Tinguj të vjetër violine të ardhura nga Biblioteka Noliane e Bostonit

Tinguj të vjetër violine të ardhura nga Biblioteka Noliane e Bostonit

Violinistja Ina Kosturi

Për violinisten e njohur Ina Kosturi, partiturat për ngjarjet, personazhet që kanë një lidhje të bukur janë shkëndija e parë e idesë për të realizuar koncerte.

Ina Kosturi nuk do ta harronte datën historike të 5 majit, me të cilën ka një lidhje të veçantë të përzier edhe me historinë e familjes së saj.

5 maji është një datë e shënuar për Postën e Filatelinë Shqiptare. Kosturi ka në dorë zarfin e parë të 1913-s, që është dhe pulla e parë shqiptare. Gjithçka që siguroi u kurorëzua me një ide fantastike për ta përcjellë historinë e vendit të saj në muzikë: “Koncertin me tinguj të vjetër violine”

Për të ky është “kontakti i shtetit të formuar dhe muzikës me kompozitorët shqiptarë dhe pjesët e botuara nëpër botë në kohë të largëta për historinë tonë muzikore si pjesë e trashëgimisë”.

Kosturi në intervistën për “Shqiptarja.com” do të na rrëfej sesi shteti i parë, pulla e parë lidhen me historinë shqiptare. Edhe një ditë nga ndan nga koncerti i Ina Kosturit, i cili do të jepet në ambientet e Muzeut Historik të  shtunën më 5 maj, ora 20.15. Koncerti do të mbahet pas përfundimit të ceremonisë zyrtare të 105-vjetorit të nderimit të pullës së parë postare.

Intervista

Ina, ju ishit së fundmi me një recital në Tiranë, ndërkohë ky koncert me Postën Shqiptare duket i veçantë, i dedikohet pullës së parë. Si lindi kjo ide?

-Së pari ju falënderoj që më dhatë mundësinë të flas për detajet e koncertit. Do ta quaja vërtet të veçantë për pjesët, partiturat, për ngjarjet, personazhet që kanë një lidhje të bukur, të çuditshme me të shkuarën dhe me të sotmen. Në planin historik, 5 maji është një datë e shënuar për Postën e Filatelinë Shqiptare, që nis pas shpalljes së Pavarësisë me krijimin e Ministrisë së Postë Telegrafave në Qeverinë e Ismail Qemalit. Ngjashmërisht si zarfi i parë i 5 majit 1913 që është dhe pulla e parë shqiptare, mendova të realizoj një koncert ku zarfi i parë të vijë nëpërmjet tingujve me vepra të vjetra shqiptare, të shfaqet me partiturat që mbajnë si pullat e dërguara, vendet Venecia 1914, Napoli 1925, Prizren 1915, Leipzig, USA 1920, 1937.  Një lidhje midis zarfit , kontaktit të shtetit të formuar dhe muzikës me kompozitorët shqiptarë dhe pjesët e botuara nëpër botë në kohë të largëta për historinë tonë muzikore si pjesë e trashëgimisë. E nëse shteti i parë, pulla e parë lidhen me historinë shqiptare, me personalitetet, edhe muzika shpalos figura të rëndësishme  me vlera për kombin, personalitete të spikatura të jetës shqiptare,  figura që lidhen me ngjarje historike dhe muzikore, ku patriotizmi gërshetohet me krijimtarinë.

Cilat janë veprat dhe autorët , si është kjo lidhje?

-Do përmend së pari Fan Nolin dhe sonatën për violinë shkruar në 1937, edhe kjo dëshmi e një personaliteti të rrallë , që vjen deri në muzikë, një personaliteti të njohur të kombit shqiptar. Këtë sonatë e kemi interpretuar për herë të parë në një koncert në 2008. E rëndësishme është se kjo sonatë është shkruar nga Fan Noli dhe nëse notat janë të thjeshta në dukje për faktin se i ka shkruar një student i  kompozicionit , si profesionist na shtyn të kërkojmë midis tyre trajtimin më të mirë. Një personalitet si Noli nuk shkruan thjesht as në muzike, midis atyre notave duhet të gjesh motivet qe mua më ngjasojmë me “Dua më shumë Shqipërinë” Thoma Nassi është një tjetër kompozitor, profesionist, emri i të cilit lidhet me krijimtarinë kontributin , me Vatrën dhe Luftën  e Vlorës 1920, spikat finesa dhe profesionalizmi, temat popullore të përpunuara sidomos në shoqërimin me piano. Veprimtaria  e tij e njohur patriotike është dhe ajo pjesë e lavdishme e historisë sonë. Lec Kurti është një tjetër kompozitor profesionist e personalitet , pjesët e te cilit i shikoj për herë të parë, krijimtaria e të cilit të tërheq për mënyrën e veçantë të shkrimit muzikor, diapazonin e gjerë. Mendoj se duhet të shikohet kontributi i tij në muzikën shqiptare, të nderohet e të marrë vlerat që i takojnë . Interesant është dhe lënia e parteve pa indikacione gati në dëshirë të interpretuesit. Interesante është dhe një përmbledhje këngësh shqiptare nga Dionisio de Sarno – San Giorgio dhe mban të shkruar datën Prizren 1915, simbol i lidhjeve të gjithëhershme me Kosovën. Kostandin Papajorgji vjen me Nokturn për violinë të botuar në Napoli në 1925, pjesë të cilën e kam interpretuar, duke shpresuar të gjejmë dhe të tjera vepra nga ky kompozitor, duke falënderuar dhe koleksionistin Shpëtim Sala që na i dhuroi këto parte si dhe Shoqatën e Koleksionistëve.

A  janë të njohura pjesët?

-Të gjithë pjesët janë gati të panjohura për publikun të luajtura një herë të vetme në një dhjetëvjeçar dhe për herë të parë vijnë bashkë në simbole dhe qytetesh  me përkatësitë e qyteteve nga veriu në jug që përfaqësojnë. Kështu, nëse secili simbolizon dhe karakteristikat e vendit të tij  të origjinës , tek Thoma Nasi” Fyelli i bariut” është me motive të Matit. Përveç faktit të  krijimtarisë diskutojmë për figura të historisë shqiptare të simbolizuar në këtë lidhje personalitetesh me muzikën.

A mund të zbuloni disa detaje më specifike për koncertin? 

-Ka disa detaje që mua më duken koincidenca dhe i japin koncertit dhe emocionin personal. Çdo koncert ka specifikat herë për pjesët, për premierat, për bashkëpunimet, po rrallë ndodhin të tilla kombinime. Po ndalem tek pjesët e Thoma Nassit. Biblioteka Noliane në Boston , gjej rastin ta falënderoj, krahas parteve të këtyre pjesëve dhe Sonatës së Nolit, na i dërgoi të skanuara për koncertin kopertinat origjinale të pjesëve” Fyelli i Bariut” dhe” E qarë”. Në dëftesat e vjetra të Liceun Francez të Korçës ,të vitit 1922 gjeta shënimin e Thoma Nassit si profesor i muzikës. Pra kishte qenë profesor i muzikës i tim gjyshi në Liceun Francez ! Pothuaj çdo kompozitor në planin personal ka lidhje apo miqësi me të parët e mi, ekzistojnë letra interersante që dëshmojnë për këto fakte dhe ndoshta është kjo e gjitha pjesë e emocionit , në kujtim e nderim të të parëve, e këtë herë nëpërmjet tingujve dhe violinës që mesa duket ka qenë pjesë e dashur e krijimtarisë së këtyre personaliteteve. Njihet miqësia e ministrit të parë të Postë -Telegrafave Lef Nosi me Fan Nolin, violina që i lë kur largohet si dhe të tjera detaje të miqësisë me Kosturët, fjalimi i Nolit për Spiro Kosturin. Mendoj se çdo muzikant ka ndjeshmërinë ndaj muzikës së vendit të tij, dikush muzikën shqiptare e njeh e interpreton nëpërmjet personaliteteve që ka njohur personalisht, veprave premiera luajtur me dedikim. Në rastin tim është prejardhja apo ajo lidhje e të parëve që më shtyn apo më emocionon me këtë muzikë të vjetër , e përtej saj dhe fakti për ta njohur interpretuar dhe rikthyer pas një kohe të gjatë harrese. 

Me kë keni bashkëpunuar për këtë koncert?

-Bashkëpunimi ka qenë me profesorët e Universitetit të Arteve me kontribute të spikatura ndër vite e sot në jetën solistike e atë të dhomës në skenën shqiptare dhe jashtë saj. Ashtu si veprat për violinë që shkruhen për violinë e piano si dhe violinë e orkestër, ky koncert mi mundëson të dyja. Së pari kënaqësinë e interpretimit me piano e veçanërisht me pianisten e njohur Rudina Ciko pas një maratone duosh nga Copland tek Stravinskij. Do veçoja dhe aftësinë dhe eksperiencën në trajtimin e pjesëve e sidomos tek Romanza e Sonata e Lec Kurtit partit pianistik, edhe se kompozitori i lë pa indikacione partet muzikore. Së dyti kënaqësinë e interpretimit me orkestër, pasi kuinteti i harqeve me dirigjent violinistin Lorenc Radovani, violistin Arian Paço, kontrabasistin Arben Basha, violoncelistin Gëzim Belegu e ish studentin violinist Fatjon Memaj është dhe orkestër, janë dhe solistë. Krahas veprave të vjetra shqiptare me piano, Ciaccona e Vitalit e transciptuar në mënyrë të shkëlqyer nga Lorenc Radovani për violinë e orkestër harqesh është një tjetër  pjesë interesante dhe me efekt e programit. E nderuar për faktin që luaj si soliste me ta, me kënaqësinë e interpretimit dhe të një pjese modeste të cilën e ka orkestruar profesor Robert Radoja. Kuinteti i harqeve interpreton një vepër të njohur duke ardhur më pranë publikut , pianistja Rudina Ciko disa këngë shqiptare të përmbledhura në partin e 1915.

Një falënderim për Postën Shqiptare që po na bën pjesë të këtij eventi duke na ngjitur në skenë  për të kujtuar e nderuar bashkë me 105-vjetorin e Pullës së Parë dhe personalitetet themeluesit me kontribut të jashtëzakonshëm të Postës Shqiptare.   

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës