Vendimi i SPAK për t’iu drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetes dhe njëkohësisht zv/kryeministres Belinda Balluku, si dhe për dhënien e lejes për arrest në burg ose në arrest shtëpie, shënon një kthesë të rëndë institucionale. Pas rrëzimit te perkoheshem nga Gjykata Kushtetuese të kërkesës për pezullimin nga detyra, procesi ka hyrë në një fazë ku nuk mjaftojnë më deklaratat politike apo formulat standarde për “respektimin e drejtësisë”. Tashmë jemi përballë një prove reale për funksionimin e shtetit ligjor dhe për mënyrën se si pushteti politik reagon kur një nga figurat e tij kyçe vendoset nën akuzë serioze penale.

Deklarata e kryeministrit Rama, e ndërtuar mbi një ekuilibër të brishtë mes retorikës së mosndërhyrjes në drejtësi dhe mbrojtjes politike të zëvendëses së tij, e ka bërë situatën edhe më të ndërlikuar. Kur një kryeministër flet njëkohësisht si garant i pavarësisë së drejtësisë dhe si avokat politik i një bashkëpunëtoreje të akuzuar, mesazhi që i përcillet opinionit publik është i dyzuar: drejtësia thuhet se është e lirë, por pushteti rezervon të drejtën ta komentojë, ta relativizojë dhe, në mënyrë indirekte, ta mbrojë. Kjo qasje nuk i shërben as drejtësisë, as transparencës, e aq më pak besimit të qytetarëve.

Që në ditën kur SPAK bëri publike akuzën ndaj zonjës Balluku, une ne nje shkrim kam argumentuar se veprimi më i drejtë dhe më i dobishëm do të ishte dorëheqja e saj e menjëhershme nga funksionet shtetërore. Jo si pranim faji, por si akt përgjegjësie politike dhe morale. Dorëheqja do ta zhveshte procesin nga çdo ngarkesë politike, do të shmangte përdorimin e institucioneve si mburojë dhe do t’i jepte vetë asaj mundësinë të përballej me akuzat si një qytetare e barabartë para ligjit. Kjo nuk ndodhi, dhe sot çmimi i kësaj zgjedhjeje po bëhet gjithnjë e më i lartë.

Situata aktuale tregon qartë se çështja nuk është më thjesht juridike. Ajo është shndërruar në një krizë të vogël, por domethënëse, të marrëdhënies mes politikës dhe drejtësisë. Kuvendi thirret të vendosë për imunitetin e një deputeteje që mban edhe një nga postet më të rëndësishme ekzekutive, ndërsa opinioni publik sheh se si procedurat ligjore shoqërohen nga debate politike, deklarata mbrojtëse dhe aludime për motive. Në këtë klimë, çdo vendim rrezikon të interpretohet jo mbi bazën e ligjit, por mbi bazën e interesave dhe forcës politike.

Megjithatë, edhe në këtë fazë të avancuar, ekziston ende një rrugë që ruan dinjitetin personal dhe interesin publik. Lënia vullnetare e imunitetit dhe dorëheqja nga detyra do të ishin një akt i fortë politik dhe qytetar. Do të ishte një sinjal i qartë se askush nuk ka nevojë për mburoja kushtetuese për të provuar pafajësinë e tij. Përkundrazi, një përballje e drejtpërdrejtë me drejtësinë, pa presione politike dhe pa retorikë mbrojtëse nga maja e pushtetit, do ta kthente procesin në atë që duhet të jetë: një hetim penal i zakonshëm, me garanci ligjore, por pa privilegje.

Një veprim i tillë do të kishte edhe një vlerë simbolike të jashtëzakonshme për shoqërinë shqiptare. Për herë të parë, një zyrtare e lartë do të tregonte se imuniteti nuk është strehë personale dhe se pushteti nuk përdoret për të negociuar me drejtësinë. Kjo do të ishte një provë konkrete se reformat në drejtësi nuk janë thjesht slogane për raportet ndërkombëtare, por parime që zbatohen edhe kur prekin njerëzit e pushtetit. Në fund të fundit, askush nuk humb nga e vërteta, ndërsa humbja më e madhe për një shtet është kur drejtësia perceptohet si e kushtëzuar.

Unë e uroj sinqerisht që zonja Balluku ta fitojë këtë betejë ligjore, nëse është e pafajshme, por ta fitojë si qytetare dhe jo si funksionare e mbrojtur nga imuniteti dhe pesha politike. Vetëm kështu kjo çështje mund të mbyllet me dinjitet, pa lënë pas shijen e hidhur se edhe një herë drejtësia u vu përballë murit të pushtetit. Dhe vetëm kështu Shqipëria mund të bëjë një hap të vogël, por real, drejt normalitetit evropian që e përmend kaq shpesh, por e praktikon ende kaq rrallë.