/ATSH-Harilla Koçi/.-Fondi Shqiptar i Zhvillimit(FSHZH), në bashkëpunim me Agjensinë e Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA dhe Fakultetin e Bioteknologjisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, organizuan "Ditën e Hapur" për aplikimin e teknologjive në miniaturë në fushën e agropërpunimit.

 Teknologjia në miniaturë është relativisht e re, e lëvizshme (mobile) e cila shkon pranë fermerëve dhe përpunon e realizon produkte të freskëta.
 Ajo shtrihet në një gamë të gjerë produktesh të transformuara, duke përfshirë sektorin e përpunimit të frutave për prodhimin e lëngjeve, pelteve dhe marmelatës, përpunimin e ullirit për vaj, si dhe peltes së ullirit, përpunimin e qumështit dhe prodhimin e djathit, gjizës dhe nënprodukteve të treta, përpunimin e mishit dhe prodhimin e nënprodukteve të tij etj.

 Nga ana tjetër, teknologjia në miniaturë përbën sot një trend të rëndësishëm e të spikatur në vendet e Komunitetit Evropian. Kjo për shkak të efektivitetit të lartë të saj, si dhe të faktit që nuk është shumë e kushtueshme, ndërkohë që është fleksible, përpunon produkte edhe në kapacitete të vogla. Shërbimi që ofrohet përmes kësaj teknologjie i shkon fermerit në vendin e punës, çka redukton kostot e transportit, shpenzimet e magazinimit, rrit dhe përmirëson cilësinë e produktit të përpunuar në gjendje të freskët. Për rrjedhojë, shkurton hallkat në zinxhirin e vlerës së produktit, duke bërë që fitimi real t'i shkojë fermerit dhe jo të tretëve.

 Në mjediset e Laboratorit të Teknologjive Ushqimore në Universitetin Bujqësor të Tiranës, që është pajisur me një linjë në miniaturë për përpunimin e qumështit, që është në dispozicion të të gjithë fermerëve, studentëve, SME-ve të cilët duan të eksperimentojnë dhe të aplikojnë teknologjitë e reja të përpunimit të qumështit, u zhvillua demonstrimi i prodhimit të djathit dhe produkteve të tjera. Procesi ishte realizuar nga studentë të këtij fakulteti.

 Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Z.Edmond Panariti, Drejtori Ekzekutiv i FSHZH, Z.Benet Beci, Drejtoresha e Agjencisw së Zhvillimit Ekonomik Lokal AULEDA, Vlorë, pedagogë, fermerë, përfaqësues të bizneseve të agropërpunimit dhe studentë. Ky aktivitet organizohej në kuadër të projektit IPATECH, të financuar nga programi i bashkëpunimit ndërkufitar IPA Adriatik.
 Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti, u shpreh mes të tjerash se, teknologjia në miniaturë është shumë e përshtatshme për fermat shqiptare, që janë relativisht të vogla, me kapacitet relativisht të vogël përpunimi dhe prodhimi. Përballë alternativës së transportit dhe përpunimit në fabrikat e mëdha, fermerët janë dhe duhet të jenë të prirur për të zgjedhur këtë teknologji e cila, veç të tjerash, ofron edhe kosto më të ulëta. "Pra, teknologjia është në përputhje me madhësinë e fermave dhe me sasinë e prodhimit të tyre", theksoi Panariti. Ai shtoi se përveç fushës së përpunimit të qumështit, kjo teknologji është e përhapur edhe në drejtim të përpunimit të frutave, prodhimit të reçelit, marmalatave etj.

 Benet Beci, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, theksoi në fjalën e vet se, kjo teknologji jo shumë e kushtueshme, me një vlerë deri në 18 mijë euro, mund të gjejë një shkallë përdorimi në rritje dhe mund të shtrihet në një masë gjithnjë e më të madhe tek fermerët të cilët mund ta përfitojnë atë përmes skemave të mbështetjes financiare, apo përmes sistemit të kreditimit me kushte lehtësuese.

 Nga ana e saj, Mirela Koçi, drejtore ekzekutive e Agjensisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, prezantoi teknologjinë në miniaturë të përpunimit dhe prodhimit të vajit të ullirit, që kjo agjensi ka prokuruar në kuadër të projektit IPATECH. Kjo eshte një minifabrikë e lëvizshme, që i shkon prodhuesit në plantacion, e cila realizon një process zinxhir e kompleks që nis me linjën e zhveshjes së gjetheve të ullirit, larjen e tij, përpunimit dhe derdhjen e bërsive, që mbeten në përfundim të procesit. Sipas Koçit, kjo teknologji, me një kosto të ulët, deri në 16 mijë euro, realizon një produkt të freskët dhe me cilësi më të lartë krahasuar me format klasike të përpunimit të ullirit në fabrikat e përqëndruara. "Sfida jonë në këtë rast është që të bindim fermerët të zgjedhin alternativën e cilësisë më të lartë dhe jo të sasisë në dëm të saj", theksoi ajo.

 Ndërkohë, Renata Kongoli, Dekane e Fakultetit të Bioteknologjise në Universitetin Bujqësor, demonstroi edhe aktivitete të tjera që realizohen në këtë laborator në funksion të sektorit të agroindustrisë, mes të cilave degustimi i vajit të ullirit dhe verërave, realizimit të analizave në funksion të sipërmarrjes që operon në këtë sektor etj./