Ka vepra që flasin përmes ngjyrave, të tjera përmes vijave, formave dhe gjurmëve që lënë në letër. Por kur arti kapërcen kufijtë, ai kthehet në një gjuhë që nuk njeh përkthim. Pikërisht kjo gjuhë bashkoi artistë nga vende të ndryshme të botës në edicionin e dytë të Bienales Ndërkombëtare të Grafikës, e cila çeli dyert në Galerinë e Artit Tiranë.

Përmes teknikave dhe qasjeve të ndryshme krijuese, veprat e ekspozuara dëshmojnë larminë e artit bashkëkohor grafik, duke përcjellë identitete kulturore, përvoja dhe këndvështrime që takohen në një hapësirë të përbashkët.

Rikthimi i bienales pas katër vitesh ndërprerjeje nuk ka qenë i lehtë. Vështirësitë financiare dhe teknike vunë në pikëpyetje organizimin e saj, por për drejtuesit e këtij aktiviteti, vijimësia ishte një zgjedhje që nuk mund të shtyhej më tej.

“Sigurisht që janë katër vite që nuk u zhvillua për arsye teknike dhe për arsye financiare.  Ishte një pengesë, por unë ngula këmbë dhe thashë që vërtet duhet ta realizonim patjetër. Vizioni të shkojë më tej, për të mos u bërë skllavi i momentit", thotë Abaz Hado, drejtues i Bienales së Grafikës. 

Rreth 190 punime, të ardhura nga 24 shtete, sjellin në kryeqytet një mozaik të larmishëm teknikash, stilesh dhe konceptesh artistike. Përmes grafikës, artistët prezantojnë jo vetëm individualitetin krijues, por edhe identitetin kulturor dhe mënyrën se si e shohin botën. Pas katër vitesh ndërprerjeje, rikthimi i kësaj bienaleje merr një domethënie të veçantë, duke dëshmuar se pasioni për artin dhe dëshira për të krijuar ura komunikimi mund të kapërcejnë edhe vështirësitë.

“Bota nga 24 vendet e botës na besuan që të vijnë dhe të ekspozojnë punët e tyre, që janë disa prej tyre edhe artistë të mëdhenj. Kjo bienale sot tregon vlerat e saj jo vetëm në pjesëmarrjen e numrit të madh të artistëve, por ndërkohë të përcaktojë edhe një rrugëtim", thotë Abaz Hado, drejtues i Bienales së Grafikës. 

Një tjetër synim i kësaj nisme është pasurimi i fondit të Galerisë së Artit Tiranë me vepra të grafikës ndërkombëtare. Edhe edicioni i parë la një gjurmë të rëndësishme, me rreth 240 punime të dhuruara nga artistët pjesëmarrës, të cilat tashmë janë pjesë e fondit muzeal. Përtej ekspozimit, bienalja synon të konsolidohet si një platformë e qëndrueshme për shkëmbimin artistik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 28 nëntor në Galerinë e Artit Tiranë, duke i dhënë publikut mundësinë të njohë nga afër një panoramë të gjerë të grafikës bashkëkohore botërore.