Në 'Bima dhe Shëndeti' në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV me moderatore Androniki Kolka, specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja u ndal në një bimë me një emër të veçantë dhe me veti të mëdha kuruese, thundërmushka. Kjo bimë barishtore shumëvjeçare, me kërcell të mbuluar me push të hollë, me gjethe të dhëmbëzuara, të ngjashme me gjurmën që lë thundra e mushkës dhe me lule të verdha të mbledhura në majë të kërcellit rritet në vende me lagështi dhe është përdorur në mjekësi që në lashtësi kryesisht për problemet në aparatin respirator, si një qetësuese e kollës dhe problemeve në mushkëri. E pasur me vitamina dhe minerale kjo bimë antibakteriale pastron qarkullimin e gjakut nga toksinat e mbledhura, trajton sëmundjet e veshkave dhe të kanaleve urinare, efektive kundër gastritit dhe shumë e shumë problematikave të tjera shëndetësore. Mënyrën dhe dozën e përdorimit të thundërmushkës, kombinuar dhe me bimë të tjera për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, i tregojmë në studion e "Rreze Dielli" së bashku me specialistin Merja.
“Thundërmushka është një bimë barishtore shumëvjeçare. Lulëzon në muajt shkurt-prill. Në fillim dalin kërcenjtë e luleve të mbuluar me luspa, ndërsa gjethet më vonë marrin formën e thundrës së mushkës me cepa gjarpërues. Kupa e lules është e verdhë dhe ka prani të squfurit, është shumë e preferuar nga dielli dhe për këtë fakt mund të ndihmojë shumë organizmin në marrjen e vitaminës D”, thotë Ylli Merja në fillim të bisedës, duke theksuar se bima e thundërmushkës jo më kot emrin në latinisht e ka ‘frenuese e kollës së mirë’.
Jo rastësisht kjo bimë i gëzon vetitë e saj të mëdha qetësuese dhe kuruese, shprehet Merja, pasi thundërmushka është e pasur me përbërës të shumtë kimikë nga flavonoidet, polifenolet, mucilagjet tek vajrat esenciale dhe mineralet e kripërat si kalium, kalcium, magnez, etj.

“Këta përbërës të shumtë kimikë kanë aftësi që të largojnë radikalet e lira dhe të ruajnë trupin të freskët dhe të rigjeneruar. Në veçanti kjo lule godet me fuqinë vepruese të saj tek mushkëria, tek kolla dhe tek frymëmarrja e rënduar, jo e lehtësuar, sidomos tek fëmijët që mund të kenë një si zhurmë mace në kraharor”, thekson Merja.
Vetëm duhet patur pak kujdes në dozën e përdorimit, pasi nëse teprohet konsumimi i çajit me lulen dhe gjethen e thundërmushkës mund të na dëmtojë pak mëlçinë, për shkak të pranisë së alkaloideve.
“Për çdo invidid që do të përdorë lulen e thundërmushkës, nëse përshembull çaji i shkakton të vjella, mirë është të ndërpritet për disa ditë dhe të mund të fillohet përsëri me një dozë më të vogël nga 2-3 gota çaj në ditë në 1 gotë, ndërsa fëmijëve i jepet pak nga pak me lugë”, nënvizon specialisti Merja.
Thundërmushka ka një efekt shumë pozitiv kur bashkohet me lule delen, efekti shumëfishohet, jo vetëm qetësohet kolla, por dhe pastrohet organizmi nga nxjerrja e sekrecioneve dhe njëkohësisht duke qenë një familje me kamomilin na ndihmon dhe në largimin e gazrave nga zorrët. Heqim fryrjen e barkut dhe zorrëve thjesht duke bërë një kombinacion të këtyre dy luleve.
“Ata që janë me astmë bronkiale mund të përgatisin një kavanoz me lule thundërmushke. Pasi kemi mbledhur lulet, i lëmë të thahen brenda kavanozit dhe më pas e mbushim kavanozin me mjaltë, akoma më mirë nëse kemi mjaltë gështenje, e mbyllim e lëmë në një vend të errët për 40-45 ditë. Lulet do të treten plotësisht nga acidet organike në mjaltë dhe të gjithë ata që janë me astmë mund të konsumojnë 1 lugë çaji në mëngjes dhe 1 lugë çaji në mbrëmje”.
Përdorimet e lules dhe gjetheve të thundërmushkës zënë një vend në receta të ndryshme natyrale si në formën e çajit, kompresave, ashtu dhe në përgatitjen e pomadave.
- Çaj me gjethet e thundërmushkës: Në 200 ml ujë zieni 2 minuta një lugë me gjethe të thundërmushkës. Pihen 2 gota në ditë. Gjethet e thundërmushkës janë të mrekullueshme për qetësimin e dhimbjeve të kockave dhe kyceve, ato mund t’i zbusim pak në avull dhe t’i mbështjellim mirë tek gjuri apo tek pjesa problematike që dhemb.
- Çaj me lulet e thundërmushkës: Përvëlohen me 200 ml ujë një lugë supe me lule. Në 200 ml ujë që vlon, shtojmë gjysëm luge me lule dele dhe lule thundërmushke. Ky çaj qetëson kollën dhe astmën, por dhe largon gazrat dhe fryrjen e zorrëve.
- Çaj për kompresa: Dy-tre gjethe thundërmushke ose 1 lugë supe me lule përvëlohen 15-20 minuta me 200 ml ujë. Lagim një garzë dhe e vendosim në lëkurat e ashpërsuara nga ekzema ose kyçet e enjtura. Kjo bëhet 2 herë në ditë.
- Banja me thundërmushkë: Në rast se bëhet banjë zieni në 1 litër ujë 2-3 lugë gjelle me gjethe ose lule thundërmushke.
- Pomada me thundërmushkë: Përziejmë vaj ulliri ose kokosi rreth 100 ml me 5-6 gjethe dhe 1 lugë lule thundërmushke. E nxehim vajin me përbërësit deri në 130- 150 gradë Celsius. E lëmë të ftohet për 40- 50 minuta. Më pas kulloni vajin, shtoni 7-10 gr dyll blete dhe ngrohim përzierjen sa të shkrijë dylli. Lëreni të ftohet dhe shtoni 8-10 pika vaj esencë livando ose kamomili. E vendosim kremin në kuti dhe me të lyeni kyçet që dhembin ose lëkurën e ashpërsuar nga ekzemat. Kremi redukton inflamacionin dhe kruarjet, përshpejton rigjenerimin e lëkurës, vepron si antiseptik natyral, largon dhimbjet e kockave dhe kyçeve.
Komente

