën e KS të OKB-së pritet të marrë pjesë edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

RTK në korrespondencën nga Nju Jorku bën të ditur se në raportin më të ri Sekretari i Përgjithshëm shpreh shqetësimin për, siç thotë, 'moskonstituimin pas zgjedhjeve të organeve udhëheqëse të Kosovës' dhe u bënë thirrje 'të gjitha subjekteve politike në radhë të parë kryetarëve të tyre që të rrisin përpjekjet në mënyrë që zgjedhjet e 8 qershorit të jenë të suksesshme'. Raporti ishte publikuar para arritjes së marrëveshjes për koalicon qeverisës midis Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe përfshin periudhën raportuese nga 16 korriku deri më 15 tetor.

Në raport Sekretari i Përgjithshëm po ashtu thekson se brezi i tashëm i udhëheqësve politikë duhet të vazhdojë me procesin, siç e quan, 'historik të normalizimit të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofron Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim me BE-në'.

Sekretari i Përgjithshëm në këtë raport ka falënderuar angazhimin e udhëheqësve të Kosovës për qasjen dhe zgjidhjen e çështjes së pjesëmarrjes së shtetasve kosovarë në konfliktet e huaja dhe në këtë kuadër ka përshëndetur edhe liderët e bashkësisë islame dhe të përkatësive të tjera fetare në Kosovë për distancimin nga ekstremizmi