Tiranë, këshilli bashkiak: Memorial
për diktaturën, bust për Sabri Godon

Tiranë, këshilli bashkiak: Memorial<br />për diktaturën, bust për Sabri Godon
TIRANE- Këshilli bashkiak i Tiranës ka vendosur ngritjen e një memoriali si simbol i diktaturës. Memoriali “Postbllok”do të vendoset në kryqëzimin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Ismail Qemali”. Këshilli bashkiak ka marrë vendim për vendosjen e bustit të Jeronim De Radës dhe e politikanit Sabri Godo. Gjithashtu do t’i jepet titulli "Mirënjohje e Tiranës" aktorit të humorit Veli Rada dhe artistit të folklorit shqiptar Haxhi Maqellarës.

MEMORIALI POSTBLLOK, I FATOS LUBONJA DHE ARDIAN ISUFIT
Memorial për simbolet e diktaturës “POSTBLLOK’” do të ngrihet në lulishten që ndodhet në kryqëzimin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Ismail Qemali”, përballë hotel “Rogner”. Bashkia e Tiranës ka marrë vendimin për ngritjen e këtij memoriali që bashkon në një instalacion tre objekte të ngarkuar me simbolika lokale dhe universale. Projekti është iniciuar nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me artistët Fatos Lubonja dhe Ardian Isufi. Karakteristikë e veçantë e këtij kompleksi është se të tre objektet janë autentikë dhe vijnë në formë “artifakti”, çka do të thotë që bartin në vetë trupin e tyre gjurmët e asaj kohe.
Gjithashtu, ndërhyrja artistike do të realizohet në një hapësirë urbane historike në hyrje të Bllokut, pra pikërisht në vendin ku Bunkeri është instaluar qysh në kohën e diktaturës, ku do të ndërtohet memoriali si një metaforë e “arkeologjisë” së vuajtjes dhe dhimbjes. Bunkeri: me një simbolikë veçanërisht shqiptare, evokon izolimin e Shqipërisë, paranojat e diktaturës, mundin e njerëzve për t'i ndërtuar ato nëpër të gjithë territorin e Shqipërisë, si fragmente të një piramide gjigante absurde.
Objekti i tretë është një organizim shtyllash betoni, i një fragmenti galerie miniere si ato ku kanë punuar ish të burgosurit. Ai synon të evokojë mundimin e gulakëve komunistë, punën e papaguar prej skllavi.
Vizitori i memorialit ftohet jo vetëm ta vështrojë nga jashtë – rruga apo trotuari – instalacionin, por edhe të futet brenda tij, të ecë nëpër rruginat që lidhin tre objektet, të hyjë brenda bunkerit dhe të rrugëtojë nën dhe nëpër shtyllat e galerisë së Spaçit duke u kthyer me imagjinatë në atë kohë, për të evokuar kohën e diktaturës komuniste me mungesën e lirisë, vuajtjen, izolimin dhe persekutimin që e ka karakterizuar.

BUSTI I SABRI GODOS
Busti i politikanit, shkrimtarit dhe skenaristit, Sabri Godo do të vendoset në lulishten përpara Parlamentit, ngjitur me shëtitoren “Murat Toptani”, nga Akademia e Shkencave, sipas planvendosjes bashkëlidhur këtij vendimi.
Godo njihet si një penë e rrallë, në romanet me karakter historik, ku më të bujshmet e më të diskutuarat janë “Skënderbeu”dhe “Ali Pashë Tepelena”. Mbi këto figura që i kalonin përmasat e kombit, ai nuk reshti së kërkuari. Këto romane janë ripunuar e ribotuar disa herë, janë përkthyer në disa gjuhë dhe vlerësuar lart nga kritika.
Si një njohës i thellë i karakterit njerëzor, shkroi po me aq mjeshtëri romanet e novelat mbi luftën, për të cilat u akuzua nga censura e regjimit si shkrimtar i deheroizimit dhe vuajti pasojat. Në vitin 1974 u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve për “devijim nga realizmi socialist” dhe u dërgua për “riedukim” për 11 vjet (1974-1985).
 
BUSTI I JERONIM DE RADES
Busti i poetit dhe luftëtarit të çështjes kombëtare shqiptare Jeronim De Radës, vepër e realizuar nga Odise Paskali, do të vendoset po në lulishten përpara Parlamentit, përballë rrugës “Jeronim De Rada”.
De Rada luajti një rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare. Ai është i pari që shkroi vepra me frymë kombëtare. Figura e tij ngrihet si figura më e kulluar dhe më e fuqishme e letërsisë dhe e botës arbëreshe. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë bashkëkohës ishte i madh; tradita poetike shkruar prej tij vijon të jetojë e përtërirë edhe në letërsinë e sotme arbëreshe. Busti i Jeronim De Radës mban vlerën e dyfishtë pasi është një nga punimet më të arrira të artistit Odise Paskali “Skulptor i Popullit”

MIRENJOHJE DHE HUMORISTIT VELI RADA DHE ARTISTIT TE FOLKLORIT HAXHI MAQELLARA

Bashkia e Tiranës ka vlerësuar me titullin “Mirënjohje e Tiranës” humoristit të Estradës së Tiranës, Veli Rada si dhe artistit të folklorit shqiptar Haxhi Maqellara.
Rada u vlerësua për kontributin e dhënë në zhvillimin e artit dhe kulturës në qytetin e Tiranës. Veli Rada iu përkushtua tërësisht jetës artistike duke u regjistruar si student i Institutit të Arteve në vitet 1972-1975, në degën e aktrimit. Me mbarimin e Akademisë së Arteve, që nga viti 1975 u bë anëtar i Teatrit të Estradës së Tiranës, në të cilën ai punoi mbi 35 vjet. Gjatë karrierës së tij artistike ka realizuar me qindra role të ndryshme, duke mbuluar edhe rolin si regjisor dhe as/regjisor në shumë shfaqje të ndryshme. Gjatë kësaj periudhe, realizoi si skenarist humori një numër të madh skeçesh, parodish, intermezzo, etj, ku vlen për t’u veçuar bashkëpunimi i suksesshëm me aktorin e madh të humorit Vasillaq Vangjeli. Gjatë viteve 1995-1997 ka mbajtur detyrën e shefit të trupës artistike dhe regjisorit në trupin e Teatrit të Estradës së Tiranës.
Haxhi Maqellari u vlerësuar për kontributin ne ruajtjen e vlerave kombëtare, integrimin kulturor të faktorit shqiptar në botë, si dhe për kultivimin e artit dhe muzikës tradicionale të qytetit të Tiranës”.
Ajo që e dallon Haxhi Maqellarën nuk është thjesht kualiteti vokal apo krijues si autor i teksteve dhe muzikës së këngëve të popullarizuara, por edhe repertori i tij i cili përfshin këngë popullore nga të gjitha trevat e hapësirës mbarëshqiptare; duke filluar që nga repertori i gjerë i këngëve Dibrane, pjesë e trashëgimisë artistike të vendlindjes së tij; këngët qytetare shkodrane si ajo e “Sulçebeg-ut”, këngë kosovare, e deri tek këngët e Jugut të Shqipërisë si “Leskoviku”; apo këngë të Shqipërisë së mesme si “Napoloni”, “Digju shpirti im”, etj

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Vrau burrin me sopatë, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja

Sarandë/ Vrau burrin me sopatë, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja