Sali Berisha u përpoq të justifikojë para mbështetësve të tij demokratë, se lobimi për të rimarrë vizën në SHBA për të cilin ende nuk dihet se sa ka paguar, ishte për të fituar dinjitetin e tij dhe të shqiptarëve që e kanë votuar.

“Ndërmora këtë betejë më të vështirën e jetës sime në disa aspekte, por e ndërmora atë për të mbrojtur si dinjitetin tim, dhe dinjitetin e atyre miliona shqiptarëve, të cilët në dekada kishin votuar Sali Berishën më shumë se çdo politikan tjetër të këtij vendi. Në këtë kuadër unë besoj se bëra detyrën time si njëri prej jush”, tha Berisha.

I bindur se vendimi i DASH për ta përjashtuar nga ndalimi për të hyrë në SHBA, lidhet vetëm me vizën dhe jo me heqjen e etiketimit non grata për korrupsion dhe miniues i demokracisë, apo takime me zyrtarë të lartë, Sali Berisha la pa përgjigje një demokrat që e pyeti online nëse ka ndonjë ftesë nga Amerika.

“Në qoftë se më pyet mua lidhur me udhëtimin, unë ju falënderoj por natyrisht nuk kam një axhendë të shpejtë, por pres me kënaqësi kur të organizoj një udhëtim timin në këtë vend të madh mik", u shpreh kreu i PD. 

Protestën prej 2 javësh në Tiranë Sali Berisha qartazi nuk e sheh më si çështje të mbrojtjes së Zvërnecit nga investimi, por si një lëvizje për të rrëzuar Edi Ramën.

“Është lëvizja më e fuqishme që po përballet me diktaturën autoritare të Edi Ramës”, tha Berisha.

Duke dashur të shfrytëzojë në favor të tij, shifrat e pjesëmarrjes në shesh, demokratëve u thotë të bëhen të verbër përballë pankartave kundër opozitës, dhe të mos dëgjojnë as thirrjet Berisha në burg.

“Qytetarët janë të lirë të thonë çdo slogan që duan, por ata që përpiqen t’i manipulojnë, ata janë mjeranë. Injorojini dhe mos keni asnjë impresion nga ato slogane”, vijoi Berisha.

Madje, në kushtet kur protesta nuk ka ende një strukturë, Berisha kërkon ta kapë plotësisht atë.

Pyetje: Ju dhe stafi juaj duhet të keni qeverinë në hije, që edhe elektorati ta dijë se nga kush do të qeveriset.

Berisha: Zhvillimet i ndjekim me shumë interes. Shqipëria t'i imponohet një qeveri kujdestare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne kemi të gjitha përgatitjet tona për çdo eventualitet.

Ai shfaqet kontradiktor kur e quan protestën herë politike e herë qytetare, por ende nuk guxon t’i bashkohet duket dalë vetë mes tyre.

“Prania ime aty dëmton. Ajo është politike, po të themi nuk dua të humbas karakterin e saj qytetar. Lëvizja aktuale padiskutim që ka prani të qendrës së djathtë, ka grupime të majtiste madje edhe ekstremiste”, tha Berisha.

Për protestën në Rrjoll, ku pretendohet edhe cenim i zonës së mbrojtur edhe vjedhje e pronës, Berisha nuk i përmend as emrin botuesit të lidhur me familjen e tij, biznesmenit Bashkim Ulaj i cili po ndërton resortin, dhe fajin ia kalon qeverisë.

Pyetje: A mendoni se çështja e Rrjollit është kthyer tashmë në një simbol të betejës së shqiptarëve për mbrojtjen e pronës private

Berisha: Është qeveria që ndez të gjithë sherrin. Qeveria nuk mund të japë, nuk mundet të japë leje zhvillimi apo leje ndërtimi aty ku ekziston konflikti për pronën.