Në katin përdhe të pallatit ku banoj, krahas kafeneve të hapërdara ngado, kryeson një tip “Burgeri”, i kompletuar ku gjithëçka shkëlqen, një pjesë të të cilit e ka fituar në kurriz të shëndetit dhe të qetësisë të banorëve të pallatit. Pesë a gjashtë kondicioner e aspiratore fabrikash të saj zhurmojnë e shprazin ajër të ndotur, i cili për hir të diferencës të presioneve hyn brenda shkallëve e na helmon gjithë ditën. Tym sallami, tuba që rrjedhin dhe e bëjnë vendin qull, hidraulikë, elektricistë e dreqi me të birin gjëmojnë duke na e bërë bashkëjetesën fare të rëndë.
Aty nga ora 9 të një prej këtyre mbrëmjeve, ulur përballë tv. ndjeva një dridhje të lehtë muresh dhe një zhurmë acaruese. Edhe pas një ore e njëjta situatë. E pamundur të mos shqetësohesh, aq më tepër kur të tilla lloj dridhjesh me orë të tëra, përveç prishjes të qetësisë janë të rrezikëshme edhe për suvatimet apo pllakat e mureve tanë mbi 50 vjeçarë, të cilat mund të bien e të bëjnë batërdinë në çast.
Zbrita për tu ankuar te personeli. Më doli një çun, i cili pasi më dëgjoi, me një buzëqeshje të shëmtuar prej rrugaçi më pyeti se mos e kisha iluzion. E detyrova të kontrollonim në anekset e Burgerit. Ishte e thjeshtë të kuptohej se një gjenerator punonte dhe krijonte dridhjen sa më sipër. E paralajmërova çunin e pasjellshëm dhe i thashë se do njoftoj për të edhe policinë. Në fakt policia e 129 e solli një polic, i cili erdhi dhe doli duke u përtypur, në se nuk më gaboi shikimi nga lartësia e ballkonit. Asgjë më pas! Zhurma vazhdoi punën e vet, e unë vazhdova në timen. Grindesha me vete në mes të natës e pagjumësisë, grindesha me policinë dhe mbi të gjitha me “pronarin e madh” të Burgerit.
- Eh, mos e takofsha atë pronarin e madh se do … ju ankova në mëngjes time shoqeje.
- Mos more i uruar - ma ktheu - mos e takofsh kurrë ishalla. Se na ka mbetur vetëm të na përzenë edhe nga shtëpia tani.
- Si …?
Dhe ndofta kishte të drejtë. Ndofta duhet t’a mbyll gojën njëherë e mirë tani në këtë moshë. Të paktën të fle në krevatin tim.
Një jetë e tërë në Tiranë! Por kurrë nuk e kam parë këtë qytet të përfundojë më keq. Tiranën e sotme natyrisht, shumë më të madhe e tepër moderne, por si kurrë ndonjëherë më të huaj, me të ftohtë, më të pashpirt e më idjote. Po çfarë nuk po rritet e vegjeton brënda saj! Llum, injorancë, batakçinj, plehra, të pavlerë, rruspillëk femrash e meshkujsh, kriminelë, hajdutë, faqezinj, maskarenj, vrasës fizikë e moral, politikë e social.
Gjithëçka nga kjo botë e mbrapshtë, këtu është futur midis njerëzve të mirë e të mrekullueshëm të Tiranës të dikurshme 200-250 mijë banorëshe, e cila me të vërtetë nuk ishte ajo që meritonte (ashtu siç edhe qytetet e tjera), por sidoqoftë shkëlqente nga kultura, nga shkollat e ndritshme, nga mirësia e banorëve të saj të bekuar, nga pastërtia e rregulli, nga humanizmi e bujaria, nga çdo gjë që quhet qytetërim.
Sa keq më vjen kur më ngjallet kjo lloj nostalgjie. Thjesht se nuk zgjidh apo lehtësoj gjë. Tirana e bukur sot të vret! Të vret e të copton shpirtërisht kaq sa gjithëçka duket e huaj. Ka gjallëri në fakt, por nuk është gjallëri e natyrshme, është gjallëri kafenesh e pijetoresh, gjallëri dembelash. Gjallëri makinash që përgjithësisht kuturisin kot, gjallëri njerzish tranzit, gjallëri e një qyteti të silikonuar e të plakur para kohe, ndofta në pritje të kthimit të tij në një qytet fantazëm, gjallëri që ndyhet edhe nga ky burrë muti (falje, por nuk gjej fjalë tjetër) që e dogji me bidona benzine atë edhe mbrëmë (si çdo javë) sikur të ishte në kullotën e dhive nga ka zbritur, ky plak palaço që rrethohet nga një turmë primitive e mjerë dhe nga shpirti katran i atyre që e drejtojnë këtë qytet, i atyre që fërkojnë duart prej gomarllëqeve të tij, që mbushin kuletat nëpër zyra dhe e dhjesin këtë vend me demagogji, me servilizëm prej frikacakësh të qelbur dhe me urrejtje për këtë Tiranë të mbetur kështu, në mes të zjarrit të katër rrugëve.
Eh … nuk kam më se çfarë të them.
Komente











