TIRANE - Kur kanë kaluar më shumë se dy javë nga bërja publike dhe nisja e hetimeve për skadalin e vjedhjes së thesarit të Bankës së Shqipërisë, hetimet për gjurmimin e parave dhe mënyrës se si janë shpenzuar 713 milionë lekë të rinj janë në pikën zero.

Burime për A1Report nga grupi hetimor thonë se ende zyrtarisht nuk ka mbërritur asnjë përgjigje nga bankat e nivelit të dytë, hipotekat, apo Drejtoria e Pastrimit të Parave për të vërtetuar se cila është pasuria e të arrestuarve, përfshi këtu dy të dyshuarit kryesorë për vjedhjen, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia.

Po të njëjtat burime thanë për A1Report se vonesa e këtyre përgjigjeve nga institucionet përgjegjëse po bëhet shkak për të vonuar dhe hetimet.

Pak ditë më parë Prokuroria e Përgjithshme në një raport të sajin bëri publik se hetimet janë përqendruar në gjurmimin e destinacionit të parave të vjedhura si dhe hetimin pasuror të 10 personave të arrestuar.

E pikërisht këto hetime kanë mbetur pezull për shkak se ende nuk ka asnjë përgjigje për grupin hetimor, nëse kanë apo jo llogari bankare të arrestuarit, kanë investuar në prona apo kanë kryer transaksione të parave jashtë shtetit.

Në një kohë kur për skandalin e vjedhjes së 713 milonë lekëve nga thesari i Bankës në burg qëndrojnë 10 persona, mes tyre dhe dhëndri i mbesës së Fullanit ish-drejtori Emisionit të parave Dorian Çollaku, grupi hetimor ka vendosur që 7 anëtarët e Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë t’i pyesë në fillim të Shtatorit.

Deri në këto momente lista e personave, të cilët janë pyetur dhe do të pyeten në dijeni për ngjarjen arrin në 70, burime për A1Report thanë se pas mbylljes së deklarimeve të këtyre 70 personave pritet të ketë dhe arrestime të tjera.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)