Festat e fundjavës në Korçë e Malin e Tomorit në Berat, si edhe fluksi i sezonit turistik kanë rritur kontrollet policore në akset që të çojnë drejt këtyre destinacioneve, për ndëshkimin e kështu shoferëve që kanë thyer rregullat e qarkullimit rrugor.
Vetëm përgjatë fundjavës janë arrestuar 40 shoferë, ku 28 prej tyre po udhëtonin nën efektin e alkoolit dhe 12 të tjerë po drejtonin mjetin pa patentë. Sakaq, 198 shoferëve iu është pezulluar patenta, nga këto 136 për shpejtësi tej normave të lejuara, 47 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe 15 për qarkullim në sens të kundërt.
Pavarësisht ndëshkimit në masë të drejtuesve të mjeteve, duket se ata nuk zënë mend. Përmes një njoftimi policia bën me dije se 4.519 shoferë janë gjobitur pasi kanë shkelur rregullat duke u bërë kështu potencial për përfshirje në aksidente rrugore.
Mësohet se gjatë kontrolleve të policisë janë evidentuar 3 raste të "korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike", përkatësisht 2 raste në Tiranë dhe 1 rast në Dibër. Policia e Tiranës ka vënë nën hetim qytetarët e identifikuar me inicialet B. D. dhe P. H., të cilët kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë Rrugore, me qëllim shmangien e masës administrative për shkeljet që kishin kryer.
Ndërsa në Dibër është arrestuar në në flagrancë shtetasi D. C., 48 vjeç, banues në Bulqizë, pasi ka rezultuar se drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 0.67 mg/l dhe për të shmangur masën administrative, ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë.
Ndërkohë, në Shkodër ka rënë në pranga shtetasi Y. H., 30 vjeç pasi në aksin rrugor Shkodër-Lezhë, duke drejtuar mjetit tip “BMË”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë së Rendit Publik për të ndaluar dhe më pas ka kundërshtuar për shkak të detyrës, me fjalë fyese dhe veprime të dhunshme punonjësit e Policisë Rrugore.