TIRANE - I afërmi i Elton Deliut, i vrarë bashkë me të ëmën në banesën e tij në dhjetor të vitit 2008, është bërë pre e një atentati mafioz mbrëmjen e së martës (22 janar) në mes të Tiranës. Admirim Sako 37 vjeç, babai i një fëmije u qëllua me 3 plumba brenda në makinën e tij pas ish-ekspozitës "Shqipëria Sot". Ai u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku për shkak të hemoragjisë dhe plagëve të marra ndërroi jetë.

Sipas policisë Admirim Sako ishte një nga administratorët e pasurisë prej 5 milionë euro që Elton Deliu kishte vendosur sa ishte gjallë.

Mbi 100 persona janë shoqëruar në drejtorinë e Policisë së Tiranës për të marrë dëshmi si dhe persona të dyshuar që mund të kenë gisht në vrasje por ende nuk është arritur në gjurmët e autorit. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp të publikuar sot paradite policia deklaroi se hetimet janë përqëndruar në konflikte të mëparshme të viktimës apo me administrimin e disa pronave të sekuestruara nga strukturat e aseteve kriminale të policisë, lidhje shoqërore të mëparshme të viktimës.

ATENTATI NE SY TE BASHKESHORTES
Atentati ndodhi rreth orës 22:00, pas ekspozitës "Shqipëria Sot" pranë Gjykatës së Tiranës. Person/a ende i paidentifikuar (nuk dihet nëse ishte një autor i vetëm apo më shumë) qëlloi me pistoletë Admirim Sakon brenda në makinën e tij. Policia tha mbrëmë se Sako është qëlluar me pistoletë dhe se autorët u larguan në rrugicat drejt rrugës “Myslym Shyri”. 37-vjeçari sapo kishte dalë nga lokali në pronësi të tij, “LUXUR” në afërsi të Gjykatës së Tiranës në rrugën “Nikolla Jorga” dhe ishte futur në automjetin e tij me targë AA 975 BR kur është qëlluar nga një person i cili ka përfituar nga errësira dhe është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes përmes një rrugice. Policia dyshon se kanë qenë edhe persona të tjerë që e kanë ndihmuar për t’u larguar.
Bashkëshortja e Sakos ka qenë e pranishme në momentin e vrasjes dhe në dëshmitë e para që i ka dhënë inspektorëve të grupit hetimor ka treguar se autori ishte një djalë i ri rreth 24- 25 vjeç. “Pranë makinës u afrua një djalë i ri pa maskë, reth 25- 30 vjeç që qëlloi 3 herë mbi Admirimin”- citohet të ketë dëshmuar në polici e veja e 37 vjeçarit, informon gazetari i Tv A1 Report, Arsen Rusta.

SAKO U QELLUA DHE NE KOKE

Sako u dërgua me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak nga ku fillimisht u raportua se gjendja e tij shëndetësore ishte mjaft e rëndë dhe kritike për jetën. Bluzat e bardha njoftuan pas mesnatës së të martës se 37-vjeçari nuk mundi t’i mbijetonte plagëve edhe pasi iu nënshtrua një operacioni. Sipas mjekëve, Sako ndërroi jetë nga hemoragjia dhe nga plagët e marra, pasi plumbat i kishin prekur organet jetësore dhe kokën. Policia ndërkaq është vënë në ndjekje të autorëve të këtij krimi, por ende nuk ka asnjë person të shoqëruar.

LIDHJA ME ELTON DELIUN, PASURIA QE ADMINISTRONTE

40-vjeçari ishte kunati dhe ish shoferi i Elton Deliut i ekzekutuar në vitin 2008, në apartamentin e tij së bashku me të ëmën. Më 27 dhjetor 2012 Prokuroria urdhëroi sekuestrimin e një pasuri prej 5 milionë euro. Policia tha se dyshonte që pasuritë e Deliut të jenë tjetërsuar dhe figuronin të regjistruara në emër të tij dhe familjarëve të tij. Pasuritë ishin regjistruar në emër të Flutura Deliu ( e ëma e Eltonit), A.Musaraj dhe personit të tretë që në atë kohë emri i dihej vetëm me iniciale A.Sako. Dhe është pikërisht Admirim Sako, për të cilin policia tha se në emër të tij ishin regjistruar:

1. Tre automjete
2. Një apartament
3. Aktivitet privat (lokal)
4. 7440 m2 siperfaqe toke

100 PERSONA TE SHOQERUAR

Mbi 100 persona janë shoqëruar në drejtorinë e Policisë së Tiranës për të marrë dëshmi si dhe persona të dyshuar që mund të kenë gisht në vrasje por ende nuk është arritur në gjurmët e autorit. Policia po ekzaminon dhe pamjet e kamerave të sigurisë të lokalit ndërkohë që policia nëpërmjet një njoftimi për shtyp të publikuar sot paradite deklaroi se hetimet janë përqëndruar në konflikte të mëparshme të viktimës apo me administrimin e disa pronave të sekuestruara nga strukturat e aseteve kriminale të policisë, lidhje shoqërore të mëparshme të viktimës.

"Mbrëmë, rreth ores 21.45, në rrugën“Nikolla Jorgo” në Tiranë, në automjetin në pronësi të tij është plagosur shtetasi Admirim Nuro Sako, 37 vjec, lindur ne Permet dhe banues ne Tiranë, i cili gjatë orëve të voan të mbrëmshme ka gjetur vdekjen. Në vendngjarje menjëherë kanë mbëritur forca të Komisariatit të Policisë nr.2, si dhe Oficerë të policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda të Policisë së Kryeqytetit, të cilët kanë bërë sigurimin dhe kqyrjen e vendit të ngjarjes.  Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale 3 copë gëzhoja me kapsolle te plasur, te kalibrit 9 mm. Për hetimin e kësaj ngjarje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe vazhdon puna intesive për dokumentimin ligjor të ngjarjes. Hetimet janë përqëndruar në konflikte të mëparshme të viktimës apo me administrimin e disa pronave të sekuestruara nga strukturat e aseteve kriminale të policisë, lidhje shoqërore të mëparshme të viktimës. Për ecurinë e mëtejshme të hetimeve do t`ju njoftojmë përsëri."- thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.

*Foto, Admirim Sako
Lajmi u publikua fillimisht në orën 22:42 të datës 22 Janar dhe më pas u përditësua në orën 01:06. Perditesimi i fundit ora 13:28 i 23 janarit 2013

Redaksia Online
(Gre.M/sg/Shqiptarja.com)