/ATSH/.- Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit të tij në Mal të Zi, ka takuar disa prej familjeve rome që janë shpërngulur në këtë shtet.

Sipas KosovaPress, përmes një publikimi në rrjetin social "Facebook", Thaçi ka bërë të ditur se u ka bërë thirrje këtyre familjeve që të kthehen në vendin e tyre.

"Sa isha në Podgoricë, po ashtu u takova me familjarë romë me prejardhje nga Kosova e të ikur që në vitin 1999 në Mal të Zi. Shumë prej tyre kanë shprehur dëshirën të kthehen, por uzurpimi i pronave, paragjykimi për siguri të mangët apo mungesa e dokumenteve ua pamundësojnë kthimin. Dy qeveritë tani kanë filluar procesin e pajisjes me dokumente, ndërsa edhe programi i përkrahjes për ata që kthehen tanimë është aprovuar", ka shkruar Thaçi në "Facebook".

Ai shkruan se u ka thënë atyre që dëshirojnë të kthehen se, qeveria do të bëjë çmos për ta lehtësuar këtë kthim.

"I sigurova se tanimë kemi ndërtuar shtet ku çdo qytetar i saj mund të ndihet krenar me identitetin e vetë dhe të ndihet i sigurt për të ndërtuar jetë të lumtur", shkruan Thaçi në "Facebook".