Bejko: Thirrje SPAK, heto Ramën dhe Berishën për aferën McGonigal

Bejko: Thirrje SPAK, heto Ramën dhe Berishën për aferën McGonigal

Charles McGonigal, Fjoralba Dizdari dhe Enri Çeno

Para disa muajsh u ndodha në një debat televiziv me njërin nga këta sekretarët e Foltores së Berishës. Kur mbaroi emisioni më tha si në konfidencë që mos të isha kaq radikal ndaj "non gratës" së tij, sepse shumë shpejt qëndrimi amerikan ndaj Berishës do ndryshonte. Non Grata do t'i hiqej, dhe Doktori do vinte në pushtet, prandaj duhet të mendoja për karrierën time që të mos e bëja kundërshtar atë, etj. Ndërsa Lulit do t'ia dëgjoja këngën së shpejti, pasi, sipas tij, ishte i implikuar keqas me rusët. "Luli ka shumë vite që nuk shkon dot në Amerikë. Do shpallet non grata dhe do shkojë në burg se është financuar nga rusët...Dyshi i FBI -së do vijë këto ditë në Tiranë, dhe do bëjë takime të rëndësishme. (Nuk jam i bindur nëse më tha që do takojë vet "Doktorin") etj, etj".

Por ngaqë këta që mbështesin Berishën në këto kushte që është si i refuzuar dhe i izoluar nga krejt Perëndimi, nuk i marr shumë seriozisht ça thonë se nuk më duken në rregull nga trutë, ngjajnë si enveristët fanatikë që mbështesnin qorazi Ramiz Alinë në vitet 90-92. Ndërkohë që në gjithë Lindjen, komunizmi kishte rënë, ata shpresonin që shoku Ramis, duke luftuar "burokracinë" do shpëtonte pushtetin dhe do ndryshonte Shqipërinë. Idiotë komplet! Idiotë të njëjtë, të vendosur në dy kohë.

( idiotët e këtij të tanishmit, besojnë se lexhenda do mundë amerikën dhe gjithë perëndimin se medemek, jemi vend sovran dhe vendos populli. Dhe populli sot, 72% kundër nongratës).

Ndaj nuk pata durim ta dëgjoja deri në fund se ça po më thoshte, pasi ajo që po më tregonte, më ngjau e gjitha si një trillerr. Kur ai fliste, thjesht në ato çaste, më kujtohen më tej që fjalët e tij në pamendje më vinin si copa fjalësh pa lidhje...Numri dy i FBI..., Doktori...,Luli..., non grata, amerikanët, rusët, lobingjet, burgu, tradhëtari, i shitur te Rama, kunati, porti, paratë, rusët,.... pushteti, fitorja..., foltorja, e blla, blla, blla të tilla, deri sa i thash,- ok, shumë mirë, ëndëroni, natën e mirë, shifemi prapë!

Mirëpo, tani që shikoj foton e këtij sekretarit të marrëdhënieve me jashtë, të Berishës, që në kushte pushteti i bie të jetë Ministri i Jashtëm i Republikës, me agjentin e FBI , MecGonigal, të dyshuar nga SHBA, për korrupsion dhe bashkëpunim me rusët, po bëj lidhjen me ato fjalë që më tha zekretari tjetër i Berishës.

Kështu që, përditë e më shumë dispozitivi i filmit triller me korrupsionin midis politikanëve të lartë shqiptarë dhe ish agjentit të rëndësishëm të FBI-së, po bëhet përditë e më i qartë.

Jam i bindur, që nëse hetimet e kësaj ngjarje do shkojnë deri në fund si nga pala amerikane, ashtu dhe nga SPAK, me shumë gjasa do ketë surpriza edhe më të mëdha akoma.

E vërteta do dalë.

Dhe pas kësaj, nuk do të ketë miting, protestë a zhurmë hallemadhi që na u bë peshqesh në jetët tona prej 32 vjetësh duke e mbajtur me thonj prespektivën e shqiptarëve, që ta mbulojë gjëmimin e të vërtetës së madhe që Trekëndëshi i Bermudës, jo vetëm që vepron i sinkronizuar, por edhe që është i përmasave kriminale.

Fakti që njerëzit e afërt të "non gratës" na mburreshin në mjediset e Tiranës se një zyrtar i lartë i FBI-së do vinte vet në Tiranë dhe do investohej për heqjen e non gratës, fakti që këta anëtarë të stafit të ngushtë të tij janë në marrëdhënie kaq intime me ish agjentin e lartë të FBI-së në darka dhe ahengje, fakti që kur "Zëri i Amerikës" tha se sipas një burimi që vjen nga një zyrtar i lartë i FBI-së, financimi rus për lobimin e PD-së në USA , është i vërtetë, e vet Berisha sulmoi egërsisht Bashën duke ngritur një komisionin të quajtur "Mandia" për hetimin e lëvizjes së parave nga Basha brenda PD-së drejt Nik Muzin, si dhe fakti që Berisha, qëkur u pezullua nga Basha më 9 shtator, i thoshte vazhdimisht këtij të fundit, se nuk mund të shkonte në Amerikë pasi sapo të zbriste në aeroport do arestohej nga FBI, na bën të dyshojmë se Non Grata i PD-së ka qenë në marrëdhënie direkte, apo nëpërmjet të tretëve, me ish zyrtarin e lartë të FBI-së si për të "ekzekutuar politikisht" Bashën, ashtu edhe për të pastruar veten nga ngarkesa e tri akuzave të formuluara ndaj tij nga Departamenti Amerikan i Shtetit, definuar më tej me stigëm e "Non Gratës" nga vet Presidenti Amerikan, Biden.

Duke qenë se SPAK ka pranuar këto ditë të bëjë hetimet e veta për këtë mega skandal të asgjësimit politik të Lulzim Bashës dhe opozitës shqiptare, dhe pagesave korruptive në dollarë amerikan, ku deri tani të paktën, ka dalë i implikuar Kryeministri i vendit Edi Rama, unë i bëj thirrje drejtuesve të SPAK të hetojnë krahasimisht edhe Sali Berishën me bashkëpunëtorët e tij që sapo na janë shfaqur me zë dhe figurë përkrah agjentit MecGonigal.

Natyrisht, pas publikimit të fotove dhe videove ku shfaqen hapur takimet intime të bashkëpunëtorëve më të afërt të Non Gratës së PD me ish agjentin e lartë të FBI-së, demokratët dhe opinioni publik duan të dinë se çfarë i lidh drejtuesit e Foltores me këtë personazh kaq të përfolur deri tani si mik i afërt i Kryeministrit Edi Rama, i cili, na del se është investuar seriozisht në "asgjësimin politik" të Lulzim Bashës, dhe shkatërimin e opozitës shqiptare që drejtohej prej tij, si alternativë pushteti, duke ia paraqitur amerikës zyrtare, dhe opinionit publik shqiptar si të financuar nga Putin dhe oligarkët rusë.

Me këtë rast, i bëj thirrje Gaz Bardhit, si Sekretar i Përgjithshëm i PD-së dhe autor i kërkesës së pranuar nga SPAK për hetimin e këtij mega skandali me histori spinësh, milionash, e asgjësimi politik të demokracisë shqiptare, të distancohet publikisht nga deklarata e tij se mbështet protestën e Sali Berishës ndaj Edi Ramës pasi, sipas provave të dala në publik, ata na rezultojnë se të dy së bashku, kanë "punësuar" të njëjtin "Kim Filb" për asgjësimin e Lulzim Bashës, kryetarit të Partisë Demokratike dhe kualicionit opozitar.

Protesta e thirrur nga Sali Berisha, me sa duket, është formuluar sipas parimit, "të vras natën, dhe të qaj ditën", prandaj ajo, jo vetëm duhet braktisur si një lëvizje hipokrite e hallemadhit të zhytur në pisllëqet e veta, si njeri i korruptuar, pengues i reformës në drejtësi, dhe minues i demokracisë, ( sipas anglo-amerikanëve), por dhe duhet trajtuar si një lëvizje që synon të mbulojë gjurmët e krimit duke çorientuar opinionin publik nën moton; "Qe Lali duart"!

Berisha është ai që e akuzonte Bashën si të shitur te Rama, të kapur nga Rama, tradhëtar të intersave të demokratëve, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, kur sapo opinioni u njoftua se Rama kish paguar një agjent të FBI për të asgjësuar politikisht Bashën dhe opozitën si të rusëve, jo vetëm që nuk u pendua për shpifjet dhe gënjeshtrat e tij publike, por bëri të irituarin ndaj Ramës duke bllokuar seancën e parlamentit, e duke projektuar një miting ku me gjasë, si gjithmonë kur ka një hall, "uragani popullor" do ta rrëzojë atë përfundimisht nga pushteti".

Sa më shumë ditë kalojnë, aq më shumë Trekëndëshi i Bermudës" po na bind se jo vetëm që është një dhe i pandarë, i mirëkoordinuar në aktet e veta për të ruajtur, pushtetin, paratë dhe pasuritë e vëna në kurriz të shqiptarëve, por edhe se fundin e ka të afërt.

Amerika dhe drejtësia e të dy shteteve, mesa duket, do t'ua bëjnë dhuratë shqiptarëve "Trekëndëshin e Bermudës", të paketuar bukur, me fjongo të kuqe e të zezë, tre në një, për t'i dhënë fund tranzicionit të gjatë, e për të shpëtuar njëherë e mirë nga korrupsioni dhe sundimi i kësaj klike politikanësh të ndyrë që nuk dihet ku u fillojnë dhe ku u mbarojnë fijet e matriksit që i mban lidhur.

M.Q./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion