Nuk ka dritë jeshile në fund të tunelit për demokratët, të cilët vijojnë të thellojnë përçarjen ndërvedi ndërsa sot pasdite pritet të mblidhet kryesia e PD-së. Përplasja e fundit që ka të bëjë me kohën se kur duhet të zgjidhet kryetari ka nxjerrë në pah divergjencat edhe më të thella.
Kryetar i degës nr.6 të Partisë Demokratike Tiranë, Dashnor Visha në një intervistë me skype në emisionin “Sot live në Shqipëri” në Report TV me gazetarin Nertil Agalliu, paralajmëron se nëse kryesia e PD-së do të vendosë shtyrjen e zgjedhjes së kryetarit, siç e kërkojnë deputetët e grupit parlamentar të PD-së, atëherë vendimi i tyre nuk do të njihet nga Kolegji. Ky i fundit do të vijojë hapat në funksion të zgjedhjes së kryetarit të PD-së.
"Një parti nuk mund të funksionojë pa një kryetar. Edhe Basha ka të drejtën e vet për të qenë kryetar i PD-së" thotë Visha për gazetarin Nertil Agalliu
Platformën me pesë pika të propozuar dje nga sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi dhe 16 deputetë të grupit parlamentar demokrat e sheh si zvarritje dhe largim për largim dhe asimilim i strukturave të demokrate
Intervista
Report TV: Sa kryetarë degësh kanë firmosur deklaratën e këshillit të kryetarëve dje?
Dashnor Visha: E them me përgjegjësi, nga 71 degë që ka PD prezent kanë qenë 60 kryetarë degësh.
Report TV: Sa vendimmarrës është kolegji i kryetarëve?
Dashnor Visha: Në bazë të statutit të PD-së, kolegji është organ këshillues por duke pasur parasysh rrethanat kolegji ka mbajtur peshën kryesore të proceseve dhe ka marrë atributet e një organi vendimmarrës sa i takon rëndësisë që kanë vendimet momentale sa i takon zhvillimeve të PD-së
Report TV: Sikur ka tre rryma në PD, a do të bashkohen demokratët për të arritur në një konkluzion
Dashnor Visha: Vendimi sot do i përcillet kryesisë së PD-së. Besoj se do të dëgjohet zëri. Shoh qëndrime të ndryshme por jo divergjenca që mund ti quaj grupime, por fundi fundit kjo është demokracia. Nuk shoh ndonjë ndarje të qenësishme. Kolegji është në vendim unanim për hapjen e procesit deri në zgjedhjen e kryetarit 15 korrik
Report TV: A jeni për rikandidim të zotit Basha
Dashnor Visha: Në cilësinë e deputetit, si dhe të ish kryetarit, Basha ka të drejtën të bëjë takime me demokratët. Personalisht nuk jam për të dhënë emra të personave që kanë të drejtën për të kandiduar. Jam i mendimit që PD prej një viti e ca e ka vuajtur mungesën e kryetarit. Nuk është çështje emrash. Edhe Basha ka të drejtën e vet për të qenë kryetar i PD-së. Një parti nuk mund të funksionojë pa një kryetar.
Report TV: Si e shikoni platformën e grupit PD?
Dashnor Visha: Platforma zvarrit qenien e PD-së pa drejtues, ndërkohë që demokratët janë të tulatur dhe u ka rënë morali. Ata kanë nevojë për drejtues. Vendimi i Kolegjit të kryetarëve është që procesi duhet të nisë nga lart poshtë për zgjedhjen e kryetarit. Çdo vendim tjetër i dalë nga kryesia nuk do të merret parasysh nga kolegji i kryetarëve dhe kolegji do të shikojë mundësinë e çdo hapi tjetër në funksion të zgjedhjes së kryetarit të PD pa u zvarritur me platforma. Çdo zvarritje është largim dhe asimilim i strukturave të demokrate
Report TV: Shikoni dritë në fund të tunelit apo jeni ndarë përfundimisht me Rithemelimin
Dashnor Visha: Ky mund të ishte hap i mirë dhe hap i parë për bashkim. Nuk shohim dritë jeshile dhe deklaratat nuk na japin mundësi për bashkim, gjithsesi dera është e hapur. Jemi për bashkim por fatkeqësisht nuk shoh dritë jeshile