Reforma në drejtësi në Shqipëri do të jetë në qendër të diskutimeve më 6 dhe 7 maj në Tiranë ku pritet të mblidhen qindra juristë nga Shqipëria dhe vende të tjera. Aktiviteti konsiderohet si nisja zyrtare e përgatitjeve për Kongresin Botëror të Ligjit i cili do të mbahet vitin e ardhshëm në kryeqytet. Një ngjarje të tillë kryeministri Rama e quan moment krenarie për vendin.
“Përtej rëndësisë së vetë këtij evenimenti, përzgjedhja e Shqipërisë si vend pritës për këtë platformë, lidhet drejtpërdrejtë me një vlerësim të lartë të reformës në drejtësi dhe me fazën ku ndodhet sot ky transformim i afirmuar”, tha mes të tjerash Rama.
Fjalë në këtë aktivitet pritet të ketë Kryeministri Edi Rama, Ministri i Drejtësisë Toni Gogu dhe Presidenti i Shoqatës Botërore të Juristëve, Havier Cremades.
Të pranishëm do të jenë gjithashtu gjyqtarë, juristë dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarë.
Mësohet se aktiviteti do të hapet me një prezantim audiovizual, ku do të paraqiten zhvillimet kryesore të reformës në drejtësi në Shqipëri dhe lidhja e saj me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë sesionit do të diskutohen në detaje rezultatet e reformës së deritanishme, ndryshimet që janë bërë në sistemin e drejtësisë dhe sfidat që mbeten ende përpara. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet forcimit të shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe përafrimit të sistemit shqiptar të drejtësisë me standardet evropiane. Një panel ndërkombëtar i nivelit të lartë do të sjellë përvojën e dekadës së fundit të reformës në drejtësi, duke ndarë eksperienca nga institucione të rëndësishme evropiane dhe globale. Ky aktivitet vlerësohet si një moment i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi e vendos vendin në qendër të diskutimeve ndërkombëtare për sundimin e ligjit.
Komente











