Kryeministri Rama ua bëri të qartë operatorëe të sigurisë ushqimore se mospërmbushja e standardeve të kërkuara nga BE parashikon vetëm dy rrugë: mundësi ose falimentim. Ai theksoi se nëse nuk kuptojnë se s’janë në linjë me standardet, e nesërmja mund të jetë fatale.
“Ajo që e pret sipërmarrjen është një thikë me dy presa. Nga njëra anë, një horizont i ri mundësish për ata që do të jenë të përgatitur, nga ana tjetër një humnerë falimentimi për ata që nuk janë të përgatitur. K yështë realiteti. Kur vjen puna te siguria ushqimore, duke pasur parasysh pjesën më të ndjeshme që është siguria e prodhimeve shtazore dhe gjithë nënprodukteve, ne duhet ta bëjmë të qartë për të gjithë ata që janë të angazhuar se e nesërmja do të jetë fatale nëse sot nuk do të kuptojnë se nuk janë në raport me standardet dhe se çfarë duhet të bëjnë për të qenë gati nesër”, tha Rama.
Ai bëri me dije se ka negociata me Komisionin Europian lidhur me këtë pikë, por edhe nëse shtohen 5 vite, mbetet kohë e shkurtër.
“Një nga gjërat për të cilat na duhet pak më shumë kohë është fusha e sigurisë ushqimore dhe për këtë arsye ne dhe Komisioni Europian negociojmë për një shtyrje përtej momentit të anëtarësimit të afateve kur standardet duhet të jenë 100% për të gjithë ata që janë të përfshirë në sektorin e bujqësisë. Edhe duke negociuar për 5 vjet plus, është një kohë shumë e shkurtër për t’u përgatitur”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Siguria ushqimore, Rama: Sfida më e vështirë e anëtarësimit! ‘Pikat e dobëta‘, thertoret dhe sektori i qumështit










