Pas vendimit të djeshëm të Tiranës zyrtare për të dëbuar nga vendi ynë dy spiunë rusë, të mbuluar nën petkun diplomatik, në vazhdën e një nisme të njëjtë të ndërmarrë dhe nga rreth 25 shtete të tjera nëpër botë, ambasada e Moskës në Tiranë, po përpiqet që ta marrë gjithsesi me të mira qeverinë e Edi Ramës.

Në fakt, në faqen e kësaj ambasade në Facebook, sot i është bërë jehonë hyrjes në fuqi të një vendimi të këshillit shqiptar të ministrave, që bën të mundur udhëtimin e shtetasve rusë pa viza drejt Shqipërisë nga 1 prilli, deri më 31 tetor 2018.

Në këtë mënyrë, goditjes diplomatike me “kërbaç” të Tiranës, Rusia i është përgjigjur me “kulaç”, aq sa shoqëruar me këtë postim të sajin në shqip dhe rusisht, ajo ka përzgjedhur të promovojë me kujdes edhe mjaft peizazhe tërheqëse turistike shqiptare.

Një ditë më parë, zv. ambasadori rus në Tiranë, e kishte komentuar thuajse me keqardhje qëndrimin e Shqipërisë.

Në fakt, Dimitry Kazmin u shpreh për Report TV se ky vendim bie ndesh me përpjekjet e Rusisë për përmirësimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Megjithatë, pavarësisht dëbimit të dy spiunëve, tashmë duket se Rusia po përgatit një “pushtim” të butë me ardhjen e pritshme të mijëra turistëve rusë, duke ngritur edhe ndonjë shqetësim të mundshëm, se mes tyre mund të ketë pse jo, më shumë se dy spiunë.

SHISH-i dhe SHIU duket se do të kenë goxha punë këtë verë. 

Statusi i ambasadës ruse në Tiranë në Facebook:

Hyn në fuqi VKM për heqjen e vizave për shtetasit rusë
Sot, më 27 mars, pas botimit në Fletoren Zyrtare ka hyrë në fuqi Vendimi i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë Nr. 158, datë 21 mars 2018, për heqjen e vizave për shtetasit e disa vendeve, përfshirë edhe Rusinë, për periudhën 1 prill – 31 tetor 2018.
 

Postimi i ambasadës ruse në Facebook