TIRANË - Pas përfundimit të hetimeve Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq tre punonjës të burgut 313 për ‘Shpërdorim detyre’.

Sipas njoftimit bëhet me dije se efektivët Bashkim Muça, Oldi Myzyri dhe Radion Maloku nuk kryen detyrën siç duhet duke mundësuar dy të burgosur konkretisht Arbër Çekaj e Fatmir Pjetri tentuan arratisjen para katër vitesh.

Më 8 gusht të vitit 2021 ata tentuan të arratiseshin nga qelitë e “Jordan Misja” (313) në kryeqytet, por pa mundur ta realizojnë. Gjatë tentativës të dy goditën dhe një prej policëve të burgut 313.

Kujtojmë se Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 14 vite burg të Arbër Çekajt, i cili u shpall fajtor për trafikimin e një sasie prej 613 kg kokainë që u sekuestrua në vitin 2018 në Portin e Durrësit. Lënda narkotike u gjet në një kontejner me banane që vinte nga Amerika Latine dhe ishte e destinuar për kompaninë “Arbi Garden”, në pronësi të Çekajt.

Ndërkohë Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal 'Babagjyshët' gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit ku ka grabitur me armë disa argjendari në këto qytete.

Ai është dënuar me 30 vite burg për vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim, grup të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasit R.M., B.M., dhe O.M., për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.5648, të vitit 2022, të nisur pas tentativës për t’u arratisur e dy të burgosurve A. Ç. dhe F.P, në IEVP ‘Jordan Misja’, rezultoi se këta shtetas për kryrjen e tentativës për t’u arratisur kanë përfituar dhe nga shkelja e rregullave të shërbimit të rojes të kryera nga disa punonjës të IEVP “Jordan Misja” Tiranë, që kanë qenë me shërbim në momentin e arratisjes.

 Sipas referimit të bërë, në datë 08.08.2021, policia gjyqësore në SHKB ka marrë njoftim zyra e informacionit të IEVP “Jordan Misja“ Tiranë se rreth orës 15:40 të asaj dite të paraburgosurit A.Ç. dhe F.P. kanë tentuar të arratisen duke zbritur me një litar të improvizuar me çarçaf, nga pjesa e ajrimit që ndodhen në tarracën e godinës “A” te shkallët e administratës dhe më pas janë neutralizuar nga forcat e policisë në pjesën e oborrit të IEVP.     

Në ushtrim të detyrës së tyre si punonjës të rolit bazë, të pandehurit R.M. B.M. dhe O.M., rezultuan se kanë shkelur skemën e sigurisë të IEVP “Jordan Misja”.

Këta tre shtetas kanë mbajtur detyrën si punonjës të rolit bazë në momentin e tentativës së arratisjes dhe nga hetimi i kryer, provohet plotësisht se nuk kanë kryer kontrollin edhe pse ishte detyra e tyre sipas ligjit dhe rregullores. Nëse këta punonjës do të kishin kryer detyrën e tyre, dy personat që tentuan të arratisen nuk do të mund të lëviznin në ambientet e brendshme të IEVP-së me sende të ndaluara ose të prodhuara prej tyre, për t’i përdorur për arratisje apo për të ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve të policisë të burgjeve që tentuan t’i ndalojnë të dalin nga rrethimi i institucionit. Gjë e cila vërtetohet plotësisht nga pamjet filmike të ambienteve të brendshme të IEVP 313.

Nga pamjet filmike konstatohet se shtetasit R.M., B.M. dhe O.M., nuk kanë kryer fare kontroll fizik të të paraburgosurit F. P., i cili dukej qartë se mbante një çantë në dorë brenda të cilës kishte sendet e ndaluara, aq më tepër të imtësishëm, duke bërë të mundur që dy personat që tentuan të arratisen të qarkullonin me sende të ndaluara brenda ambjenteve të IEVP, sende të cilat më pas u përdorën prej tyre.