Tirana në volejboll për meshkuj është mundur dje 1-3 me sete nga sllovakët e Komarno. Në pallatin e sportit "Feti Borova" në kryeqytet, bardheblutë nuk kanë mundur të përmbysin humbjen e parë në transfertë (3-1), duke pësuar sërish disfatë në parket.
Seti i parë ka folur për Tiranën, që e mbylli 25-18. Në setet e tjera kampionët e Sllovakisë vendosën diktatin, duke fituar 16-25, 19-25 dhe 21-25, për të marrë fitoren e dytë ndaj tanëve në harkun e tetë ditëve. Me këtë rezultat Tirana e volejbollit për meshkuj largohet nga Challange Cup qysh në turin e parë. Komarno tanimë në raundin e dytë luan me grekët e Olympiacos.
" Djemtë bardheblu nuk kanë mundur të kualifikohen për në turin e dytë të Challenge Cup duku u mundur në shtëpi me të njëjtin rezultat si ndeshjen e parë 3-1, duke mbyllur kështu aventurën Europiane për këtë sezon", njoftojnë bardheblutë.