TIRANE - Për afro një orë në një ambient të veçantë në paraburgimin 313 në kryeqytet, ish drejtori emisionit të parave në thesarin e Bankës së Shqipërisë në Linzë Dorian Çollaku i cili njëherazi është dhe i afërm i guvernatorit Fullani është marrë në pyetje nga prokurori Ramadan Troci ndërsa i pranishëm ka qenë dhe avokati mbrojtës Mark Pëllumbi.

A1report ka mundur të mësojë se ndaj Çollakut janë bërë mbi 60 pyetje të cilat do ti shërbejnë hetimeve për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa vetë Çollaku nën akuzë për shpërdorim detyre ka mohuar sërish të ketë dijeni për vjedhjen e 713 milion lekëve nga thesari si dhe destinacionin se ku kanë përfunduar këto para.

Burime nga grupi hetimorë bënë me dije se Çollaku vazhdon të mos ndryshojë qëndrim në lidhje me vjedhjen dhe skandalin në Departamentin e Emisionit të parave që ai drejtonte, teksa është shprehur se ka mundur të kryej detyrën në kuadrin ligjorë të bankës.

Teksa i pyetur për hyrje-daljet jashtë Shqipërisë që ka kryer Çollaku, mësohet se ky i fundit ka deklaruar se udhëtimet kanë qenë për arsye pune dhe disa prej tyre familjare duke argumentuar dhe me ftesat e konferencave apo takimeve që ka kryer për llogari të pozicionit si Drejtues i Emisionit të parave në Bankën e Shqipërisë.

I pyetur në përfundim të procesit të marrjes në pyetje avokati mbrojtës i Çollakut ka refuzuar të flasë për mediat, ndërsa pritet që apelimin e masës së sigurisë më 26 Gusht avokati Pëllumbi të shpreh qëndrimet e tij para gjykatës.
 
Aktualisht në paraburgim me masën e sigurisë arrest me burg për vjedhjen ndodhen 10 persona, mes tyre dhe dy të dyshuarit kryesorë për vjedhjen Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, teksa burime nga grupi hetimorë për A1report bënë me dije se këtë javë pritet dhe ndryshimi i akuzës ndaj nipit të Bitrajt nga Mos Kallëzim krimi në Bashkëpunëtor në V.P Vjedhjen e 713 milion lekëve.

Në dëshmitë e tyre për grupin hetimor Bitraj dhe Bruzia janë të vetmit të arrestuar që kanë pranuar të kenë dijeni për vjedhjen. 

Redaksia Online
(e.c/a.h/shqiptarja.com)