Kur sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, doli përpara Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit për të mbrojtur buxhetin dhe politikën e departamentit që drejton, në Tiranë fjala e tij u lexua sikur po parathoshte fundin e botës.
Disa panë paralajmërimin se shtetet e vogla rrezikojnë të zhduken, sidomos po të mos ndërtojnë anije dhe të prodhojnë ilace. Të tjerë panë një fazë të re të luftës kundër Sorosit. Të tjerë shpallën fundin e globalizmit. Nuk munguan as interpretimet për Kanadanë, Tajvanin, Kinën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe bashkime të ndryshme shqiptare.
Problemi është se Rubio nuk po fliste për Shqipërinë. Po fliste për Shtetet e Bashkuara dhe për mënyrën se si administrata amerikane e sheh sot fuqinë e Amerikës në botë. Vetë boshti i fjalës së tij ishte i qartë: politika e jashtme nuk mund të ndahet më nga industria, energjia, kufijtë dhe burimet strategjike.
Në këtë kuptim, fjala e Rubio-s është interesante, por jo sepse shpall ndonjë revolucion të papritur. Shumë nga gjërat për të cilat foli ai kanë hyrë prej vitesh në politikën amerikane. Ajo që ndryshon është mënyra si po lidhen të gjitha bashkë.
Rubio e përmblodhi idenë kështu: një vend që nuk është në gjendje të ndërtojë anije, të prodhojë ilaçe, të kontrollojë imigracionin dhe të sigurojë burimet jetike, e ka më të vështirë të mbrojë popullin , interesat e veta dhe menyren e vet te jeteses.
Këtu duhet kërkuar kuptimi i fjalimit.
Nga diplomacia te fabrika
Për një kohë të gjatë, politika e jashtme dhe politika ekonomike në Shtetet e Bashkuara trajtoheshin si fusha të lidhura, por të ndryshme. Departamenti i Shtetit merrej me aleancat, luftërat, marrëveshjet, ndihmën e huaj dhe marrëdhëniet me qeveritë e tjera. Fabrikat, minierat, kantieret detare, industria farmaceutike apo zinxhirët e furnizimit ishin kryesisht çështje ekonomike. Rubio thotë se sot kjo ndarje nuk mjafton.
Nëse një vend nuk prodhon dot disa nga gjërat që i duhen në një krizë, politika e tij e jashtme kufizohet. Nëse varet nga një rival për ilaçet, mineralet, pajisjet elektronike apo transportin detar, atëherë kjo varësi nuk është vetëm problem tregtar. Bëhet problem sigurie.
Kjo është arsyeja pse në Uashington fabrika, miniera, rafineria, kantieri detar dhe industria farmaceutike po shihen gjithnjë e më shumë si pjesë e fuqisë kombëtare.
Pse Rubio foli për anijet
Shembulli i anijeve nuk u zgjodh rastësisht. Në vitet 1970 Shtetet e Bashkuara kishin ende një industri të madhe të ndërtimit të anijeve tregtare.
Në vitin 1975 kantieret amerikane ndërtonin më shumë se 70 anije tregtare në vit. Në vitin 1980 industria e ndërtimit dhe riparimit të anijeve punësonte rreth 180 mijë njerëz. Sot situata është krejt tjetër.
Në vitin 2024, sipas të dhënave, Shtetet e Bashkuara ndërtuan vetëm pesë anije tregtare oqeanike. Kapaciteti kinez i ndërtimit të anijeve ishte mbi 200 herë më i madh. Kina, që në fund të viteve 1990 kishte rreth 5 për qind të prodhimit botëror, tashmë ndërton më shumë se gjysmën e tonazhit të anijeve që dorëzohen në botë.
Por çështja nuk është vetëm sa anije tregtare prodhon një vend. Pas një anijeje qëndrojnë kantieret, çeliku, motorët, elektronika, punëtorët e specializuar, kompanitë furnizuese dhe kapacitetet e riparimit. E njëjta bazë industriale bëhet e rëndësishme edhe për marinën ushtarake.
Ilaçet nuk janë vetëm mall tregtar
E njëjta logjikë vlen për ilaçet. Një pjesë shumë e madhe e përbërësve aktivë farmaceutikë që përdoren në Shtetet e Bashkuara prodhohet jashtë vendit, sidomos në Azi.
Kjo, në vetvete, nuk është domosdoshmërisht problem. Prodhimi ndërkombëtar ka ulur kostot dhe ka bërë që shumë ilaçe gjenerike të jenë më të lira. Problemi lind kur prodhimi përqendrohet në shumë pak vende.
Nëse një produkt blihet nga dhjetë burime të ndryshme, rreziku është më i vogël. Nëse një përbërës jetik prodhohet vetëm në dy ose tri vende, atëherë një luftë, pandemi, embargo ose ndërprerje transporti mund të krijojë mungesa.
COVID-19 ua kujtoi amerikanëve këtë gjë në mënyrën më të drejtpërdrejtë. Maskat, pajisjet mbrojtëse dhe produktet mjekësore që deri atëherë trajtoheshin si mallra të zakonshme, brenda pak javësh u kthyen në çështje sigurie.
Pikërisht prej kësaj përvoje ka ardhur edhe ideja se disa ilaçe dhe përbërës farmaceutikë duhet të trajtohen si produkte strategjike.
Minerali nën tokë nuk mjafton
Edhe më e ndërlikuar është çështja e mineraleve kritike. Telefonat, kompjuterët, avionët, radarët, raketat, bateritë, makinat elektrike, qendrat e të dhënave dhe industria e inteligjencës artificiale përdorin materiale që deri pak vite më parë rrallë përmendeshin në debatin politik.
Sot litiumi, grafiti, galliumi, germaniumi dhe elementet e rralla janë pjesë e politikës së sigurisë. Shtetet e Bashkuara varen plotësisht nga importet për një numër mineralesh kritike dhe në masë të madhe për shumë të tjera.
Por problemi nuk është vetëm nxjerrja e mineralit. Mund ta kesh mineralin në tokën tënde dhe përsëri të jesh i varur nga një vend tjetër, sepse nuk ke fabrikat që e përpunojnë. Duhet miniera, por duhet edhe teknologjia. Duhet fabrika.
Duhen punëtorë të kualifikuar. Duhet industria që e përdor produktin. Kina ka krijuar pikërisht këtë zinxhir. Ajo jo vetëm nxjerr shumë minerale, por ka ndërtuar kapacitete shumë të mëdha për përpunimin e tyre.
Prandaj Uashingtoni po përpiqet të krijojë burime të tjera furnizimi, të financojë përpunimin brenda Amerikës dhe të lidhë marrëveshje me vende të tjera. Kjo është politikë ekonomike, por tashmë konsiderohet edhe politikë e jashtme.
Çipat e tregojnë edhe më qartë ndryshimin
Rubio nuk i përmendi gjysmëpërçuesit në atë fjali, por çipat janë ndoshta shembulli më i mirë për të kuptuar çfarë po ndodh. Shtetet e Bashkuara konsumojnë një pjesë shumë të madhe të çipave të prodhuar në botë, ndërsa prodhojnë brenda vendit vetëm një pjesë të nevojave të tyre.
Por çipat nuk duhen vetëm për telefonat apo makinat. Ata janë brenda radarëve, raketave, sistemeve të komunikimit, pajisjeve mjekësore, rrjetit elektrik dhe sistemeve të inteligjencës artificiale. Kjo është edhe arsyeja pse rikthimi i një pjese të prodhimit të gjysmëpërçuesve në Amerikë nuk filloi me administratën e tanishme.
CHIPS and Science Act u miratua në vitin 2022, gjatë presidencës Biden, me mbështetje nga të dyja partitë dhe me dhjetëra miliarda dollarë financime për prodhimin dhe kërkimin.
Ky është një detaj i rëndësishëm, sepse tregon se politika për të cilën flet Rubio nuk u shpik dje.
Kthesa kishte filluar më herët.
Do të ishte shumë e thjeshtë ta ndanim historinë në dy pjesë: para Trumpit Amerika besonte te globalizimi, ndërsa pas Trumpit zbuloi industrinë.
Nuk ka ndodhur kështu.
Në mandatin e parë Trump vendosi tarifa të mëdha ndaj Kinës dhe e ktheu varësinë industriale në temë politike. Biden mbajti shumë nga ato tarifa dhe vazhdoi me politika industriale për çipat, bateritë, energjinë dhe mineralet kritike. Pra, megjithëse republikanët dhe demokratët ndryshojnë në shumë pika, diçka ka ndryshuar në Uashington në nivel më të gjerë.
Besimi se tregtia e lirë do të zgjidhte pothuajse gjithçka është dobësuar. Sot të dyja partitë pranojnë më shumë se më parë se ka produkte që nuk mund të trajtohen vetëm me pyetjen: ku prodhohen më lirë? Për disa prej tyre duhet bërë edhe pyetja tjetër: çfarë ndodh nëse një ditë nuk mund t'i blejmë?
Rubio këtë debat po e përmbledh në një formulë politike më të qartë: industria, tregtia, energjia, kufijtë dhe diplomacia janë pjesë të së njëjtës strategji.
Kufiri hyn në politikën e jashtme
Këtu administrata Trump shkon më larg se administratat e mëparshme. Rubio e vendos emigracionin në të njëjtën fjali me anijet, ilaçet dhe burimet strategjike. Për këtë administratë, kontrolli i kufirit nuk është vetëm çështje e brendshme amerikane.
Kjo shihet sidomos në marrëdhëniet me vendet e Amerikës Latine. Marrëdhëniet tregtare, ndihma dhe presioni diplomatik përdoren edhe për të kërkuar bashkëpunim kundër emigracionit të paligjshëm dhe organizatave kriminale.
Edhe ndihma e huaj po shihet ndryshe
E njëjta gjë po ndodh me ndihmën amerikane jashtë vendit. Rubio thotë se çdo dollar i shpenzuar duhet të mund të shpjegohet me interesin e Shteteve të Bashkuara: ta bëjë vendin më të sigurt, më të fortë ose më të begatë. Prej këtej vjen edhe formula “tregti në vend të ndihmës, investime në vend të varësisë”.
Administrata Trump ka shkurtuar fort programet e USAID-it dhe ka kaluar pjesën e mbetur të tyre nën një kontroll më të drejtpërdrejtë të Departamentit të Shtetit.
Edhe këtu debati nuk është aq i thjeshtë.
Kundërshtarët e kësaj politike thonë se ndihma amerikane nuk ishte thjesht bamirësi. Programet shëndetësore, humanitare dhe të zhvillimit krijonin marrëdhënie, ndikim politik dhe prani amerikane në shumë vende. Nëse Amerika largohet, argumentojnë ata, vendin mund ta zërë Kina.
Administrata e sheh ndryshe. Ajo kërkon që çdo program të ketë një lidhje më të drejtpërdrejtë me interesin amerikan.
Ky debat do të vazhdojë, por ndryshimi i qasjes është i dukshëm.
Energjia është shembulli i kundërt
Në energji Amerika ndodhet në një pozitë tjetër nga ajo e ndërtimit të anijeve ose mineraleve kritike. Shtetet e Bashkuara janë prodhues shumë i madh i naftës dhe eksportues i rëndësishëm energjie.
Kjo ndihmon të kuptohet edhe më mirë ajo që thotë Rubio. Ideja nuk është që Amerika të prodhojë vetë çdo gjë që konsumon. Kjo as nuk është e mundur dhe as nuk do të kishte kuptim ekonomik.
Problemi është varësia.
Një vend mund të importojë pa problem një produkt nga tregu botëror, nëse ka shumë furnizues dhe mund ta zëvendësojë një burim me një tjetër. Situata ndryshon kur një produkt jetik vjen pothuajse i gjithi nga një vend që mund të bëhet kundërshtar ose që mund ta ndërpresë furnizimin.
Prandaj siguria nuk kërkon domosdoshmërisht që çdo gjë të prodhohet në Amerikë. Mund të sigurohet edhe me rezerva, furnizues të ndryshëm dhe marrëveshje me aleatë të besueshëm. Kjo është shumë larg idesë së një ekonomie të mbyllur.
Në sfond është Kina
Pothuajse të gjitha këto tema të çojnë te Kina. Jo sepse çdo problem amerikan shkaktohet nga Kina, por sepse Kina është vendi që bashkon në një shkallë shumë të madhe industrinë, teknologjinë, tregtinë dhe fuqinë ushtarake.
Në ndërtimin e anijeve ka krijuar një epërsi të madhe.
Në përpunimin e mineraleve ka një rol dominues. Në shumë zinxhirë industrialë është bërë furnizuesi kryesor i botës. Pekini e ka përdorur prej kohësh politikën industriale për të mbështetur sektorët që i konsideron strategjikë.
Amerika tani po përgjigjet me tarifat, subvencionet, kufizimet teknologjike, investimet në çipa, mineralet dhe kantieret detare.
Po t'i shohësh veçmas, duken si dhjetë politika të ndryshme. Po t'i shohësh së bashku, kupton se janë pjesë e konkurrencës me Kinën.
Çfarë po ndryshon te globalizimi
Për shumë vite logjika ishte e thjeshtë : Nëse një kompani amerikane mund ta prodhonte një mall më lirë në Kinë, Indi, Meksikë apo diku tjetër, ajo e zhvendoste prodhimin. Kompania ulte kostot, konsumatori paguante më pak dhe tregtia rritej.
Për kompaninë kjo logjikë vazhdon të jetë e vlefshme. Por shteti duhet të bëjë një llogari tjetër. Çfarë ndodh nëse plas një luftë? Nëse mbyllen rrugët detare? Nëse vendoset embargo? Nëse vjen një pandemi tjetër?
Një kompani mund të kursejë 20 për qind duke prodhuar një pjesë elektronike jashtë vendit. Pentagoni mund të thotë se pa atë pjesë nuk prodhon dot një raketë. Një kompani farmaceutike mund të gjejë më lirë një përbërës në Azi.
Departamenti i Shëndetësisë mund të thotë se nuk mund të mbetet pa të në mes të një epidemie.
Kjo është pika ku llogaria e biznesit dhe llogaria e shtetit nuk janë gjithmonë e njëjta gjë. Politika amerikane po përpiqet pikërisht të gjejë kufirin mes të dyjave.
Amerika nuk po mbyllet
Edhe një interpretim tjetër duhet marrë me rezervë: ideja se Rubio po shpall izolimin e Amerikës nga bota. Ai nuk tha këtë. Administrata Trump kërkon që Amerika të vazhdojë të ketë rol drejtues, por që angazhimi jashtë vendit të lidhet më qartë me interesin amerikan.
Aleancat vazhdojnë, por partnerëve u kërkohet më shumë. Ndihma mund të vazhdojë, por duhet të justifikohet. Marrëveshjet tregtare nuk gjykohen vetëm nga sasia e tregtisë, por edhe nga efekti që kanë mbi industrinë dhe sigurinë amerikane.
Nuk kemi të bëjmë me largim nga bota. Kemi të bëjmë me një mënyrë tjetër të përcaktimit të çmimit dhe përfitimit të angazhimit amerikan në botë.
Ku është Shqipëria në fjalën e Rubio-s
Fjalimi i Marco Rubio-s nuk paralajmëron zhdukjen e Shqipërisë sepse nuk ndërtojmë anije. Nuk na thotë të bashkohemi me Kosovën dhe gjysmën e Maqedonisë së Veriut. As nuk është njoftim për fundin e globalizimit.
Ai flet për një problem shumë amerikan dhe, njëkohësisht, shumë të rëndësishëm për çdo fuqi tjeter.
Fjala e Rubio-s mund të lexohet edhe për Shqipërinë, por jo për të nxjerrë prej saj teori për bashkime shtetesh apo ndryshime kufijsh.
Duhet lexuar shumë më thjesht. Shqipëria ka minerale, por pjesën më të madhe i nxjerr dhe i eksporton pa ngritur një industri serioze përpunuese. Ka naftë, por prej dekadash nuk ka arritur ta kthejë këtë pasuri në një industri të fortë vendase dhe në të ardhura që qytetari t’i ndiejë realisht. Ka turizëm që rritet, por një pjesë të madhe të ushqimeve që konsumojnë hotelet dhe restorantet e sjellim nga jashtë.
Kemi dy dete dhe liqene të mëdha, por nuk kemi një flotë peshkimi që t’i përgjigjet këtij potenciali. Kemi tokë bujqësore, por fshati po zbrazet dhe toka lihet djerrë. Kemi kullota, por numri i bagëtive bie. Pra kemi burimet, por gjithnjë e më pak kapacitet për t’i kthyer ato në prodhim.
COVID-i na tregoi se çfarë ndodh kur zinxhirët e furnizimit ndërpriten: një vend që importon shumë nga gjërat bazë zbulon menjëherë sa i varur është nga të tjerët. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës e bëri edhe më të qartë këtë dobësi, me rritjen e çmimeve të karburanteve, drithërave, vajit dhe produkteve të tjera që Shqipëria i blen nga tregu ndërkombëtar.
Atëherë kuptohet më mirë ajo që thotë Rubio: nuk mjafton të kesh pasuri natyrore, tokë, ujë, naftë apo minerale. Rëndësi ka çfarë je në gjendje të prodhosh vetë, çfarë je në gjendje të përpunosh dhe sa mund të mbash në këmbë ekonominë tënde kur tregjet jashtë vendit nuk funksionojnë normalisht.
Në asnjë rresht të fjalës së Rubio-s nuk del ideja se bashkimi i dy apo tre vendeve të dobëta i kthen automatikisht në një vend të fortë.
Përkundrazi, logjika e tij është tjetër: fuqia vjen nga ajo që një shtet prodhon, përpunon, kontrollon dhe është në gjendje të mbrojë. Bashkimi i dobësive, pa ekonomi prodhuese, industri, energji, bujqësi dhe institucione funksionale, nuk krijon domosdoshmërisht një të fortë; mund të krijojë thjesht një të dobët më të madh.
-
Të vijë truri mbrapa, kemi shumë shqiptarë që të mençur që punojnë për vendet e tjera dhe që duan Shqipërinë por qeveritë shqiptare nuk i japin mundësinë dhe i ndalojnë
Përgjigju











Komente
Komento