Tiranë - Një 39-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së kryeqyetit për armëmbajtje pa leje.

Romeo Tabaku u kap nga uniformat blu teksa lëvizte me automjet në Rrugën e Dibrës.

Gjatë kontrolleve të kryera policia bën me dije se si provë materiale u sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë me krehër dhe fishekë dhe automjeti.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në kuadër të aksioneve të njëpasnjëshme, të mbështetura te kontrollet dhe puna operative, me fokus evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, finalizuan operacionin e koduar “Poseduesi”.

Gjatë operacionit, në Rrugën e Dibrës, u ndalua automjeti që drejtonte shtetasi R. T. Në automjet u gjet 1 armë zjarri pistoletë me krehër dhe fishekë, që posedohej pa leje, nga ky shtetas.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi R. T., 39 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë, për veprën penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak".

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë