'The Calvert Journal': Shqipëria një nga sekretet e Europës, 5 destinacionet e duhura për alpinizëm (FOTO)

'The Calvert Journal': Shqipëria një nga sekretet e Europës, 5 destinacionet e duhura për alpinizëm (FOTO)

Bovilla

Faqja e njohur që përfshin Ballkanin dhe Evropën Lindore ”The Calvert Journal”, e ka konsideruar Shqipërinë si një nga vendet e përshtatshme për alpinizëm.

Ajo përfshin 5 vendet ideale në vendin tonë për ngjitjen e rradhës nga turistët.

Shqipëria ka qenë për një kohë të gjatë një nga sekretet e Europës, me bukuri të bollshme natyrore, plazhe mahnitëse dhe ujëra të pastra si kristal, shkruan Aaron Gerry për ”The Calvert Journal”.

Vendi është gjithashtu destinacion i klasit botëror për alpinizëm, ashtu si Italia dhe Greqia. Është një nga vendet më shkëmborë në Europë, me terrene malore që përbëjnë 70% të territorit.

Sot, në Shqipëri ka më shumë se 80 rrugë për alpinizëm, me mundësi për mijëra të tjera shtesë. Megjithatë, krijimi i rrugëve të reja ka qenë disi i kufizuar.

Foto gjatë ngjitjes

Duke pasur një komunitet të vogël si dhe duke jetuar në një vend me ekonomi të dobët, ka qenë gjithmonë sfiduese për të marrë buxhet për ndërtimin e rrugëve të reja për alpinizëm”, thotë Elion Çikopano, një nga zhvilluesit kryesorë të rrugëve të alpinizmit në Shqipëri.

Krijimi i rrugëve të sportit kërkon materiale që përfshijnë spiranca prej çeliku inoks e pajisje sigurie.

Çikopano vlerëson se krijimi i rrugëve të reja kërkon 100-150 euro vetëm për pajisje, shumë jo e vogël për një vend ku rroga mujore mesatare është 425 euro.

Si rezultat, alpinistët vendas i kanë kërkuar komuniteteve ndërkombëtare të ndërgjegjësohen për alpinizmin në vend dhe të ndihmojnë në përpjekjet e zhvillimit.

”Pesë vitë më parë, vendosëm të krijonim një festival vjetor alpinizmi”, shton ai, një nga bashkorganizuesit e Festivalit Shqiptar të Alpinizmit, një organizim vjetor treditor, i mbushur me alpinizëm, lojëra me ekuilibër në litar, seanca joge dhe bukuri të mrekullueshme natyrore.

”Paratë që fitojmë nga biletat shkojnë në fondet tona dhe na kanë dhënë mundësinë të ndërtojmë vetë rrugë të reja”, shton ai.

Si rezultat i pesë festivaleve  që janë zhvilluar deri më tani, ata kanë shtuar 50 rrugë të reja alpine.

Foto nga Adam Ondra

Pjesa më e madhe e vendosjes së litarëve është bërë nga alpinistët vizitorë, shumica prej të cilëve mësuan për vendin përmes festivalit.

Ngjarja e parë e zhvilluar në 2015 tërhoqi mbi 400 të pranishëm dhe mblodhi shtypin ndërkombëtar, gjë që çoi në rritjen e turizmit të alpinizmit.

”Tirana, një qytet i bukur, është i rrethuar me male të mrekullueshëm me gurë gëlqerorë”, thotë Adam Ondra, i cili konsiderohet sot alpinisti më i mirë, në një postim në instagram nga udhëtimi i tij në vitin 2018.

“Deri më tani, janë rregulluar vetëm zonat në Brar dhe Bovillë, me rreth 20 rrugë secila, por me potencial zhvillimi që shkon në qindra rrugë”, shprehet ai.

Është e rrallë sesi kaq pak territor i prekur, i përgjigjet sporteve të natyrës, qoftë për alpinizëm, ecje, xhiro me biçikletë në mal e tjerë.

Fatkeqësisht, projektet ilegale të hidrocentraleve kërcënojnë shumë zona për alpinizëm, duke synuar lumenjtë që kalojnë përmes tyre.

Vjosa dhe Valbona konsiderohen disa nga lumenjtë e fundit të paprekur në Europë dhe janë shtëpi e rreth 70 llojeve endemike peshku, së bashku me specie të rrezikuara, si rrëqebulli i Ballkanit.

Për të ndihmuar në luftën kundër shfrytëzimit të papërshtatshëm, alpinistët po kërkojnë të përdorin sportin si mënyrë për të kultivuar turizëm të qëndrueshëm, për të siguruar punë për vendasit dhe për të mbrojtur tokën në vitet e ardhshme.

“Në Brar, një bar restorant i vogël familjar ka rritur xhiron e biznesit që kur Adam Ondra e publikoi në llogarinë e tij. Numri i restoranteve në Bovillë është rritur dhe kampet në Gjipe qëndrojnë të hapura gjatë gjithë vitit për shkak të vizitave të alpinistëve”, thotë Çikopano.

”Për shumë fshatarë, turizmi po kthehet në burim kryesor të të ardhurave”, thekson Ëolfgang Schussler, një alpinist gjerman, aktivist pro zhvillimit të Valbonës në veri dhe kundër ndërtimit të hidrocentralit, pjesë e organizatës për ruajtjen e alpeve shqiptare, 'Toka'.

“Në planin afatgjatë, ata po kuptojnë se kanë pasuri të mëdha natyrore dhe rëndësinë e ruajtjes së tyre”, shton ai.

Për një sport që po arrin kulmin në të gjithë botën, edhe shqiptarët po zbulojnë gëzimet e alpinizmit. Sot, ju mund të gjeni mbi 60 fëmijë që praktikojnë alpinizmin në palestrën e parë të vendit për këtë sport, që u hap në vitin 2012.

“T’i shohësh ata të rriten fizikisht, mendërisht dhe në aftësitë e alpinizmit është një nga arritjet tona më të mëdha për të ardhmen e alpinizmit në Shqipëri”, tregon Çikopano.

Falë disa alpinistëve të paduruar, shqiptarët po prezantohen me alpinizmin dhe bota po riprezantohet me Shqipërinë.

Bovilla

Ngjituni nëpër shkëmbinjtë sipër ujërave të kaltër me pamje kodrash dhe vargmalesh në Bovillë. E gjendur rreth një orë nga Tirana, zona e parë e alpinizmit në vend ka një bollëk rrugësh të arritshme në kategoritë 5b-7c.

Zhvillimi fillestar filloi në vitin 2010 dhe u ndërtua ngadalë nga vendasit dhe të huajt e asaj kohe.

Në verë, pranë lumit ndodhet një kafe e vogël ku mund të freskoheni duke u lagur në ujë dhe me një pije freskuese në dorë.

Brar

Këtu nuk ka rrugë të lehta. Ne fakt, kanioni ka rrugët më të vështira në Shqipëri, kategoria 9b.

Një alpinist profesionist francez, Seb Bouin, e ngjiti rrugën me një herë, para Krishtlindjeve në vitin  2019.

Terreni këtu është i përbërë nga pjesë të pjerrëta dhe nga gurë gëlqeror me vija të verdha, portokalli dhe gri.

Nëse jeni të zotë, Tirana është shumë mirë e pozicionuar si bazë, sepse shkëmbinjtë gjenden vetëm 20 minuta me makinë larg qytetit.

 Pasi të kenë kaluar muret në këmbë, alpinistët do të gjejnë rrugë të kategorive 6c dhe të tjera më shumë se 7a. Nga vendasit konsiderohet si terreni më i mirë për alpinizëm, gjë që është e dukshme nga profesionistë nga e gjithë bota, të cilët marrin përsipër këtë sfidë.

Adam Ondra në Brar

Gjipe

Vendndodhja ideale përgjatë rivierës shqiptare. Duke qëndruar në grykën e kanionit të Gjipesë, plazhi i izoluar është pamja më piktoreske e Shqipërisë.

Litarët për ngjitje dalin nga stacioni i zbardhur nga dielli, si shkëmb koralor, ndërsa valët lëvizin butësisht si ajri që hyn në një rezervuar peshku.

Rëra e bardhë që shtrihet rreth pesë metra, ju ndan nga uji dhe nëse vjen ndonjë dallgë e madhe do shihni këmbët që ju lagen.

Riviera shqiptare konkurron atë franceze dhe italiane, me luksin e të qenit shumë më pak e vizituar. Për të mbërritur atje, është katër orë rrugë me makinë nga Tirana.

Gjipe

Përmet

Alpinizëm, pastaj qetësohuni në banjat termale. Kanioni Lengarica, i ndodhur afër Përmetit, është më i njohuri për banjot termale, megjithatë nuk duhen anashkaluar mundësitë që ofron për alpinizëm.

Humnera ndodhet brenda parkut kombëtar “Bredhi i Hotovës”, më i madhi në llojin e tij në vend dhe është rreth katër orë rrugë me makinë në juglindje të Tiranës.

Kanioni është afërsisht 4,5 kilometra i gjatë. Ngjitja e veçantë realizohet nga litarë të varur dhe shpella dramatike, në të cilat thuhet se ka mbetje njerëzore mbi 4 mijë vjeçare.

Më pas, qetësohuni në ujërat e ngrohta kurues të lumit Lengarica, që kanë një temperaturë prej rreth 30°C gjatë gjithë vitit.

Përmeti, një ish-fshat osman i shekullit XV, ka në qendër të tij një shkëmb të veçantë të mbushur me legjenda.

 Është 42 metra i gjatë dhe në majë ndodhet një sit arkeologjik që mund të datojë në shekullin IV.

Përmet

Thethi

“Chamonix”-i i Shqipërisë, Thethi është një luginë me dredha, ndoshta shkëmbi më i gjatë në gadishullin e Ballkanit. Mali i Arapit, ose “I errëti”, është 2217 metra i lartë dhe përmban një shpat që ngrihet 800 metra mbi tokë.

Në vitin 2010, një ekspeditë gjermane përfundoi ngjitjen e shpatit që përbëhej nga një rrugë e kategorisë 7a.

Rruga deri në Theth është gjysma për në destinacionin e famshëm Valbonë-Theth.

Ecja për atje është 17,5 kilometra dhe ju duhen rreth 7 orë. Në të vërtetë, bëhet më shpejt se sa me makinë, që duhen përafërsisht 10 orë.

Nisja e udhëtimit nga Shkodra është mënyra më e lehtë për të arritur në Theth, megjithatë mund të arrini në luginë edhe duke u nisur nga Tirana, për rreth 4 orë me makinë.

 Duhet të dini se do t'ju nevojitet një makinë e madhe për të përshkuar rrugët e vështira.

Edhe pse ka një potencial të pakufishëm, vendi nuk është zhvilluar shumë.

Në mjedisin alpin të paprekur ndodhen masivë gëlqerorë, shpellat horizontale më të gjata në vend dhe fusha me gurë.

Nëse po kërkoni një vend për alpinizëm dhe një rrugë sportive më të shkurtër në një zonë alpine, Thethi është destinacioni juaj i duhur.

Theth

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arjan Hoxha nga selia blu: Rakip Suli ka dhënë leje ndërtimi në një zonë të shpallur të rrezikshme nga institucionet e shtetit, SPAK ta hetojë!

Arjan Hoxha nga selia blu: Rakip Suli ka dhënë leje ndërtimi në një zonë të shpallur të rrezikshme nga institucionet e shtetit, SPAK ta hetojë!