Një 42-vjeçar i identifikuar si Vilson Shima është arrestuar nga Policia teksa po udhëtonte me automjetin e tij në Unazën e Madhe me 10 kilogramë kanabis.
Arrestimi i tij është filmuar me dron teksa shihet momenti që efektivët e policisë i presin rrugën dhe në moment e zbresin nga automjeti duke e shtrirë në tokë për t’i vendosur prangat. Hashashi i futur brenda një qeseje plastike dhe ishte vendosur në pjesën e pasme të automjetit. Dy armët e zjarrit të llojit pistoletë, dy silenciatorët dhe municioni luftarak u gjetën dhe u sekuestruan në shtëpinë e 42-vjeçarit.
Komisariati nr. 4 prej disa kohësh kishte në vëzhgim 42-vjeçarin Vilson Shima si i dyshuar i përfshirë në shitjen e lëndëve narkotike. Kanabisin e kishte siguruar në zonën e Baldushkut dhe do ta shiste në afërsi të zonës së njohur si ‘Kafja e Rremës’, raporton gazetari i Report Tv Sokol Dema. I arrestuari nuk figuron me precedent të mëparshëm kriminal. Ndërkohë po hetohet për blerësit e kanabisit dhe për persona të tjerë bashkëpunëtor me të arrestuarin. Shima e ka kuptuar qe po ndiqej nga policia dhe ka devijuar rrugën, duke tentuar që të largohet në drejtim tjetër.
“Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Ndalesa”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen 10 kg kanabis, 2 armë zjarri pistoletë, 2 silenciator dhe municion luftarak, vihet në pranga 42-vjeçari.
42-vjeçari u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Unazë të Madhe, duke transportuar 10 kg kanabis me qëllim shitjen.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një shtetas që po transportonte lëndë narkotike me automjet dhe posedonte sende të kundërligjshme në banesë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ndalesa”.
Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi V. Sh., 42 vjeç, banues në Tiranë.
42-vjeçari u ndalua nga shërbimet e Policisë, në Unazë të Madhe, duke qarkulluar me një automjet, në të cilin gjatë kontrollit u gjetën, në total, 10 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen.
Më tej, gjatë kontrollit të banesës së tij, iu gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri pistoletë, 2 silenciator dhe municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Komente











