'Thesare të humbura': Pasaporta e Kadri Roshit, 1959 dhe Leja e Hyrjes në Moskë – Film

'Thesare të humbura': Pasaporta e Kadri Roshit, 1959 dhe Leja e Hyrjes në Moskë – Film

Kadri Roshi

Poeti dhe kineasti i njogur Petrit Ruka ka nxjerrë nga arkivi personal dy objekte me vlera muzeale që i përkasin aktorit të madh Kadri Roshi. Ai ruan në këtë arkiv dy objekte të çmuara, pasaportën e Kadri Roshit, në vitin 1956, ku shkruhet se i jepet me një afat kohor për 10 vjet dhe Fletë Hyrjen e Kadri Roshit, të dhënë në vitin 1959 për në studion e famshme Moskë- Film, 1959
“’Thesare të humura’. Foto e pasaportës së Kadri Roshit, Nderi i Kombit, e vitit 1959 dhe Fletë hyrje e Kadri Roshit për në studion e famshme Moskë- Film, 1959
Një ditë, kur ky vend të bëhet, foto të tilla do jenë një thesar i madh kulture... Arkivi P. Ruka”, me këtë status autori i librit “Kadri Roshi, kalorësi mbi det” dhe i dokumentarit “Butrinti i gjallë”, kushtuar Kadri Roshit tërheq vëmendjen për krijimin e fondeve muzeale kushtur themeluesve të kinemasë shqiptare.

Petrit Ruka e ka njohur nga afër Kadri Roshin dhe ka shumë kujtime me të gjatë punës në ish –Kinostudion Shqipëria e re, por edhe pas shkatërrimit të saj.

Ruka në librin e tij “Kadri Roshi, Kalorësi mbi det” botuar në vitin 2009, kujton mes të tjerash një episod nga vizita e tij në qytetin e vogël të Tepelenës, ku rrëfehet zemërmadhësia e aktorit. Ky tipa së bashku me talentin e madh e bënë atë që të jetë një nga aktorët më të adhuruar….

Pasaporta e Kadri Roshit

“Aktori u dha dorën pothuajse të gjithëve dhe kërkoi që rrugën deri tek Pallati i Kulturës ta bënim në këmbë. Nuk kishim bërë as dhjetë çape kur ndaloi e preu skiç trotuarin. Ndaluam e u kthyem të gjithë andej nga po shkonte me hapa të mëdhenj e energjikë si të një djali.
Përpara një magazine, buzë trotuarit, katër - pesë egjiptiane po ngarkonin një makinë me miell. Dy prej tyre, sapo e panë, mbetën të hutuar me thasët e rëndë në kurriz. Kadri Roshi ndërkohë ishte përqafuar me të parin dhe po takonte të dytin që iu hodh në qafë duke ia bërë kostumin e zi krejt të bardhë. Ne ishim afruar rreth këtij takimi të Aktorit me djemtë hamallë të emocionuar.
- E di pse u takova, mor djem?! - u tha Kadri Roshi, - … se…se kam qenë vetë hamall në Kavajë e në Durrës. Ja në moshën tuaj isha…
Zëri i tij u valëzua përmes një ngashërimi të përmbajtur. Filloj t’i mbahej goja…
Ishte me të vërtetë diçka prekëse.
Një djalë me kamera amatore e pati xhiruar gjithë skenën. Kostumi i Kadri Roshit është përlyer i tëri me pahun e miellit të bardhë, po ai as që e vuri re dhe u nis ashtu i përzbardhur midis rrugës që të çonte në qendër të qytetit. Tek pallati nuk u besoje dot syve. Nuk kishte zbarkuar vetëm qyteti, kishin ardhur qindra njerëz edhe nga fshatrat. Sapo u shfaq, ia befën si një shungullimë duartrokitjet.
Duke ngjitur shkallët më kap një valë mallëngjimi. Si ishte e mundur?! Me çfarë ia kishte arritur kësaj dite ky njeri që lëvizte kaq zemra prej kraharorit. Me çfarë sekreti ishte ngjitur deri në këto maja të pasosura adhurimi?!
Kishte ardhur një kohë tjetër, ku idolet ishin përdhosur deri në atë derexhe sa të ikte mendja e kokës. Kisha parë sesi njerëzit kishin filluar t’i prisnin të mëdhenjtë e shtetit deri tek presidentët e kryeministrat me një indiferencë therëse, për të mos thënë me një farë përçmimi të pafshehur. Ndërsa këtë njeri, thjesht një njeri, pa kurrfarë pushteti politik, një artist të varfër, një plak që po u afrohej sinoreve të vdekjes po e prisnin si një hero të përjetshëm të tyre edhe në rrugë. Koha e shkretëtirave shpirtërore nuk po e vjetëronte, përkundrazi e ngrinte lart deri në kufijtë e shenjtërimit.

\Kam parë aktorë të tjerë që i prisnim me respekt ngado, por vetëm Kadri Roshi ishte kthyer qysh i gjallë në një mit.
Është tmerrësisht e vështirë ta shpjegosh këtë me fjalë.
Nuk di ta them sesi. Por ja që ndodhte kështu dhe pikë…
Pas filmit ai u ngrit dhe mori fjalën. Ishte i emocionuar, po i dridheshin duart dhe mjekra. Nuk kam parë asnjë aktor të emocionohej aq shumë nga njerëzit në sallë. Atë e deshte fryma njerëzore e sallës, sepse e besonte dhe e bënte të tillë dashuria.
Falënderimi i tij ishte i sinqertë, me fjalë të zjarrta. Vura re sesi kaloi deri në nuancat më të holla në gjuhën karakteristike të Tepelenës. Ishte një gjë e habitshme që mund ta bënte vetëm ai me një lehtësi kaq të pabesueshme. Kur nuk pati se ç’të shtonte tjetër, nga që ndjehej borxhli, tha se do të recitonte poemën e Naimit.
“Nuk di në se do ta mbaj dot mend, po unë do të përpiqem ta bëj për ju, megjithëse kam vite që as luaj, as recitoj më…”
Bëri një hap përpara.

“ O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë…
Ju fushat e gjera me lule, që u kam ndër ment
ditë e natë…”

Betohem, se kurrë nuk kam dëgjuar variant më të bukur të poemës “Bagëtia e Bujqësia” të Naim Frashërit. Kurrë nuk kam dëgjuar interpretim më të bukur të ndonjë poezie shqipe deri më sot sesa atë ditë në Tepelenë. Mallkoj veten që nuk e mora dot me mend, të kisha gjetur një kamera për ta xhiruar atë mrekulli skenike që po ndodhte diku larg, në një skenë modeste si ajo e Tepelenës. Po kush e dinte se ai do ta bënte aty atë kryevepër të fundit të jetës së tij. Si mund t’i parashikoje “kapriçiot” e tij!?
Çuditërisht kujtesa e përndezur nuk harroi asnjë varg, megjithëse interpretoj gjysmën e asaj poeme të gjatë. Nëpër fjalë ai nuk derdhte tinguj, por lot, kokrriza lotësh që e bënin zërin e tij të magjishëm një këngë. Dridhej i tëri si një purtekë dhe sytë i mbante pothuajse të mbyllur për të parë sa më mirë kushedi se çfarë bukurish të lemerishme, që edhe Profeti ynë i kish parë me sytë e shpirtit prej Stambollit.
Kur arriti tek vargu: “…do të këndoj bagëtinë që ju mbani dhe ushqeni”, ia mori këngës. Tre – katër vargje i këndoi si në një këngë të vërtetë e të përmallshme labe me një zë që vetëm një mushkëri e përvëluar si e tij dinte ta bënte.
Mbaroi. Në sallë nuk kishte duartrokitje. Ishte një stuhi e tërë që vinte nga të gjitha anët.”.

Foto të ruajtura në arkivin personal të kineastit dhe poetit të njohur Petrit Ruka, por edhe libri e dokumentari janë vetëm disa kujtime dhe çaste mbresëlënëse nga jeta e Kadri Roshit, por jeta dhe vepra e tij, janë ende një histori e pashkruar e kinemasë shqiptare.

"Sa me fat kam qenë që ia mblodha unë jetën, në një film dhe që e pata një mik të madh zemre!...", shprehet Petrit Ruka.



Petrit Ruka

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • dudi: 10/10/2019 10:46

    pashaporta = thesar?!! mund t`a quajme "thesar", ndoshta, ngaqe asokohe asnje qytetar i thjeshte shqiptar nuk kishte te drejte te kishte ne zoterim nje dokument te tille!.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën