TIRANE- Për herë të parë në Shqipëri është themeluar "Parlamenti i Nxënësve", i cili do të shërbejë si një forum ku do të dëgjohet zëri i nxënësve në funksion jo vetëm të përmirësimit të cilësisë së arsimit, por edhe eksperiencës së tyre shkollore.

Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini, Zëvendësministrja për Rininë Lorena Haxhiu, përfaqësues të institucioneve të arsimit parauniversitar, nxënës e prindër të ftuar, mësues koordinatorë, mësues ndihmës dhe drejtues shkollash etj.

Duke iu drejtuar parlamentarëve të zgjedhur, Ministrja Shahini u shpreh se MASR është ministria e të rinjve dhe fëmijëve, prandaj edhe vendimet duhet të merren duke i dëgjuar fëmijët dhe të rinjtë. 

“Kemi dëgjuar të rriturit, mësuesit ose prindërit, por kësaj i erdhi fundi sot. Mësuesit ose prindërit do të jenë gjithmonë partnerët tanë që të arrijmë më të mirën në sistemin e arsimit, por duam të dëgjojmë direkt edhe nga ju për shkak se është shumë e rëndësishme të mësojmë nga ju se si ndikoheni nga vendimet që ne marrim çdo ditë”- tha ajo. 

Sipas ministres Shahini, angazhimi në "Parlamentin e Nxënësve" përbën një ushtrim demokracie dhe vullnetarizmi.

Në këtë seancë të parë janë zgjedhur kryetari dhe zëvendëskryetarët e Parlamentit të Nxënësve, anëtarët e Sekretariatit Teknik. Ndërkohë që janë bërë ndarja e anëtarëve të Parlamentit në komisionet parlamentare, angazhimi për ndarjen e detyrave mbi hartimin e rregullores dhe vendosja e datës së mbledhjes së ardhshme – mbyllja e punimeve. Anëtarët mblidhen tre herë në vit për të diskutuar çështjet e rëndësishme për ta, si dhe për iniciuar aktivitete në nivel kombëtar.