Një grup tifozësh turq kanë mbërritur në Prizren për ndeshjen KosovëTurqi dhe nuk e fshehin besimin për fitore, madje e parashikojnë rezultatin 2:1 në favor të ekipit të tyre.

Të vendosur pranë “Urës së Gurit”, ata kanë krijuar atmosferë festive me flamuj, pankarta dhe fotografi të lojtarëve të kombëtares turke, si edhe simbolet e grupit të tyre të tifozëve.

Atmosfera ka vazhduar teksa disa tifozë nga Prizreni u janë bashkuar tifozëve turq, duke e kthyer zonën në një pikë takimi plot ngjyra, brohorima dhe emocione para përballjes.

Kosova luan mbrëmjen e kësaj të marte një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj, teksa pret Turqinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Dardanët”, të drejtuar nga Franco Foda, synojnë një rezultat pozitiv në rrugën drejt Kupës së Botës 2026.

Sfida nis në orën 20:45 në Prishtinë dhe pritet të jetë një duel i fortë dhe me shumë emocione për të gjithë futbolldashësit shqiptarë në çdo cep të botës.


Lajmi kryesor:

Ëndrra për në botëror vetëm pak orë larg, Kosova përballet sot me Turqinë! Sytë e gjithë shqiptarëve në Prishtinë, kryeqyteti gati për festë (Formacioni i mundshëm)