“Tirana e Kadaresë”, frymëzuar nga romani “Pallati i ëndrrave” i shkrimtarit Ismail Kadare, është itinerari i ri kulturor që zbulon kryeqytetin, i lançuar këtë të enjte në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në kuadër të Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit. Aktiviteti bëri bashkë profesionistë të librit dhe studentë, ku i ftuar special ishte shkrimtari turk Tarik Tufan.

“Është edicioni 18-të i kremtimeve të Ditës së librit dhe të Drejtës së Autorit në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. Programi i këtij viti është i ngjeshur, është ambicioz, me të ftuar nderit. E çelëm me ekspozitën kushtuar 90 vjetorit të Ismail Kadaresë, duke qenë një vit i veçantë që atij kushtohet.”, tha Persida Asllani, përgjegjëse e Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë.

Aktiviteti erdhi në bashkëpunim me Shtëpitë Studio Kadare-Agolli, të cilat prezantuan edhe një ekspozitë me dorëshkrime dhe u nënshkrua edhe një marrëveshjeje bashkëpunimi për kërkimin shkencor mes fakultetit dhe Shtëpive Studio.

“Do të jetë një itinerar i rëndësishëm kulturor i Tiranës që bazohet në veprën ‘Pallati i ëndrrave’ të Ismail Kadaresë, është i pari. Mark Lemi ka disa pika të rëndësishme në qytet. Fillon rrugën mbretërore, vijon pastaj te Kafe Flora, te Banka e Shqipërisë, blloku i ministrive dhe përfundon te ish-komiteti ekzekutiv apo selia e Kuvendit sot. Kështu do të bëjnë dhe guidat e muzeut me grupet që do ta marrin këtë ofertë, që ne do të do ta kemi prej fillimit të muajit maj.”, tha Anisa Ymeri, drejtuese e shtëpive studio “Kadare-Agolli”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave prezantoi për herë të parë një ekspozitë me dorëshkrime origjinale të figurave të shquara të kombit.

“Kemi shfaqur disa ditarë të cilët dalin për herë të parë. Gjëja e çmueshme e tyre është jo vetëm fjala, të cilën ata kanë diktuar aty, por dhe koha kur është shkruar, momentet se si janë shkruar dhe se si janë gjendur. Kemi ditarë të cilët flasin dhe subjekti i tyre është shumë i thelluar. Kemi ditarë, të cilët mund të jenë thjesht një rresht, kur është folur për motin apo çfarë ka ndodhur në atë ditë.”, tha Marinela Ndria, Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Arkivave.

Ekspozita solli në vëmendje dorëshkrime të autorëve të njohur, si: Andon Zako Çajupi, kujtimet e Parashqevi Qiriazit mbi Kongresin e Manastirit (1908); “Ditar për problemet politike gjatë periudhës 16 shtator 1916-10 maj 1918” i Mid’hat Frashërit; Letra të Nikollë Ivanajt për jetën në bjeshkë; Dorëshkrime të ndryshme të përmbledhura në vëllimin “Jeta e nënës plakë, jeta e gruas gjirokastrite” nga Musine Kokalari si dhe “Ditar dhe shënime për vitet 1917-1956” të klerikut Justin Rrota.